Në përjashtim të FC Shkupi, e cila deri në fund do të zhvillojë edhe katër xhiro, Sileksi, Rabotniçki, Akademia Pandevi dhe Renova, që bashkë me Shkupin konkurrojnë për një vend në Evropë, do të zhvillojnë edhe tre xhiro. Mes këtyre skuadrave po zhvillohet një “luftë” e madhe për pozitën e tretë dhe të katërt dhe deri në fund nuk dihet se çfarë do të ndodh
Bujar KURTAJ
Shkup, 8 maj – Skuadra e Shkëndijës javën e kaluar e ka kaluar me sukses edhe Kratovën ku mund 3:1 Sileksin. Kuqezinjtë kështu koleksionuan fitoren e 26-të sezonale, duke shkuar kështu në kuotën e 82 pikëve, 29 pikë më shumë se Vardari i vendit të dytë, ndërsa prekin shifrën e 91 golave të shënuar në 33 ndeshje të këtij sezoni. Janë këto dy skuadrat që prej moti kanë mësuar fatin e tyre. Shkëndija është kampion i ri, kurse Vardari nuk rrezikohet në pozitën e dytë dhe në sezonin tjetër sigurt do të jetë pjesë e kualifikimeve në Liga Evropë. Ndryshe, deri në fund, vëmendja do të përqendrohet tek skuadrat që po garojnë për pozitën e tretë dhe të katërt që qojnë në Liga Evropë si dhe për mbijetesë.
FC Shkupi nuk ka shkuar përtej barazimit në përballjen me “Skopjen”. Deri në minutën e 89-të djemtë e trajnerit Zekirja Ramadani kanë pasur epërsi me 0-1, por Petkovski me një gol të bukur, mposhti Zendelin dhe barazoi shifrat në 1-1. Një rezultat që nuk u konvenon aspak bardhekaltërve, të cilët tani e shohin vetën në vendin e shtatë me 39-të pikë, shtatë më shumë se “Skopje”, por ka një ndeshje më pak, atë më Pelisterin të cilën do ta luajë nesër (e mërkurë) në Çair. Ky barazim ka larguar edhe më shumë FC Shkupin nga pozita e katërt, e cila qon në Liga Evropë, ndërsa epërsia mes tyre dhe Rabotniçkit tani është gjashtë pikë. Deri në fund bardhekaltërit do të zhvillojnë edhe katër xhiro, ku në lojë janë 12-të pikë, derisa brenda dhe jashtë do të përballet me Pelisterin, Renovën e pret në Çair dhe në fund përsëri para tifozëve të saj do të pret Vardarin. Gjithçka është e hapur, por ajo që duhet ta bëjnë futbollistët e Shkupit, është që ti fitojnë të gjitha ndeshjet dhe më pas të shohin se çfarë do të bëjnë konkurrentët e tyre për pozitën e katërt, Rabotniçki, Akademia Pandevi dhe Renova.
Ndryshe, këta të fundit deri në fund do të zhvillojnë edhe tre xhiro, ndërsa pas barazimit 1-1 me Vardarin, aktualisht gjenden në vendin e gjashtë me 41 pikë. Mirëpo, skuadra tetovare ka orar më të rëndë, pasi të dielën do të jenë mysafir i FC Shkupit, pastaj në xhiron e parafundit do të luajnë me rivalin e saj lokal Shkëndijën, ndërsa në fund do të përballen si mysafir me Pobedën, një përballje mjaftë e vështirë pasi skuadra nga Prilepi po lufton për mbijetesë.
Duke i marr parasysh renditjen tabelore, nuk duhet anashkaluar as skuadrën e Akademia Pandevit, skuadër kjo e cila aktualisht gjendet në vendin e pestë me 42 pikë, katër pikë më pak se pozita e tretë e cila i takon Sileksit dhe tre më pak se Rabotniçki në vendin e katërt. Në xhiron e ardhshme, Akademia P. do të pret Rabotniçkin, një rival i drejtpërdrejtë për pozitën e katërt, më pas do të luajë si mysafir ndaj Vardarit, ndërsa në xhiron e fundit do të presin Sileksin, gjithashtu një rival për të dalë në Evropë.
Sa i përket mbijetesës, “luftë” e madhe po zhvillohet mes tre skuadrave, “Skopjes”, Pobedës dhe Pelisterit. Skuadra shkupjane gjendet në pozitën e tetë me 32 pikë, aq sa ka edhe Pobeda, ndërsa me një pikë më pak, Pelisteri gjendet në pozitën e fundit. Cekim, një rang më të ulët shkojnë dy ekipet e fundit, kurse pozita e tetë luan në balotazh për mbijetesë.