Përpos faktit se Donad Trump urdhëroi numrin një të tregtisë që të vijojë punën me vendosjen e tarifave doganore ndaj produkteve kineze, nga Pekini vijnë sinjale optimizmi. Dy shtetet kanë rënë dakord për të zhvilluar më shumë takime dhe negociata për çështjet e tregtisë, deklaroi zv/kryeministri kinez, Liu He.
Pavarësisht se për Liu mundësia për arritjen e një marrëveshje mes palëve është ende e hapur, sipas tij, në thelb mbeten çështje kryesore për t`u zgjidhur ende mes dy palëve, për të cilat Kina nuk do të sprapset. Ndër të tjera, numri dy i ekzekutivit kinez shtoi se bisedimet e mëtejshme do të vijojnë në Pekin, por pa dhënë të tjera detaje.
Pas dështimit të bisedimeve më të fundit për arritjen e një marrëveshje, Shtetet e Bashkuara vendosën të fillojnë procedurën për të vendosur tarifa mbi 200 miliardë dollarë produkte kineze. Sipas Trump, Kina shkeli marrëveshjen. Madje, SHBA mund të vendosin tarifa deri në 300 mld dollarë produkte.