Kriza në Ukrainë ka shkaktuar uljen e vëllimit të punës apo edhe ndërprerjen e prodhimtarisë të pjesës më të madhe të prodhuesve të veturave në Evropë si Mercedes, Porshe, Audi etj
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 mars – Lufta në Ukrainë ka ndikim të madh indirekt edhe në fabrikat në Maqedoninë e Veriut, që furnizojnë me pjesë të ndryshme, fabrikat amë prodhuese të makinave në Gjermani. Vlerësohet se do të ulet për së paku 15 për qind vëllimi i punës së furnizuesve vendor të fabrikave evropiane të veturave, që si trend mund edhe të përkeqësohet në varësi prej zhvillimeve në ekonomitë evropiane të shkaktuara nga lufta në Ukrainë. Sipas numrit një të Shoqatës së kompanive të huaja me prodhimtari të avancuar teknologjike, Viktor Mizo, problemet ndër të tjerash konsistojnë edhe në dërgesën e repromaterialeve për klientët evropian. Sipas tij, kriza në Ukrainë ka shkaktuar uljen e vëllimit të punës apo edhe ndërprerjen e prodhimtarisë të pjesës më të madhe të prodhuesve të veturave në Evropë si Folksvagem Mercedes, Porshe, Audi etj.
“Kompanitë e Maqedonisë, që janë furnizues të tyre për komponentet e automjeteve ballafaqohen me ulje të punës, që mund të sjellë potencialisht edhe shkurtim të orarit të punës apo edhe ulje ose optimizim të të punësuarve dhe vendeve të punës përmes dërgimit në pushim të imponuar ose riorganizim të punës. Njëherësh edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike, naftës, gazit, transportit, ushqimeve etj, ka rritur në mënyrë drastike edhe koston shtesë të këtyre kompanive”, thekson Mizo. Sipas tij, tani jemi në një situatë që të presim se sa do të zgjasë lufta dhe si ajo do të pasqyrohet përderisa nuk kthehet njëfarë baraspeshe. “Gjendja e luftës, inflacioni në rritje, ulja e ndjeshmërisë ekonomike, pasiguria e përgjithshme, si dhe ndalesa e shitjes në tregun rus që së bashku më atë ukrainas në vit shiten gati dy milionë makina, sivjet në mënyrë të thellë do të ulin shitjen e veturave të reja në Evropë në raport me vitin 2021. Njëherësh më shumë kompani kanë paralajmëruar edhe tërheqjen e prodhimtarisë dhe shitjeve në tregun rus”, shton më tej Mizo.
Në ndërkohë, lufta në Ukrainë ka ndikuar me të madhe në sektorin gjerman të makinave për shkak të mungesës së auto pjesëve nga furnizuesit ukrainas, duke detyruar prodhuesit e ekonomisë më të madhe evropiane që të ndalin përkohësisht prodhimin.
Para një jave, “Folksvagen” ka anuluar për tri ditë me radhë prodhimin e makinave elektrike në Fabrikën Cvikau dhe qe katër ditë në atë të Dresdenit. Tani, kompania ka vendosur të ndalë krejt prodhimin këtë javë në Fabrikën kryesore në Volfsburg. Një përfaqësues i lartë i kompanisë ka thënë se ky hap radikal është marrë për shkak të ndikimit të luftës në Ukrainë. Ai ka thënë se pasojat po ndihen me të madhe në industrinë e automobilave. Nëse vazhdon gjatë lufta në Ukrainë, atëherë “FaVe-ja” do të mundohet të gjejë furnizues të tjerë në vendet e tjera. Ekonomia gjermane ka ndërvarësi goxha të theksuar nga prodhimet ruse dhe ato ukrainase. Mësymjet ushtarake rus në Ukrainë kanë ndërprerë zinxhirët e furnizimit. Lëvizja e mallrave është e kufizuar dhe prodhimi në fabrikat që furnizojnë koncertet automobilistike me pjesët e nevojshme për montimin e automjeteve është zvogëluar”, njoftoi Shoqata e Prodhuesve gjermanë të Automobilave (VDA). “Ndihma e shpejtë dhe ndërprerja e armiqësive duhet të jenë prioritet, çështjet ekonomike janë tani në plan të dytë”, shtoi presidentja e VDA, Hildegard Miller.
