Raporti theksonte se Pakistani ishte kyç: jo vetëm ushtria pakistaneze (veçanërisht, dega e zbulimit ISI) e toleronte praninë e shtabit qendror dhe udhëheqësve të talebanëve në Kueta, pranë kufirit pakistanezo-afgan, por, në qetësi, edhe i ndihmonte talebanët, si një mjet për të mbajtur qeverinë afgane të dobët, për të parandaluar një aleancë të mundshme të Kabulit me armikun e përjetshëm të Pakistanit, Indinë. Fakti që qeveria amerikane e kishte toleruar, prej shumë kohësh, këtë sjellje të një të ashtuquajtur aleat – duke e mbështetur me miliarda dollarë ndihma ushtarake
Pjesë e shkëputur nga libri i Obamës “Tokë e Premtuar”
Është në mandatin e tij të parë si president. Barack Obama rrëfen në librin e tij jo vetëm pranimin e dështimit të luftës në Irak, por ndërsa rrëfen dialogje dhe reflektime nga njerëzit e stafit të tij, por edhe bashkëpunëtorët e shërbimit të inteligjencës amerikane, tregon sesi Afganistani sot është parandjerë që para një dekade. A e ka çuar në fund Pakistani qëllimin e vet me Afganistanin? Shumëçka mund të ketë ndryshuar në këto vite, por lexo këtë rrëfim nga presidenti me dy mandate Barack Obama:
Nga anëtarët kryesorë të Këshillit, vetëm Xho Bajdeni shprehur mosbesimin e tij. Ai kishte udhëtuar në Kabul, në emrin tim, gjatë periudhës së ndërrimit të administratave, dhe ajo që kishte parë e dëgjuar – veçanërisht gjatë një takimi të tensionuar me Karzain – e kishte bindur plotësisht se ne duhet ta rishikonim rrënjësisht qasjen tonë ndaj Afganistanit. E dija që Xhoi ende ndihej keq, ngaqë kishte përkrahur më parë pushtimin e Irakut. Cilatdo të ishin arsyet e tij, ai e shikonte Afganistanin si një moçal të rrezikshëm dhe më nxiste që ta shtyja dërgimin e trupave atje, sepse do të ishte më e lehtë të dërgonim trupat sasi të kishim një strategji të qartë, sesa të detyrosheshim t’i tërhiqnim ato pasi e kishim bërë zullumin në bazë të një strategjie të gabuar.
Në vend që ta merrja vendimin aty, në atë mbledhje, ngarkoma Tom Dilonin të mblidhte ndihmësit e anëtarëve të Këshillit në javën në vazhdim, për të përcaktuar më saktë se sa trupa shtesë duheshin dhe nëse dërgimi i tyre atë verë ishte i mundur nga ana logjistike. Do t’i riktheheshim këtij diskutimi, pasi të kishim përgjigjet për këto pyetje. Mbylla mbledhjen, dola dhe po ngjitja shkallët për në Zyrën Ovale, kur më arriti Xhoi dhe më kapi nga krahu.
– Më dëgjo, shef! – tha ai – Mbasa kam ardhur rrotull në këtë qytet prej shumë kohësh, por di të dalloj mirë kur këta gjeneralë duan të zënë ngushtë një president të ri. – Ai e afroi fytyrën tek unë dhe më pëshpëriti: – Mos i lejo të të qorrollepsin!
****
Raporti theksonte se Pakistani ishte kyç: jo vetëm ushtria pakistaneze (veçanërisht, dega e zbulimit ISI) e toleronte praninë e shtabit qendror dhe udhëheqësve të talebanëve në Kueta, pranë kufirit pakistanezo-afgan, por, në qetësi, edhe i ndihmonte talebanët, si një mjet për të mbajtur qeverinë afgane të dobët, për të parandaluar një aleancë të mundshme të Kabulit me armikun e përjetshëm të Pakistanit, Indinë. Fakti që qeveria amerikane e kishte toleruar, prej shumë kohësh, këtë sjellje të një të ashtuquajtur aleat – duke e mbështetur me miliarda dollarë ndihma ushtarake dhe ekonomike, pavarësisht bashkëfajësisë me ekstremistë të dhunshëm dhe të dhënave që Pakistani qe një përhapës i rëndësishëm dhe i papërgjegjshëm i teknologjisë për armët bërthamore – tregonte për një logjikë lesh e li të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Për një afat të shkurtër, të paktën, ndërprerja e menjëhershme e ndihmave ushtarake për Pakistanin nuk ishte aspak e mundur, sepse jo vetëm që ne kishim nevojë për rrjetin rrugor tokësor në Pakistan për të dërguar furnizimet për operacionet tona në Afganistan, por edhe se qeveria e Pakistanit, në heshtje, na i lejonte operacionet antiterror kundër kampeve të Al-Kaedës në territorin e vendit të saj. Raporti i Ridelit e nxirrte shumë qartë një gjë: Nëse Pakistani nuk ndalonte së strehuari talebanët, përpjekjet tona për stabilitet afatgjatë në Afganistan ishin të destinuara të dështonin.
Pjesa tjetër e rekomandimeve të raportit përqendrohej në forcimin e kapaciteteve. Ne duhej të përmirësonim ndjeshëm aftësitë e qeverisë së Karzait për të qeverisur dhe për të ofruar shërbime bazike. Duhet të forconim kapacitetet e ushtrisë dhe të policisë afgane, në mënyrë që të ishin të afta dhe të mjaftueshme në numër për ruajtur rendin brenda kufijve të vendit, pa ndihmën e forcave ushtarake amerikane. Sesi do ta bënim konkretisht këtë, mbetej ende e mjegullt. Aman, ajo që dihej qartë ishte se angazhimi i Shteteve të Bashkuar që kërkohej në raportin e Ridelit, shkonte përtej një strategjie të thjeshtë kundër terrorizmit dhe ngjante më shumë me një formë të ndërtimit të një vendi nga e para, që ndoshta do të kishte patur kuptim nëse do ta kishim filluar atë ndërhyrje shtatë vjet më parë, në kohën kur i shporrëm talebanët nga Kabuli.
Sigurisht, nuk e kishim bërë atë. Përkundrazi, ne pushtuam Irakun, e shkatërruam atë vend, ndihmuan të lindte një degë e re, edhe më e dhunshme, e Al-Kaedë dhe u detyruam të sajojmë aty për aty një fushatë kundër rebelimit, me një kosto të papërfytyrueshme. Për sa i takonte Afganistanit, ato vite i kishim humbur. Falë përpjekjeve të vazhdueshme shpesh edhe të guximshme të trupave tona, të diplomatëve dhe punonjësve të ndihmës ndërkombëtare në terren, do të ishte e tepërt të thosha se ne duhet na nisnim nga hiçi në Afganistan. Megjithatë, e kuptova se, edhe në rastin më të mirë – nëse Karzai bashkëpunonte, nëse Pakistani sillej siç duhej dhe qëllimet tona kufizoheshin në atë që Gejtsi e quante “një Afganistan mjaftueshëm të mirë” – neve do të na duheshin tre deri në pesë vjet përpjekje të fuqishme, qindra miliarda dollarë dhe më shumë jetë amerikanësh.