Përderisa fati i ushtarëve shqiptarë, banor të Republikës së Maqedonisë, deri-diku pati një zgjidhje fatlume, kjo çështje ngeli edhe më tej e hapur për ushtarët shqiptarë të Kosovës, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi. Droja për fatin e tyre u shtua edhe më shumë në momentin kur policia ushtarake kreu arrestimin e dy grupeve të ushtarëve shqiptarë (grupi i parë prej 30 vetash në Sarajevë dhe grupi i dytë prej 130 vetash në aeroportin e Shkupit).
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Menjëherë pas kësaj urdhërese, doli me komunikatë zyrtare, Sekretariati Republikan për Mbrojtje Popullore të Sllovenisë, ku ndër të tjerave thuhej se qytetarët e Sllovenisë, nuk kanë nevojë për mbrojtje plotësuese nga ana e APJ-së, për arsye se: “Mbrojtja territoriale e Republikës së Sllovenisë është një forcë e armatosur legjitime dhe për të nuk vlen Urdhëresa e Kryesisë”. Ndërkohë, me komunikatë doli edhe Këshilli për Mbrojtje Popullore dhe rruajtjen e rregullimit kushtetues të Kroacisë: “Thirrja për çarmatosjen është e arsyeshme. Mirëpo, Kroacia mundet vetë t’i çarmatos grupet e armatosura në Krahinën e Kninit”.
Dy komunikatat e mësipërme, ishin dëshmi e qartë se Sllovenia dhe Kroacia shkonin drejt shpalljes së pavarësisë së tyre, dhe, njëkohësisht shkëputjes nga Federata Jugosllave. Për rrjedhojë, ky aksion u zbatua vetëm në trevat shqiptare, përkatësisht në Kosovë dhe në Maqedoninë Veriperëndimore, të cilat nga ana e Komandës së III të APJ-së me qendër në Shkup, qenë shpallur si “zona krize e të pasigurta”. Kryesia e LDK-ës, përmes një letre dërguar Kryesisë dhe Këshilli Ekzekutiv i RSFJ-ës, shfaqi shqetësimin e saj dhe të mbarë popullit shqiptarë në Kosovë që “aksioni i mbledhjes së armëve të mos merr elemente të një fushate të tmerrshme kundër shqiptarëve, ngjashëm me vitin 1956”. Ndërkohë, në konferencën e rregullt për shtyp të LDK-ës, e cila u mbajt më 26 janar 1991 në Prishtinë, nënkryetari, Fehmi Agani, u shpreh: “…Bisedimet e filluara për fatin e Jugosllavisë u hodhën poshtë me urdhëresën e Kryesisë së RSFJ-ës për çarmatimin e formacioneve jashtë ushtarake dhe me kërcënimet e kreut ushtarak jugosllav. Aksioni për çarmatimin, paraqet tentim të hapur të presionit për t’u imponuar njëri nga opsionet për rregullimin e Jugosllavisë. Ky aksion ka karakter të kundërt me proklamimet e Kryesisë së RSFJ-ës për zgjidhjen demokratike të problemit të rirregullimit të Jugosllavisë…”.
Në këto rrethana, vrasjet e ushtarëve shqiptarë tashmë ishte bërë një dukuri e përditshme. Nënkryetari i KMDLNJ-ës në Prishtinë, Dr. Zekiria Cana, në konferencën për shtyp që e mbajti më 19 janar 1991, gazetarëve të pranishëm ua dorëzoi listën e pakompletuar prej 52 ushtarëve shqiptarë të vrarë nga viti 1981 e deri në atë moment. Siguria e ushtarëve shqiptarë u përkeqësua edhe më shumë, me shpërthimin e luftës, fillimisht në Slloveni e më pas edhe në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. Situata e krijuar e detyroi Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe partitë tjera shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës e në Mal të Zi, që të dalin me apel që të rinjtë shqiptarë “mos të shërbejnë në APJ”.