Gjithashtu, gjigantët industrialë si Mercedes, BMV dhe Folksvagen me markat e tyre Porshe dhe Audi, si dhe prodhuesi i kamionëve MAN, tashmë po reduktojnë apo edhe ndalojnë prodhimin sepse u mungojnë të ashtuquajturat “tufa kabllosh”. Bëhet fjalë për komponentë komplekse, një pjesë e mirë e të cilëve prodhohen për secilin model automjeti veç e veç. Ato duhet të jenë të disponueshme në fillim të prodhimit të automjetit, sepse nuk mund të instalohen më vonë. Tufa e kabllove është sistemi elektrik i makinës, apo vendi ku linjat e energjisë dhe transmetimit për sinjalet janë grupuar në një tufë kabllo të përbashkët. Përveç menaxhimit të elektronikës dhe motorit, ai kombinon gjithashtu të gjitha sistemet ndihmëse dhe elektronikën argëtuese. Gjashtë deri në tetë kilometra kabllo janë instaluar në një automjet të vetëm dhe pesha e tyre është më shumë se 60 kilogramë. Përveç Tunizisë, sipas VDA, me këto komponente prodhuesit evropianë furnizohen veçanërisht nga Ukraina. Paketat e kabllove janë komponentë komplekse, kështu që prodhimi nuk mund të transferohet në kompani të tjera në një periudhë të shkurtër kohore dhe as nuk mund të kompensohet në ndonjë mënyrë tjetër. Përveç kësaj, një numër jashtëzakonisht i vogël i tufave kabllore prodhohet paraprakisht dhe mund të magazinohet.
Nga ana tjetër, edhe stabiliteti i ekonomisë gjermane apo shenjat për dobësimin e tij ndikojnë në mundësinë e uljes së eksportit të Maqedonisë në Gjermani që vitin e kaluar arriti shifrën prej 3.2 miliardë euro duke u rritur për gati 500 milionë euro në raport me vitin 2020 kur ishte i vlefshëm afër 2.7 miliardë euro. “Efektet ekonomike të luftës në Ukrainë nuk mund të përcaktohen në këtë moment dhe në këtë kohë,” kumtoi të mërkurën Ministria Federale e Ekonomisë. Gjendja varet “fuqishëm nga kohëzgjatja dhe intensiteti i konfliktit”. Në vlerësimin e situatës ekonomike në Gjermani në mars, ministri gjerman për Çështjet Ekonomike, Robert Habek theksoi se kishte pasur “rritje ekstreme të çmimeve për energjinë dhe lëndët e para”, që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë. Flukset tregtare dhe pengesat në zinxhirin e furnizimit janë po ashtu “të prekura rëndë”. Pasiguria për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik mbetet e lartë.
Por kreu i Bundesbank, Joaçhim Nagel nuk pret ende ndonjë përzierje serioze të plogështisë ekonomike dhe inflacionit të lartë në Gjermani. “Unë nuk pres stanflacion (stanjacion dhe inflacion) për momentin, edhe nëse efektet e luftës do të rrisin normën e inflacionit dhe do të dobësojnë rritjen ekonomike,” tha Nagel për gazetën Handelsblatt, në një intervistë të botuar të mërkurën. Në tregun e punës situata është e tensionuar, por ky është një problem i parashikueshëm në Gjermani, për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar. “Megjithatë aktualisht nuk kemi asnjë shenjë të një spiraleje paga-çmime”, tha kryebankieri. “Ne vazhdojmë të presim një rritje ekonomike në vend – ndoshta ajo vetëm do të vonohet”, shtoi ai. (koha.mk)