Çështjen e lahutës e kishte sqaruar vite më parë një etnomuzikolog shqiptar, sipas të cilit lahuta u përket më shumë popujve! Me fjalë tjera, “edhe e jona, edhe e tyre”, por dhe “as e tyre, as e jona”?! …Kur jemi te “brendimi” i lahutës si instrument serb, të njëjtën gjë në UNESCO duhet ta bëjnë edhe Shqipëria e Kosova, duke e paraqitur si instrument të trashëgimisë kulturore shqiptare, pa le të thonë pastaj serbët se është vetëm e tyre!
Nga Daut DAUTI
NË KURTHIN E EGOIZMAVE BALLKANIKE
Jo pak bujë bëri “rasti lahuta”. Shtypi shqiptar me të drejtë “grafulloi” nga lajmi se Serbia në UNESCO e ka përvetësuar “lahutën shqiptare” si instrument serb. Hajt se në politikë ofensiva e Vuçiqit jashtë dhe betejat e pakuptimta brenda Kosovës, bëjnë që disa vende të parëndësishme t’i tërheqin njohjet, po të na e marrin lahutën?! Me se do të këndojë pastaj Çun Lajçi e lahutarët tjerë të Veriut, me “gusllë”?! Iu vërsulën edhe ministres së kulturës, Mirela Kumbaros: ku je ti që nuk e mbron lahutën, si lejon që të na e marrin serbët dhe pasoi demanti, se asgjë s’ka të vërtetë nga kjo. Tamam sa Ministria e Kulturës e Shqipërisë i rehatoi shqiptarët se serbët nuk na e kanë marrë lahutën, e as mund të na e marrin, në “lojë” hyri edhe një fqinj tjetër. Mali i Zi. Malazezët u thanë serbëve se lahuta është e tyre. Kurse “kryehajduti”, ua ktheu, jo, po kaherë “guslla” ka qenë instrument popullor i serbëve të Malit të Zi, kurse për identitete të sajuara nuk duam të flasim…Hë tash, me një shuplakë dy miza, serbët “ua marrin” gusllën malazezve dhe ua mohojnë edhe identitetin. Indirekt, duke qenë se “qenka” instrument serb, s’mund të jetë as shqiptar!
NJË “LUFTË BALLKANIKE” E SHEKULLIT 21 PËR NJË INSTRUMENT!
Shkrimin desha t’ua kushtoj pretendimeve serbe, ama ja, u futën në lojë edhe malazezët. Nuk e di çka presin boshnjakët, ndoshta edhe ata me lahutë u kanë kënduar Mujës e Halilit apo Musa Kesexhisë…Sa kohë duhet të kalojë që si popuj fqinj t’i harrojnë historitë e hidhura të së kaluarës dhe të shikojnë të ardhmen? Do të na duhej ndonjë sagë futurike që të na japë përgjigje. Në Holivud, “futurollogët” Xhorxh Llukasi e Spilpergu tashmë kanë nisur të plaken dhe t’u shteren frymëzimet…Ata edhe ashtu merren me luftë yjesh e jo me grindavecë ballkanikë.
Kjo mesele, ma kujtoi një “përvetësim” të përnjëmend në ish-Jugosllavi, kur sllovenët, që ishin disa hapa para të tjerëve, e kishin kuptuar rëndësinë e tregut dhe që atëherë e brenduan një prodhim që s’ishte i tyri, ajvarin, i cili bëhet me specat e Maqedonisë kurse vetë fjala, kushedi, mund të jetë turke. Sidoqoftë, prodhuesit tanë një kohë ajvarin e shisnin si “ajver”, sepse nuk guxonin të preknin në autorësinë e “hajdutëve”.
