Kur një urë ra në Kalkuta, duke vrarë me dhjetëra persona dy muaj më parë, pakënaqësia e indianëve në fillim ishte me kompanitë problematike të ndërtimit dhe materialin jashtë standardeve të përdorur. Por gjithçka u harrua kur një biznesmen i pasur, Motilal Oswal, krijoi një rrëmujë të vërtetë në “Twitter”, kur shkroi se faji për këtë aksident u takonte inxhinierëve të vendit, të cilët janë shkolluar jo falë talentit të tyre, por për shkak të kuotave të vendosura nga qeveria për grupet e kastave të ulëta. Kjo temë është një nga më të nxehtat në Indi dhe vazhdimisht ngjall debate. Statusi i tij u ripostua nga shumë indianë, të cilët janë kundër kuotave të veçanta në universitete apo administratën publike, të krijuara nga shteti për grupet që kanë hasur më parë diskriminim në vend. Por deklarata e tij pati një reagim të fortë në “Twitter” nga ata që në Indi quhen dalit ose të paprekshmit, siç njihen në sistemin e vjetër dhe të ngurtë të kastave në Indi që funksionon prej shumë shekujsh. Brenda pak orësh, Oswal e fshiu mesazhin dhe u detyrua që të kërkonte falje.
Ashtu si në vendet e tjera, edhe në Indi, tani dalitët, të cilët kanë profile me shumë ndjekës në “Twitter”, po i përdorin ato për të treguar muskujt dhe për të luftuar padrejtësitë. Ata ngrenë çështje paragjykimi, brutaliteti dhe fanatizmi që, sipas tyre, media indiane e kontrolluar nga shtresa e lartë e vendit nuk i publikon. Dalitët nisën një fushatë të ashpër në “Twitter” me hashtagun #BoycottMotilalOswal (#bojkotoniMotilalOswal) dhe u kërkuan ndjekësve që ta denonconin për paragjykim kaste. Ata specifikuan se kompania që e bëri urën nuk kishte vendosur kuota për inxhinierët nga kastat e ulëta. Ata shtuan se vendet bosh në universitete dhe qeveri janë e drejtë e fituar nga kushtetuta e vendit. “’Twitteri’ i ka dhënë një gjuhë dhe energji të re lëvizjes dalit kundër sistemit të kastave në Indi”, tha Pradeep, që menaxhon adresën Ambedkar Caravan. Ai përdor vetëm një emër, pasi mbiemrat në Indi zakonisht tregojnë kastën nga vjen një person. Kastat e ulëta indiane prej kohësh janë margjinalizuar nga shtresat më të larta. Shumica e dalitëve rraskapiten në ferma, nuk kanë të drejtë pronësie dhe nuk mund të përdorin pompat e ujit të komunitetit. Për më tepër që ata jetojnë në fshatra të veçuara dhe bëjnë punë të rëndomta. Martesa e një anëtari të një kaste më të lartë me një dalit shikohet me përbuzje, madje në disa fshatra mund të rezultojë fatale. Shumë dalitë janë të varfër për të pasur smartfonë apo akses në internet. Më shumë se gjashtë dekada të politikave përkrahëse ndaj personave të diskriminuar kanë krijuar një klasë të mesme dalitësh të vegjël, por mjaft të zëshme, e të përbërë nga burokratë, doktorë, politikanë dhe inxhinierë. Së fundmi, kjo kastë detyroi një kompani të madhe indiane që prodhon freskues tavani të hiqte një reklamë që e paraqiste të drejtën për kuotë të grupeve të diskriminuara si diçka të keqe. Reklama tregonte për një student të shtresës së ulët, që refuzonte të përfitonte nga kuotat për grupe të veçanta. Rreth 22 milionë indianë e përdorin “Twitter”-in, por numri sa vjen edhe rritet. Shumë politikanë, përfshirë edhe Kryeministrin Narendra Modi, cicërojnë rregullisht.
Partitë politike kanë ushtri të mëdha që propagandojnë pikëpamjet e tyre apo tallin rivalët. Komunitetet e përdorin për të përkrahur dhe për të kritikuar historitë që media mbulon. Në Indi, kastat e ulëta ankohen se media zotërohet nga kastat mbi mesatare, të cilat injorojnë problemet e tyre. Për këtë arsye, përdorimi i “Twitter”-it ka nisur të përhapet shumë te dalitët. Profilet e zotëruara nga anëtarë të grupit dalit kanë qenë burim informacioni për gazetarët indianë për çështje të caktuara. Kjo, sepse përdoruesit aty postojnë video, fotografi dhe informacionet e freskëta për çështje serioze, që kanë të bëjnë me kastën e tyre. Gjërat mund të ndryshojnë. Muajin e kaluar u publikua një portal lajmesh i quajtur thenewsminute.com, që raporton në anglisht dhe menaxhon seritë mujore të historisë dalite në lidhje me diskriminimin e kastave, poezinë dhe artin e dalë nga ky komunitet. Kryeredaktori i uebit, Dhanya Rajendran, thotë se këto histori nuk gjejnë vend në media, sepse ka një hamendësim se audienca është e kastës mbi mesataren dhe urbane. Por lexuesit e akuzuan portalin se po e ndan shoqërinë indiane në kasta, duke publikuar shkrimet. Dalitët thonë se ata tallen dhe ofendohen në “Twitter” nga shumë persona të tjerë. “Kjo tregon se një mënyrë e tillë të vepruari po funksionon”, tha Soundararajan, që është e njohur për ndjekësit e saj të shumtë me profilin “Dalit Diva”. “Ata janë të frikësuar për fuqinë në rritje të ‘Twitter’-it dalit”.