Lufta në Ukrainë, revolta iraniane dhe hija në Cannes

Regjisorët e mirënjohur të Iranit të cilët jetojnë ende atje – ndryshe nga Asghar Farhadi, i cili u largua nga Irani shtatorin e kaluar dhe i cili aktualisht jeton midis Los Angelesit dhe Evropës – e kanë ndërprerë realizimin e filmave për momentin edhe për shkak të “të gjitha kufizimeve të vendosura për kineastët” nga regjimi dhe edhe për faktin se mendojnë që nuk është koha e duhur për të bërë një film

 

Lufta e vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës dhe shpërthimi i rebelimit kundër regjimit iranian si pasojë e vdekjes së Mahsa Aminit, kanë marrë jehonë të gjerë në Festivalin e Filmit në Cannes. Në hapjen e Festivalit të martën mbrëma, aktorja legjendare, francezja Catherine Deneueve, nderoi viktimat e luftës, duke recituar një poezi të poetes ukrainase, Lessia Oukraïnka. Në mënyrë solemne ajo deklaroi: “Unë nuk kam më as lumturi as liri, vetëm një shpresë ka mbetur në mua: të rikthehem një ditë në Ukrainën time të bukur”. Një vit më parë, Cannes filloi emocionalisht me një fjalim të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Nga aspekti industrial, delegacioni zyrtar rus dhe kompanitë e lidhura me qeverinë janë përjashtuar përsëri nga pjesëmarrja në “Cannes Marché du Film”. Zëdhënësi i festivalit ka konfirmuar se fondacioni i filmit “Farabi” i Iranit, etniteti më i lartë kombëtar i filmi, i cili ka marrë pjesë në treg që prej shumë vjetësh, nuk është lejuar të rezervojë ndonjë vend.

Advertisements

Në vend të kësaj, Irani është duke u përfaqësuar nga “Independent Filmmakers Assn.”, themeluar në shtator të vitit 2022 nga Kaveh Farnham nga Dubai, producent i “There Is No Evil” në regji të regjisorit disident, Mohammad Rasoulof Rasoulof, i cili është liruar së fundi nga burgu Evin i Teheranit dhe ka konfirmuar së fundmi se nuk është lejuar të dalë nga Irani për të shërbyer si anëtar kryesor i jurisë në Cannes. Sa i përket kategorisë zyrtare, Ukraina kuptohet se mungon për shkak të luftës. “Industria si industri është e vdekur për momentin”, ka thënë Vladimir Yatsenko, producent i “Luxembourg, Luxembourg”, të Antonio Lukichit, i cili dha premierën në Festivalin e Filmit Venecia, në fillim të verës së kaluar.

Financimi për Agjencinë Kombëtare të Filmit të Ukrainës, organi kryesor financiar i industrisë, është kthyer në shërbim të luftës. Shumë regjisorë janë duke shërbyer në vijën e parë të frontit – Yatsenko sapo është kthyer në Kiev një ditë pasi ka folur për “Variety”.

Pavarësisht sfidave, “Variety” ka marrë vesh që disa filma ukrainas janë paraqitur në festival, por nuk kanë arritur të përzgjidhen, megjithëse dokumentari i luftës nga regjisori polak, Maciek Hamela “In the Rearview” – një bashkëprodhim i pakicës në Ukrainë – u përzgjodh për ACID të festivalit.

Ndërkohë, “Two Sisters”, një bashkëprodhim Ukrainë-Poloni nën regji të Łukasz Karwowski, është aktualisht në post-produksion dhe do të prezantohet në tregun e filmave në postproduksion në “Tallinn Black Nights Goes to Cannes”. I filmuar për mbi gjashtë javë në Ukrainë në fund të verës së kaluar, ai është një nga filmat e parë narrativë që ka arritur të vihet në skenë që nga fillimi i luftës. “Ne po punonim shumë shpejt”, ka thënë Karwowski, ekuipazhi i vogël dhe i shkathët i të cilit duhej të lundronte nën breshëri postblloqesh ushtarake dhe i cili xhiroi teksa artileria ruse godiste. Ndërkohë, Irani është duke u prezantuar me vetëm një film, dramën “Terrestrial Verses”, e realizuar në bashkëpunim midis Alireza Khatami me vendbanim në Kanada dhe Ali Asgari me vendbanim në Iran.