Por, lahuta nuk është ajvar dhe ne, si media, si shqiptarë patriotë, u vumë në mbrojtje. Si mundet të na e marrin! Pale pa serbët! Po çka t’u themi tash edhe malazezëve, dale, frenoni pak, lahuta nuk është serbe, por as malazeze. Ajo është shqiptare. Ndonëse ne i themi lahutë e fqinjët tanë “guslla”(shkruhet:“gusla”). Dhe, gjithë kjo betejë mediale, politike(këmbyen komunikata ministritë e kulturës), e kulturore, ma përkujtoi fundin e viteve 80-të dhe histerinë nacionaliste në regji të Millosheviqit, kur mbaheshin do “tubime të së vërtetës” ku kërkohej “oruzhje”(për të qëruar hesapet me shqiptarët!) dhe dikush thoshte jo, nuk është thërritur “oruzhje”, por “gusle”!!! Atëherë e kemi parë se një instrument mund të instrumentalizohet për qëllime subversive në kokat me vetëdije të mbrapshtë. Historinë e asaj histerie nacionaliste e pamë në 4-5 vitet e para të 90-tave të përgjakshme në Bosnje e Kroaci…(në Kosovë do të vijë në fund të 90-tave). Në këmbimin e reagimeve e midis ministrive të kulturës së Malit të Zi dhe të Serbisë, mbrohen qëndrimet se lahuta(guslla) është pjesë e trashëgimisë kulturore të tyre veç e veç, kurse në qëndrimet e ministrisë shqiptare ka një dozë fleksibiliteti duke pranuar se edhe te disa popuj të tjerë paraqitet ky instrument…
Por, çështja është te ky folklorizëm ballkanik i çuditshëm kur dikush prej dikujt “merr” dhe dikush dikujt “s’ia jep”. Ne shqiptarët kemi përvojë të hidhur, jo vetëm pse disa të tjerë na i marrin figurat historike, por dhe vetë origjinën dhe autoktoninë, prandaj ndonjëherë i fryjmë edhe kosit. Jo vetëm pse ndoshta pati (një gjysmë) të vërtetë në lajmin, por ngase jemi lodhur tashmë me këso pretendimesh, ndaj dhe u përgjigjëm në stilin se gjithçka që e përdorin ne, është e jona, kurse të tjerët veç marrin prej nesh. Çdo respekt brengosjes dhe betejës epike të mbrojmë tonën – gjithnjë ky duhet të jetë pozicion parimor, por, me lahutën na doli paksa më ndryshe nga ç’mendojme ne ose mentojnë fqinjët tanë. Këtë më së miri e kishte sqaruar kaherë një njeri i fushës, etnomuzikologu i ndjerë, Ramadan Sokoli(1920-2008). Në një shkrim të tij, shumë vite më parë, ende pa shfaqur dikush pretendime ekzkluziviteti mbi lahutën, kishte shkruar për gjenezën e saj, që mund të rrumbullakohet në pak fjalë: lahuta me variacione të shumta paraqitet te shumë popujt të botës(dhe shumë larg Ballkanit, gjer në Kinë dhe Indi), porse origjinën e ka nga Persia!!! Pra, “as e atyre, as e jona”, por dhe “edhe e tyre, edhe e jona”?! Ja më saktë se çka ka shkruar ky autor(citati është më i gjatë për shkak të saktësisë dhe pasqyrës së plotë që jep autori):