Ndërkohë, pas vrasjes së një ushtarit maqedonas, Sasho Geshoski, që ndodhi më 6 maj 1991 në Split, reagime kundër APJ-së u shfaqën edhe nga partitë politike maqedonase, në radhë të parë nga VMRO-DPMNE. Pikërisht me nismën e kësaj partie, Kuvendi i Republikës Socialiste të Maqedonisë thirri mbledhje urgjente me një pikë të rendit të ditës: “Gjendja politike dhe e sigurisë në RS të Maqedonisë dhe në RSF të Jugosllavisë”. Në këtë mbledhje, e cila u mbajt më 9 -10 maj 1991, u sollën konkluzione në lidhje me gjendjen e pasigurisë të ushtarëve në APJ, ku në pikën tetë të tyre thuhej shprehimisht: “Ngarkohet Qeveria e RSM-ës që nga Sekretariati Federativ për Mbrojtje Popullore dhe Shtabi i Përgjithshëm e ARM-ës të kërkoj verifikimin e fakteve për dërgimin eventual të numrit më të madh të ushtarëve nga Maqedonia për shkak mungesës së plotësimit të APJ-së nga republikat tjera. Nëse konstatohet se ekzistojnë raste të tilla, të ndërpritet menjëherë me atë praktikë e cila e vë në pikëpyetje karakterin jugosllavë të APJ-së dhe të sigurohet përfaqësim proporcional të obliguesve të APJ-së nga të gjitha republikat. Gjithashtu, Qeveria nga Ministria për Mbrojtje Popullore të kërkoj të bëj verifikimin se a janë të vërteta njohuritë se në njësi të caktuara në APJ-së, në zonat e krizës, pjesëtarët e APJ-së nga Maqedonia janë përfshi me përqindje më të madhe se sa ushtarët nga republikat tjera…”.
Pas këtyre konkluzioneve u vërejt qartazi njëanshmëria e udhëheqjes politike maqedonase, kur bëhej fjalë për fatin e ushtarëve në APJ nga kjo republikë. Ndaj këtij qëndrimi të padrejtë, reagoi sekretari i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD-ë), Mit’hat Emini, i cili në konferencën për shtyp të mbajtur më 16 korrik 1991 në Tetovë, ndër të tjerave tha: “…Maqedonia, pas ngjarjeve në Slloveni, nuk tregoi interes të njëjtë ndaj ushtarëve. Vazhdimisht potencohen ushtarët maqedonas, thuajse nga kjo republikë nuk pati edhe ushtarë nga nacionalitetet tjera. Duhet të dihet se këta ushtarë jomaqedonas kanë nënat e tyre dhe janë të nevojshëm për Maqedoninë…”.
Paraprakisht, me nismën e Forumit të Gruas Shqiptare pranë PPD-së, më 12 korrik të vitit 1991 para Kuvendit të RSM-ës, u organizua një tubim protestues të grave dhe nënave shqiptare, djemtë e të cilave ishin ushtarë në APJ. “Nuk kemi djem për pazarllëqet e të tjerëve!”, ishte njëra nga porositë drejtuar organeve republikane të grave shqiptare, nga takimi me udhëheqësit e lartë republikan. Ato nuk u pranuan nga kryetari i Republikës, Kiro Gligorov, e as nga kryetari i Kuvendit, Stojan Andov, por vetëm nga nënkryetari i Kuvendit, Tito Petkovski dhe ministri i Mbrojtjes Popullore, Risto Damjanovski. Në atë protestë, nënat shqiptare i shtruan gjithsej shtatë kërkesa, të cilat i lexoi Gjylimsere Kasapi, kryetare e Forumit të Gruas Shqiptare pranë PPD-ës: “Të kthehen menjëherë të gjithë ushtarët nga Maqedonia që shërbimin e kryejnë në mbarë territorin e Jugosllavisë; garancë me shkrim nga organet republikane se bijtë e tyre do të kthehen nga zonat e luftës, se nuk do të dënohen dhe keqtrajtohen; derisa nuk zgjidhet çështja shqiptare në Jugosllavi, të gjithë të rinjtë shqiptarë shërbimin ushtarak ta kryejnë në Maqedoni; rekrutimi të bëhet njësoj si për shqiptarët, ashtu edhe për maqedonasit dhe të tjerët, e jo të lejohet që nga e njëjta familje, të rekrutohen nga disa ushtarë shqiptarë; ushtarët shqiptarë të mos kenë trajtim të posaçëm në armatë dhe të mos mbahen dosjet e veçanta që krijohen nga bisedat e ndryshme informative; nënat shqiptare shprehin revoltën e tyre kundër mobilizimit të rezervistëve nga Maqedonia, në mënyrë që ata të mos shfrytëzohen për qëllime të errëta nacional-shoviniste në pjesët tjera të Jugosllavisë, dhe së fundi: gratë dhe nënat shqiptare, ia bëjnë me dije pushtetit se do të lindin dhe do të rrisin djem vetëm për një armatë, e cila do ta siguronte paqen, mirëqenien dhe lirinë që do ta gëzojnë të gjithë njësoj…”.
