Gjenerali i lartë i Bashkimit Evropian ka paralajmëruar se mos riorganizimi i një misioni ushtarak për të zbatuar një embargo armësh në Libi, do të thotë se BE ka dështuar në provën e saj të ambicieve të reja gjeopolitike
Në një intervistë për revistën ndërkombëtare, “Politico.eu”, gjenerali italian Claudio Graziano, kreu i komitetit ushtarak të BE-së, deklaroi se ai kurrë nuk ka parë një “luftë të vërtetë kaq afër derës së Evropës”. Ai përmendi konfliktet në Libi, Siri dhe rajonin Sahel i Afrikës së Veriut, si shembuj të trazirave në kufijtë e BE-së. Të hënën, ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë se si të vijojnë në konferencën ndërkombëtare të muajit të kaluar për Libinë në Berlin, ku fuqitë europiane u përpoqën të vendosnin një unitet pas vitesh ndarjesh mbi konfliktin.
Në agjendën e tyre është tema, se si të rigjallërohet, “Operacionin Sofia”, misioni detar në Mesdheun qendror i ngarkuar me mbikëqyrjen e embargos së armëve dhe luftimin e trafikimit njerëzor. Misioni nuk ka qenë në gjendje të vendosë anije që nga marsi i vitit të kaluar për shkak të një vendimi të shtyrë nga zëvendës-kryeministri i atëhershëm i Italisë, Matteo Salvini.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe shumë qeveri të Bashkimit Europian, favorizojnë rifillimin e misionit. Por Austria ka udhëhequr kundërshtimin e propozimit, me kancelarin Sebastian Kurz, duke argumentuar se misioni inkurajoi trafikimin e njerëzve dhe migracionin e paligjshëm, pasi emigrantët e dinin se ata kishin një shans për të shpëtuar nga anijet e ardhura drejt BE-së. Zyrtarët e BE thonë se numri i emigrantëve që largohen nga Libia është zvogëluar që nga fillimi i operacionit në 2015. Graziano, i cili shërben gjithashtu si këshilltar ushtarak i Borrellit, sugjeroi që një vendim për të ringjallur Sofinë duhet të ishte i drejtpërdrejtë për BE-në pasi që misioni tashmë ekziston, ai tashmë ka një mandat për të zbatuar embargon e armëve dhe se embargoja ka mbështetjen e N..N. “Duhet të vazhdosh me diçka që është aprovuar”, tha ai. Nëse plani për të ringjallur Sofinë nuk do të ketë sukses, do të dërgonte “një mesazh jashtëzakonisht negativ”, tha Graziano, pasi do të thoshte që BE-ja “nuk është në gjendje të gjejë zgjidhje”. Megjithatë Graziano tha se ai është “shumë optimist” një zgjidhje do të gjendet sepse BE tani është shumë më e përqendruar në siguri dhe mbrojtje sesa ishte edhe disa vjet më parë. Graziano ka qenë në postin e tij aktual që nga nëntori i vitit 2018, duke udhëhequr punën e Komitetit Ushtarak të BE-së, një organ i përbërë nga shefat e mbrojtjes së vendeve anëtare.
Para se të transferohej në Bruksel, gjenerali me katër yje mbajti një sërë rolesh të vjetra në ushtrinë italiane dhe në operacionet ndërkombëtare, duke përfshirë si komandant të Forcës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban. Por, sugjeroi ai, Europa aktualisht përballet me mjedisin më sfidues të sigurisë që ai e ka njohur si oficer ushtarak. “Në karrierën time të gjatë, unë kam qenë shumë herë në fushë, në operacione. Unë nuk kam parë luftë të vërtetë aq afër derës së Europës”, tha ai. Graziano argumentoi se edhe gjatë konflikteve të Ballkanit të viteve 1990, kur lufta u bë brenda Europës, kërcënimi për Kontinentin nuk ishte aq kompleks apo aq serioz sa sot. Ai tha se Kontinenti përballet me një seri sfidash të ndërlidhura të sigurisë në jug të saj – një “trekëndësh paqëndrueshmërie”, i përbërë nga terrorizmi, migracioni i paligjshëm dhe shtetet e dështuara.