“Vegla muzikore pak a shumë si lauria dhe lahuta jonë (e cila përfaqëson tipin më të hershëm të veglave kordofone me hark) përdoren nga disa popuj të afërt e të largët. Të tilla janë p.sh. “gusla” e sllavëve jugorë që banojnë në vargmalet Dinarike, apo “ravanastroni” i Indisë, gjithashtu “kobizi” i Kazakistanit, ”hixhaku” i Uzbekistanit dhe i Armenisë, ”komisi” i Kirkizisë, ”Uhr-Sieni” i Kinës, ”rebabi” i Arabisë, ”ceravali” i Etiopisë etj. Po kështu e afërt me laurinë tonë është “lira” e disa krahinave të Greqisë, apo “lirica” e Bullgarisë e Maqedonisë. Gjithë këto vegla kanë pak a shumë të njëjtin ndërtim dhe të njëjtën mënyrë përdorimi. Por kjo nuk do të thotë se ato kanë gjithashtu të njëjtat shprehi muzikore. Padyshim midis këtyre veglave ka lidhje origjine ose “farefisnie”. Rreth prejardhjes së tyre studiuesit kanë shprehur mendime të ndryshme. Disa thonë se ideja për nxjerrjen e tingujve nëpërmjet fërkimit të kordave me anë të harkut paska lindur në kohën e lashtë nga imitimi i sharrës ose nga vetë harku i shigjetës. Kjo është vetëm një hamendje. Historikisht dihet se kultura e vjetër egjiptiane, asiro-babiloneze, greko-romake etj. nuk ka pasur vegla muzikore me hark. Ndërkohë studimet muzikologjike më të përparuara e kanë flakur tezën antihistorike të prejardhjes së veglave kordofone me hark nga Skandinavia apo nga India dhe kanë provuar me argumente se djepi i tyre është Lindja e Mesme, kryesisht Persia. Së andejmi këto vegla janë përhapur gjatë shekujve nëpër shumë vise të Azisë,Evropës dhe Afrikës.
Me sa duket shtegtimi i tyre për në Evropë ka filluar pas shekujve VIII – IX, nëpërmjet Bizantit, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, nëpërmjet dyndjes së arabëve në Spanjë. Hë për hë është ende shumë e vështirë të përcaktohet koha e depërtimit të këtyre veglave në vendin tonë. Dëshmia më e hershme që kemi rreth përdorimit të veglave muzikore me hark nëpër vendbanimet e shqiptarëve ndodhet në manastirin e Deçanit, konkretisht në një afresk të pikturuar rreth vitit 1335, ku paraqitet një grup burrash që vallëzojnë sipas tingujve të laurisë, gloriskës, lodërtisë dhe tullumbacet. Kjo është dëshmia më e hershme që njihet në Ballkan”( cituar sipas: https://www.shkodraweb.com/ramadan-sokoli-origjina-e-lahutes-nder-shqiptare-daton-e-dokumentuar-ne-vitin-1335/?fbclid=IwAR37SQvEzRtJxfA5qVmDpFMyBmdz-w9_jychwamekcv_MpHg7HJlLYq1GKI).
A duhet që këto teza të Ramadan Sokolit të jenë argument se ne duhet të heqim dorë nga lahuta si instrument yni? Assesi. As ai nuk e thotë këtë, por tregon se kur është paraqitur te ne për herë të parë. Lahuta është skalitur thellë në një stil këndimi të këngëve kreshnike shqiptare. Mirëpo, nuk duhet të mohojmë se nuk është pjesë e folklorit të disa popujve të tjerë, si fqinjë, ashtu edhe më të largët. Përplasja midis ministrive të kulturës së Malit të Zi dhe Serbisë po për lahutën dhe veshjen kombëtare, nuk do të thotë patjetër se ndonjëra palë gënjen, por se i njëjti fenomen është i pranishëm te kulturat e të dy popujve, kurse deklaratat rreth vjedhjes nga njëri tjetri janë vetëm politike. Dhe kur jemi te “brendimi” i lahutës si instrument serb, të njëjtën gjë në UNESCO duhet ta bëjnë edhe Shqipëria e Kosova, duke e paraqitur si instrument të trashëgimisë kulturore shqiptare, pa le të thonë pastaj serbët se është vetëm e tyre!