Tre ditë më vonë, përkatësisht më 15 korrik 1991, nën organizimin e Forumit të Gruas së LDK-ës, në Prishtinë u mbajt edhe manifestimi i nënave shqiptare nga Kosova, në mbrojtje të djemve të tyre, të cilët pa dëshirën dhe vullnetin e tyre ishin dërguar në frontin e luftës në Slloveni. Pas këtij manifestimi protestues, në të cilin morën pjesë mbi 20 mijë nëna shqiptare, Forumi Demokratik i Grave të Kosovës dhe këshilli i prindërve të ushtarëve, të cilët gjendeshin në shërbimin ushtarak në APJ, i dërguan një protestë Kryesisë së RSFJ-ës dhe Sekretariatit Federativ për Mbrojtjen Popullore, në të cilën midis tjerash thuhej: “…Ne jemi me të gjitha nënat që kërkojnë fëmijët tanë të mos i kthejnë pushkën njëri tjetrit. Protestojmë dhe kërkojmë që fëmijët tanë të mos keqpërdoren për qëllime të politikës së ditës, kurse jemi të brengosura për fatin e 500 ushtarëve shqiptarë, të cilët në Slloveni presin që organet jugosllave të pushtetit t’u japin garanci me shkrim…”. Po nga ana e këtij forumi, iu dërgua një ftesë nënave sllovene, kroate, boshnjake etj., fëmijët e të cilave ishin ushtarë në Kosovë: “…Ne, nënat shqiptare, tani më 10 vjet po i presim bijtë tanë në arkivolet e blombuara që na kthehen nga armata. Djemve tanë nuk u mbollëm urrejtje që të shtypin e vrasin popujt që duan të jetojnë të lirë. Duke dashur t’u dalim në ndihmë, ju bëjmë ftesë nënave sllovene, kroate, myslimane e nënave tjera liridashëse, bijtë e të cilave kryejnë shërbimin ushtarak në Kosovë, le të vijnë t’i shohin fëmijët e tyre…Pasi hotelet kosovare janë plotë milicë dhe mund të kenë probleme rreth vendosjes, ne i ftojmë në shtëpitë tona të varfra…”, thuhej ndër të tjerave në ftesën e Forumit të Gruas së LDK-ës, të nënshkruar nga Flora Brovina.
Pas ndërprerjes së luftimeve në Slloveni dhe tërheqjes së APJ-së nga ajo ish republikë jugosllave, zhvillimet luftarake fillimisht u përshkallëzuan në Kroaci e më pas edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Njësitë e APJ-së, në bashkëveprim me formacionet e shumta çetnike serbe, pasi pushtuan një pjesë të madhe të territorit të Kroacisë, zbatuan dhunë dhe terror të paparë ndonjëherë ndaj popullsisë civile kroate. Si rrjedhojë e kësaj politike të dhunshme, Bashkimi Evropian, në mbledhjen e jashtëzakonshme e cila u mbajt më 27 gusht 1991 në Bruksel, miratoi Deklaratën për Jugosllavinë, me të cilën BE-ja e konsideronte si të papranueshme ndryshimin me forcë të kufijve, siç pretendonin ta bënin në Kroaci formacionet e parregullta serbe dhe ato të APJ-së: “…Është tërësisht e gabueshme, theksohej në Deklaratë, politika e formacioneve të parregullta serbe që përpiqen problemet t’i zgjidhin…me mjete ushtarake. Brengosje edhe më e madhe është ajo se tashmë nuk mund të kontestohet se elemente nga APJ i japin mbështetje aktive palës serbe. Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare e ftojnë Kryesinë e RSFJ-ës që menjëherë ta ndërpret këtë përdorim joligjitim nga ana e forcave të cilat janë nën komandën e saj. BE-ja dhe shtetet e tij anëtare nuk do ta pranojnë asnjëherë politikën e aktit të kryer. Ata janë të vendosur të mos e pranojnë ndryshimin e kufijve me forcë dhe do t’i nxisin edhe të tjerët ta bëjnë të njëjtën…”.
