Nga dokumentacioni që e kemi në disponim, shihet se në vitin 1956 UDB-a jugosllave – seksioni Dibër, vendosi të rihapë dosjet policore për dy figurat e NDSh-së, Osman Camin dhe Medat Tërshanën, për çka angazhoi një numër të madh të bashkëpunëtorëve të koduar, si bie fjala: “Metak Mali”, “Shtirovica”, “Todor”, “Sokol”, “Merxhan” etj. Në faqet e para të atyre dosjeve, në pika të shkurta përshkruhej veprimtaria e tyre e mëparshme antikomuniste, që për pushtetarët e atëhershëm jugosllav-maqedonas konsiderohej “armiqësore”
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Në mbledhjen e zgjeruar që Byroja Politike e KQ të LKM-së e mbajti më 29 shkurt 1952, përfaqësuesi i UDB-ës, Arizon Nestorovski -Marçe, kërkoi që emigracioni politik shqiptar të zhvendoset nga Maqedonia Perëndimore në atë Lindore, për arsye se, sipas vlerësimit të tij, “emigrantët të cilët janë në rrethin tonë (Tetovë – Q.L.), e të cilët thuajse të gjithë janë përkrahësit e komiteteve perëndimore, ndikojnë negativisht te popullsia…”. Ngjashëm si Marçe, në mbledhje u shpreh edhe përfaqësuesi i UDB-ës për rrethin e Dibrës, duke shtuar se “çështja e emigrantëve përbën problemin e madh politik, i cili duhet zgjidhur…”.
Për sa u pa më sipër, del se jugosllavët ishin tepër të interesuar që pushtetin në Shqipëri ta mbajnë sa më shumë që ishte e mundur klika staliniste në krye me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, pa marrë parasysh marrëdhëniet e tyre të “acaruara”, sepse për ta ishte shumë e qartë se me vendosjen e një pushteti demokratik pro-perëndimor në Shqipëri, do të bëhej e pamundur realizimi i të gjitha atyre planeve, programeve dhe elaborateve të hartuara nëpër kuzhinat e byrove politike të Beogradit e të Shkupit, të cilët për synim kishin dëbimin e dhunshëm të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre etnike për në Turqi, dhe kolonizimin e po atyre trojeve me elemente sllave, një proces, zbatimi i të cilit filloi në pjesën e dytë të vitit 1953, pikërisht në RP të Maqedonisë. Udhëheqësi komunist jugosllav, J. B. Tito, në tubimin e organizuar më 11 tetor 1953 në Shkup, në mënyrë të drejtpërdrejtë sulmoi shtetet perëndimore, veçmas Italinë për, siç do të shprehet, “qëllimeve imperialiste ndaj Shqipërisë”, të cilat fare nuk dallojnë nga ato të Musolinit:
“…Në kohë të fundit rreth Shqipërisë sërish është duke u turbulluar uji, edhe atë në mënyrë që në botën e jashtme po flitet se si gjoja Jugosllavia ndaj Shqipërisë ka qëllime të këtilla e të atilla, se si Jugosllavia ka qëllime ekspansioniste e të tjera….Jugosllavia nuk ka as çfarë pretendimesh ndaj Shqipërisë. Jugosllavia dëshiron që Shqipëria të jetë shtet i pavarur, Jugosllavia konsideron se populli shqiptar ka të drejtë që ta zgjedh rregullimin shoqëror ashtu siç dëshiron vetë, atë pushtet të cilin e dëshiron…Mirëpo, ne, asnjëherë nuk do të pajtohemi me cilindoqoftë atë, i cili do të përzihet në punët e brendshme shqiptare, ndërsa për këtë më së paku ka të drejtë Italia…”.
Ky reagim i Titos erdhi për shkak se kohë më parë, përkatësisht në muajin korrik të atij viti, me nismën e italianëve u krijua një bashkim midis Bllokut Kombëtar Indipendent dhe Ballit Kombëtar, krahut të Ali Klisurës, me çka u krijua Besëlidhja Shqiptare që mori emrin “Bashkimi Demokratik Shqiptar”. Në një dokument me titull “Çështja shqiptare sot”, të hartuar në vitin 1954 nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë, ndër të tjera thuhej se kjo Besëlidhje, e cila ishte rrjedhojë e një pune të dobishme më se një vjeçare “sot peshohet si grupi politik shqiptar më i fort” dhe se ka rrjetin më të zgjeruar se çdo organizatë tjetër politike shqiptare në mërgim: “Blloku – theksohej në dokument – duke u bashkuar me Ballin e Ali Klisurës lindi një formacion politik që përmbledh dhe harmonizon në gjirin e tij forcat më të shëndosha antikomuniste…”.
U larguam nga tema me të vetmin qëllim që të kemi një pasqyrë sa më të qartë rreth qëndrimit jugosllav ndaj politikës pro-perëndimore shqiptare, në ballë të së cilës ishin organizatat, përkatësisht komitetet shqiptare në Evropë dhe SHBA, e të cilat për synim kishin fillimisht çlirimin e popullit shqiptar në përgjithësi nga kthetra komuniste dhe më pas krijimin e një Shqipërie demokratike pro-perëndimore, në kuadër të së cilës do të përfshiheshin edhe tokat shqiptare nën pushtimin jugosllav. Kjo frymë pro-perëndimore, sipas UDB-ës maqedonase, krahas “emigracionit politik”, përcillej edhe përmes anëtarëve të “ish Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare”, e themeluar nga inteligjenca dhe e mbështetur masovikisht nga masa e përgjithshme shqiptare:
“Vetë detyra e NDSH-së, theksohej në një dokument të UDB-ës – ishte: restaurimi i së vjetrës me ndihmën e perëndimit për krijimin e Shqipërisë së Madhe (Etnike – Q. L.)…”.