Vjen premierë në kategorinë “Un Certain Regard’. I xhiruar ilegalisht në Teheran qysh në fillimet e protestave që nisën nga vdekja e Mahsa Aminit, “Verses” përbëhet nga 12 tablo që me një ton ironik therës, përshkruajnë gjendjen gjithnjë e më absurde e më tragjike me të cilën përballen iranianët në jetën e tyre të përditshme.

“Ishte shumë e rëndësishme për ne të flisnim për sistemin, për sistemin totalitar që dëshiron të kontrollojë gjithçka në jetën e njerëzve”, ka thënë Asgari. Siç thekson Mohammad Attebbai, i cili është kreu i kompanisë së shitjeve me bazë në Teheran, “Iranian Independents”, pjesa më e madhe e filmave iranianë që janë shfaqur në festival pas vdekjes së Aminit, janë ose nga regjisorë iranianë të diasporës, si ai “The Persian Version” i Maryam Keshavarz nga New Yorku ose filma të pavarur si “Verse” dhe duke pasur parasysh turbulencat, ato janë shumë të rrallë tani. “Në muajt e fundit kinemaja iraniane nuk ka pasur kohë ta zërë hapin”, ka thënë Khatami, i cili beson se “kinemaja në Iran do të ndahet në para dhe pas lëvizjes ‘Mahsa Amini’”.

Por Attebbai nënvizon se regjisorët e mirënjohur të Iranit të cilët jetojnë ende atje – ndryshe nga Asghar Farhadi, i cili u largua nga Irani shtatorin e kaluar dhe i cili aktualisht jeton midis Los Angelesit dhe Evropës – e kanë ndërprerë realizimin e filmave për momentin edhe për shkak të “të gjitha kufizimeve të vendosura për kineastët” nga regjimi dhe edhe për faktin se mendojnë që nuk është koha e duhur për të bërë një film. “Ata thjesht nuk mund të pasqyrojnë atë që ka ndodhur dhe po ndodh në shoqëri”, ka thënë ai.

Sa i përket Ukrainës, Tregu i Cannes do të bëjë sërish një sërë përpjekjesh për të mbështetur industrinë e rrënuar, përfshirë ngjarjen “Ukraina në fokus” që do të prezantojë 10 projekte filmash artistikë në zhvillim për bashkëprodhuesit dhe financuesit e mundshëm. Regjisorët ukrainas, ndërkohë, po lobojnë tek organet financuese evropiane për të ndryshuar udhëzimet e tyre për bashkëprodhimet ndërkombëtare dhe për t’i lejuar ata të aplikojnë pa siguruar financim nga vendi – një hap që mund të ruajë rrjedhën e prodhimit teksa vendi vazhdon të mbrojë sovranitetin e tij.

“Ka shumë njerëz që përpiqen ta mbajnë gjallë industrinë”, ka thënë Artem Koliubaiev, kreu i Këshillit për Mbështetjen Shtetërore për Kinematografinë në Ukrainë, organ kryesor financues. Ai ishte njëri ndër përfaqësuesit e industrisë që në mars u takuan me presidentin Zelenskyy për të theksuar urgjencën e rikthimit të financimit nga qeveria. “Ne duhet t’i tregojmë botës dhe partnerëve ndërkombëtarë se ne besojmë në industrinë tonë dhe se jemi të gatshëm të fillojmë procesin e financimit dhe xhirimeve në vendin tonë”, ka thënë Koliubaiev. “Nuk e dimë nëse do të kemi sukses. Por ne e kemi këtë instinkt – jo vetëm të të mbijetuarve, por edhe të luftëtarëve”, ka thënë Aleksandra Kostina, e “Bosonfilm” me bazë në Kiev, e cila ka dy projekte në programin “Ukraina në Fokus” të Cannes “E dimë se çfarë është e çmuar për ne dhe jemi të gatshëm të luftojmë”.

(Marrë nga koha.net)