Për fatin tonë të keq në këto luftime kroato-serbe u viktimizuan shumë ushtarë shqiptarë. Gazeta në gjuhën shqipe “Flaka e Vëllazërimit”, në vazhdimësi njoftonte për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në vatrat e Luftës në Kroaci. Pikërisht vrasjet e shumta të ushtarëve shqiptarë qe shkas që një delegacion i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut të qëndroj për disa ditë në Kosovë dhe në Maqedoni. Delegacioni vizitoi një numër të madh të familjarëve të ushtarëve të vrarë, me ç’rast, për të satën herë konstatoi për shkallën alarmante të shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve.
Me kërkesë të prindërve të ushtarëve nga Maqedonia, të cilët gjendeshin në APJ, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 22 dhe 23 gusht 1991 mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, me ç’rast miratoi disa konkluzione, me të cilat ngarkohej Qeveria e Republikës së Maqedonisë “që të ndërmerr masa për kthimin e ushtarëve nga APJ” të cilëve u kishte përfunduar afati ushtarak. Konkluzionet, njëkohësisht e obligonin edhe anëtarin e Kryesisë së RSFJ-ës nga Republika e Maqedonisë, Vasil Tupurkovskin “që të angazhohet në Kryesi për kthimin e ushtarëve nga APJ…”. Për fatin e ushtarëve nga Maqedonia, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë debatoi edhe në mbledhjen e vet të XXIII, punimet e së cilës u zhvilluan më 17 shtator 1991, në të cilën u miratuan mendimet dhe qëndrimet e Këshillit për çështje të mbrojtjes popullore, ku thuhej tekstualisht: “Rekrutët nga Republika e Maqedonisë të mos dërgohen në APJ derisa nuk ndërpriten luftimet në Jugosllavi, ushtarët nga republika të cilët janë zhvendosur në pjesë tjera të Jugosllavisë, shërbimin ushtarak ta kryejnë në Maqedoni, obliguesit ushtarak rezervë nga republika deri në ndërprerjen e veprimeve luftarake në Jugosllavi të mos ftohen në stërvitje dhe në aktivitete tjera ushtarake”.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, në informatën 3 tetorit 1991, vlerësonte se kërcënimet kryesore për stabilitetin e gjendjes së sigurisë, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetit territorial të asaj republike, si dhe për paqen, sigurinë personale e pronësore të qytetarëve burojnë nga aktiviteti i APJ-së. “…Ngjarjet e fundit në vend, theksonte Informata e MPB-së, si dhe sjelljet e APJ-së në përleshjet e armatosura në Kroaci dhe BeH, në mënyrë të qartë nxjerrin në pah se APJ në mënyrë të hapur po legjitimohet si eksponent të politikës hegjemoniste serbomadhe për krijimin e të ashtuquajturës ‘Serbi të Madhe’, ndërsa udhëheqja e saj e shtrembëron pozitën kushtetuese të armatës dhe vepron jashtë kontrollit të pushtetit të tij…”. Nisur nga kjo, MPJ i propozonte Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, që me procedurë të përshpejtuar të përgatiten dhe të miratohen të gjitha aktet dhe nënaktet ligjore që u përkasin aspektit ushtarak e të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, si dhe ato për “formimin e forcave të armatosura…etj”.