Për rrjedhojë u ndërmorën masa shtesë ndaj veprimtarëve të NDSh-ës, edhe pse ata tashmë e kishin vuajtur dënimin dhe formalisht konsideroheshin si njerëz të “lirë”. Një masë e tillë në Dibër u mor edhe ndaj Osman Camit dhe Medat Tërshanës, për të cilët udhëheqja e atëhershme komuniste e Dibrës vlerësonte se të njëjtit, së bashku me mësuesit shqiptar, ishin kyçur në një “organizatë ilegale”, e cila, siç bëhej me dije, “mbështetej prej komiteteve shqiptare në Perëndim”. Për lojalitetin ndaj organizatës, anëtarët obligoheshin të japin betimin, përmbajtja e së cilës ishte me sa vijon:
“Unë si shqiptar do të jem i gatshëm të luftojë për bashkimin e gjithë shqiptarëve në një Shqipëri të vërtet, e sidomos për ata shqiptarë, të cilët janë nën zgjedhën e sllavëve. Do ta kem gjithnjë parasysh luftën kundër tradhtarëve dhe do t’i mbroj interesat e popullit shqiptar.”.
Në fakt, politika represive e zbatuar asaj kohe ndaj ish të burgosurve politik dhe inteligjencës shqiptare ishte rrjedhojë e të ashtuquajturës “Marrëveshje xhentlemene”, të arritur në janar të vitit 1953 në Split, midis udhëheqësit komunist jugosllav, J. B. Tito dhe ministrit për Punë të Jashtme të R. Turqisë, Fuad Kyprili, sipas së cilës planifikohej që brenda periudhës kohore 1953-1959 nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Sanxhaku për në Turqi të shpërnguleshin rreth 400.000 banorë myslimanë, pjesa dërmuese e tyre të përkatësisë etnike shqiptare. Rrjedhimisht, nga pjesa e dytë e atij viti, filloi procesi i shpërnguljes masive, së pari në Maqedoninë Veriperëndimore, ndërsa nga viti 1956 do të përhapet edhe në Kosovë, Luginë të Preshevës, Sanxhak dhe Mal të Zi. Numri i përgjithshëm i të shpërngulurve deri në mars të vitit 1959, siç pohojnë dokumentet e proveniencës policore e partiake jugosllave ishte 143.800 banorë, ndërsa deri në vitin 1966, ky numër u rrit në mbi 250.000 banorë.
Ishin pikërisht ish të burgosurit politik dhe inteligjenca shqiptare, të cilët e kundërshtuan në mënyrë të hapur atë politikë diskriminuese dhe shfarosëse të udhëheqjes komuniste jugosllave, e cila sipas tyre fare nuk ndryshonte nga politika e mëparshme hegjemoniste e Mbretërisë jugosllave. Procesin e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, ata e konsideronin si një ndër masat më të rrezikshme të udhëheqjes komuniste jugosllave, që këto troje “një herë e mirë të pastrohen nga shqiptarët”. Lidhur me këtë, ata shpreheshin: “Nëse një shqiptar vdes në vendlindje, atëherë kemi humbur një shqiptar, ndërkaq nëse shkon në Turqi dhe vdes atje, atëherë kemi humbur dy…”.
Nga dokumentacioni që e kemi në disponim, shihet se në vitin 1956 UDB-a jugosllave – seksioni Dibër, vendosi të rihapë dosjet policore për dy figurat e NDSh-së, Osman Camin dhe Medat Tërshanën, për çka angazhoi një numër të madh të bashkëpunëtorëve të koduar, si bie fjala: “Metak Mali”, “Shtirovica”, “Todor”, “Sokol”, “Merxhan” etj. Në faqet e para të atyre dosjeve, në pika të shkurta përshkruhej veprimtaria e tyre e mëparshme antikomuniste, që për pushtetarët e atëhershëm jugosllav-maqedonas konsiderohej “armiqësore”:
“Osman Cami në vitin 1945 u bë anëtar i organizatës ilegale ‘Nacional Demokratike Shqiptare’, e cila në programin e saj pati luftën kundër rregullimit ekzistues socialist në territorin e Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, me qëllim që këto pjesë të shkëputen nga RSFJ-ë dhe me ndihmën e imperialistët ta krijojnë Shqipërinë e madhe. Për këtë arsye qe burgosur dhe në vitin 1947 u dënua me 15 vjet burg të rëndë”. Përveç veprimtarëve të NDSh-së, siç u tha më lartë, në shënjestër të UDB-ës në Dibër të Madhe, ishin edhe mësuesit shqiptarë, për të cilët vihej në dukje se “në kohë të fundit aktiviteti i tyre është përqendruar në shfrytëzimin e literaturës nacionaliste nga historia kombëtare e Shqipërisë, të shtypur nga koha e Zogut, e cila në kohë të fundit po paraqitet në numër më të madh”. Si shembull merret mësuesi i gjimnazit të ulët, Medat Cami, i cili nxënësve u paska lexuar artikuj nga libri i botuar në Shqipëri në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë:
“…Në atë libër – theksonte UDB-ja – flitet për luftën e popullit shqiptar në Mal të Zi, Kosovë, Dibër etj., për pavarësinë kundër sllavëve të jugut… Në këtë libër zgjerohet jo vetëm urrejtja fetare midis myslimanëve dhe të krishterëve, por edhe lufta kombëtare mes shqiptarëve dhe sllavëve, të cilët ‘kanë dëshiruar t’i zhdukin shqiptarët’…”.
(vijon nesër)