Përkime etnofolklorike ka mjaft midis popujve që kanë ndarë një hapësirë. Mjafton të marrim shembullin e “Valles së kaçakëve” te shqiptarët dhe “Valles së komitëve” te maqedonasit, pa hyrë në debat kush e ka luajtur së pari. Janë pothuajse identike, siç janë të ngjashme edhe disa kostume në krahina të caktuara, ose mite e legjenda. Më kujtohen vitet e para të festivalit “Këngë jeho” në Strugë dhe një debat për daullen dhe zurnat, që janë instrumente përcjellëse të valleve shqipe, maqedonase, turke, (etj.) Një etnomuzikolog nga Kosova, me atë rast pat thënë se këto janë instrumente që janë familjarizuar në folklorin e shumë popujve, kanë ardhur nga hapësira tjera(poashtu u përmend Persia)…Po ç’të thuash për gajden që përdoren në Ballkan, por dhe nga skocezët, po për kitarën, violinën, mandolinën dhe instrumente tjera…që i përdor gjithë bota? Po fyellit e kavallit…kush u ka mëshuar i pari?
A ka rëndësi se ku kanë lindur instrumentet para shumë shekujve e mileniumeve, përderisa sot s’mund të paramendohet pa to asnjë muzikë kudo që krijohet në botë? Ndoshta vetëm në Ballkan ende ka këso debatesh për gjëra të kota, në përpjekjet shterpe për të dëshmuar kush është i pari, më i lashti, e më i civilizuari…që të arsyetojë pretendimet ndaj hapësirës që e ndajnë më shumë popuj…
“NOBËLI” NË BALLKAN, POR KU, NË MAQEDONI-GREQI APO KOSOVË-SERBI?!
Siç po shkon kah finalizimi Marrëveshja e Prespës që përmbyll një kaptinë 25 vjeçare të kontestit greko-maqedonas për emrin, gjithnjë e më shpesh kreatorëve të kompromisit po u këndohet kënga e nominimit për çmimin Nobël për paqe. Pra, dy kryeministrave, Zoran Zaevit dhe Ciprasit. Nuk do mend se guximi i tyre si të askujt nga përfaqësuesit e mëparshëm shtetërorë, i bën ata kandidatë seriozë për këtë çmim. Nëse e fiton Zaevi në vitin 2019, do të ishte i treti nga Maqedonia, pas Nënë Terezës dhe Ferid Muradit, e me këtë Maqedonia nga vendet me më shumë fitues me këtë lloj çmimi prestigjioz, ndonëse vend i vogël! Por, siç po ecin punët, këtyre dyve konkurrenca më serioze mund t’u vijë nga fqinjësia, sepse nuk do të ishte çudi që Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq të hyjnë në garë, nëse, siç paralajmërohet, muajin e ardhshëm finalizojnë një marrëveshje midis Serbisë e Kosovës…
Por, kur jemi te kandidatët për çmim paqeje, ndoshta do shtuar dhe dy emra: Abedin Zymberin dhe Stojanço Angellovin, dy ish-kundërshtarë të luftës, të cilët sot bashkërisht po japin mesazhe pajtimi e mirëkuptimi midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Vënia e luleve në varret e viktimave civile në Sllupçan dhe dora e pajtimit, është një gjest që duhet çmuar. Lexova këto ditë se këta dy kanë mendime të ndryshme rreth konfliktit 2001, por, në këtë çështje as që duhet të bëhen përpjekje të ketë pajtim mendimesh, sepse përherë do të ketë këndvështrime të ndryshme e ngjyrime etnike rreth këtij konflikti. Ajo që më së shumti duhet vlerësuar janë angazhimet e tyre që të shikohet nga e ardhmja, të respektohet realiteti etnik i Maqedonisë. Kur dy luftëtarë të taborëve të kundërt ia shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit me qëllim që të harrohet e kaluara, duhet të përshëndetet si akt civilizues, ngjashëm siç pat bërë disa vite më parë Fatmir Besimi, si ministër i Mbrojtjes, kur u përul para viktimave të Karpallëkut dhe me pas, po me delegacion nga Ministria e Mbrojtjes, edhe para viktimave në rajonin e Likovës, ndonëse ky gjest pat hasur në shumë komente kundërthënëse në publik.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)