Përderisa fati i ushtarëve shqiptarë, banor të Republikës së Maqedonisë, deri-diku pati një zgjidhje fatlume, kjo çështje ngeli edhe më tej e hapur për ushtarët shqiptarë të Kosovës, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi. Droja për fatin e tyre u shtua edhe më shumë në momentin kur policia ushtarake kreu arrestimin e dy grupeve të ushtarëve shqiptarë (grupi i parë prej 30 vetash në Sarajevë dhe grupi i dytë prej 130 vetash në aeroportin e Shkupit). Menjëherë pas këtyre dy rasteve, një delegacion i Kosovës në përbërje: Skënder Skënderi, Ali Aliu dhe Isak Ramadani, arriti marrëveshje me Qeverinë e Sllovenisë për strehimin e ushtarëve shqiptarë në Slloveni. Për rrjedhojë u formua Këshilli për strehim, me ç’rast Qeveria sllovene mori përsipër sigurimin e objektit, ndërsa pala shqiptare ushqimin dhe veshmbathjen. Kah mesi i dhjetorit të vitit 1991, senatori i SHBA-ve, Robert Dol, i dërgoi një letër të dërguarit të OKB-ës në Jugosllavi, Sajrus Vens, përmes së cilës ai ia bën me dije se “është shumë e arsyeshme” që në Kosovë të dërgohen forcat paqësore, pasi sipas tij, ekzistonte mundësia reale që konflikti të shpërthente edhe në Kosovën e okupuar. Po në këtë periudhë kohore, një delegacion i Forumit të gruas pranë LDK-ës zhvilloi takime në disa vende të Evropës Perëndimore, me ç’rast delegacioni bëri përpjekje për ndërkombëtarizimin e çështjes së ushtarëve të ikur shqiptarë nga fronti i luftës serbo-kroate…”.
Në përmbyllje të këtij punimi po e paraqesim listën prej 59 ushtarëve shqiptarë, të vrarë në harkun kohor 1991-1993, ku siç do të shohim, 54 prej tyre u vranë gjatë vitit 1991, dy gjatë vitit 1992 dhe 3 gjatë vitit 1993.
Lista e ushtarëve shqiptarë, të vrarë në armatën jugosllave (1991-1993)
- Xhevdet Pomaku (1970), Brod, Dragash, është vra në vitin 1991;
- Agim Sali Gllareva (1971), Vërboc, Drenas, është vra në vitin 1991;
- Lulzim Faik Rexhepi (1969), Zabel i Epërm, Drenas, është vra në vitin 1991;
- Tahir Azem Gashi (1971), Vërboc, Drenas, është vra në vitin 1991;
- Ali Nazif Sahiti (1971), Komogllavë, Ferizaj, është vra në vitin 1991;
- Muharrem Faik Muharremi (1971), Fshati i Vjetër, Ferizaj, është vra në vitin 1991;
- Sherif Islam Kashtanjeva (1970), Nerodime, Ferizaj, është vra në vitin 1991;
- Abedin Sabit Krasniqi (1970), Bardh i Madh, Fushë Kosovë, është vra në vitin 1991;
- Ejup Esat Gashi (1970), Bardh i Madh, Fushë Kosovë, është vra në vitin 1991;
- Setar Mustafë Ramadani (1971), Osek Hilë, Gjakovë, është vra në vitin 1991;
- Vesel Dan Duraku (1972), Demjan, Gjakovë, është vra në vitin 1991;
- Fadil Xhabir Saliu (1971), Livoq, Gjilan, është vra në vitin 1991;
- Elez Bajram Hasipi (1970), Vrapçishtë, Gostivar, është vra në vitin 1991;
- Taip Aliu, Forinë (1972), Gostivar, është vra në vitin 1991;
- Abedin Ali Buleshkaj (1969), Buleshkaj, Istog, është vra në vitin 1991;
- Enver Sali Maksutaj (1970), Orrebërdë, Istog, është vra në vitin 1991;
- Selman Shpend Metaj (1971), Shushicë, Istog, është vra në vitin 1991;
- Izet Sadri Bushi (1971), Pustenik, Kaçanik, është vra në vitin 1991;
- Florim Adem Kosumi (1971), Tuxhec, Kamenicë, është vra në vitin 1991;
- Muhamed Raif Biçku (1971), Hogosht, Kamenicë, është vra në vitin 1991;
- Muhamed Mehmed Robelli (1971), Laqiç, Kamenicë, është vra në vitin 1991;
- Mursel Kasum Xhambazi (1971), Cërvicë, Kërçovë, është vra në vitin 1991;
- Haki Dinë Morina (1970), Gllarevë, Klinë, është vra në vitin 1991;
- Nexhmedin Osmani (1971), Kosovë…, është vra në vitin 1991;
- Afrim Zylfiu (1970), Kumanovë, është vra në vitin 1991;
- Ejup Sabri Berdolli (1971), Çallapek, Lipjan, është vra në vitin 1991;
- Samedin Fazli Krasniqi (1963), Tërpezë, Malishevë, është vra në vitin 1991;
- Raif Jetullah Miftari (1962), Kapit, Medvegjë, është vra në vitin 1991;
- Shaban Bajram Bajrami (1968), Kapit, Medvegjë, është vra në vitin 1991;
- Burim Sherif Behrami (1972), Mitrovicë, është vra në vitin 1991;
- Rasim Ragip Istrefi (1963), Kovaçicë, Mitrovicë, është vra në vitin 1991;
- Xhevdet Zeqir Muzliukaj (1971), Shipol, Mitrovicë, është vra në vitin 1991;
- Mirsad Çekiq (1970), Pejë, është vra në vitin 1991;
- Afrim Bahtir Hyseni (1970), Lumbardh (Velikorekë), Podujevë, është vra në vitin 1991;
- Rexhep Zijadin Ahmeti (1972), Dobratin, Podujevë, është vra në vitin 1991;
- Shaip Salih Behrami (1971), Pakashticë, Podujevë, është vra në vitin 1991;
- Fatmir Nezir Krasniqi (1967), Prishtinë, është vra në vitin 1991;
- Shukri Habib Kelani (1971), Prishtinë, është vra në vitin 1991;
- Skender Demë Kryeziu (1969), Capar, Prizren, është vra në vitin 1991;
- Xhiman Alia (1971), Skrobishtë, Prizren, është vra në vitin 1991;
- Bashkim Selim Krasniqi (1972), Qifilak, Rahovec, është vra në vitin 1991;
- Elmi Sejdi Popaj (1971), Bellacërk, Rahovec, është vra në vitin 1991;
- Vesel Muhamed Gashi (1970), Studentqan, Suharekë, është vra në vitin 1991;
- Ilaz Fazliu (1970), Pallaticë,Tetovë, është vra në vitin 1991;
- Numan Rexhepi (1971), Lisec, Tetovë, është vra në vitin 1991;
- Selajdin Rizvani (1971), Reçicë, Tetovë, është vra në vitin 1991;
- Fahrush Emrush Emini (1971), Zhiti, Viti, është vra në vitin 1991;
- Mumin Hafiz Shkodra (1970), Sadovinë e Çerkezve, Viti, është vra në vitin 1991;
- Samet Eset Bugijevci (1967), Pozharan, Viti, është vra në vitin 1991;
- Bedri Elezi (1969), Dobrosht, Tetovë, është vra në vitin 1991;
- Zadin Sabiti (1968), Llaskarcë, Shkup, është vra në vitin 1991;
- Ferat Beqiri (-), Zhelinë, Tetovë, është vra në vitin 1991;
- Nexhmedin Osmani (1971), Sullare e Poshtme, Shkup, është vra në vitin 1991;
- Nusret Ruzhdi Kamberi (1971), Studeniçan, Shkup, është vranë vitin 1991;
- Ali Sinan Rrustemi (1972), Reznik, Vushtrri, është vra në vitin 1992;
- Gëzim Sefer Hasani (1971), Strofc, Vushtrri, është vra në vitin 1992;
- Isuf Ajet Krasniqi (1965), Gllobar, Drenas, është vra në vitin 1993;
- Sefer Bislim Çukofci (1976), Cërnillë, Ferizaj, është vra në vitin 1993;
- Enver Ali Aliaj (1969), Sallagrazdë, Suharekë, është vra në vitin 1993.
(fund)