Sistemi për pengimin e korrupsionit në furnizimet publike akoma është jofunksional, ka mungesë të bashkëpunimit të ndërsjellë institucional, si dhe numër shumë të ulët të ankesave të dorëzuara nga ana e firmave. Sistemi i vjetër dhe aq i kritikuar për furnizime publike akoma është në fuqi, madje edhe një vit e gjysmë pas ndërrimit të pushtetit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 dhjetor – Sistemi akoma jofunksional për pengimin e korrupsionit në furnizimet publike, mungesa e bashkëpunimit të ndërsjellë institucional dhe numri shumë i ulët i ankesave të dorëzuara nga ana e firmave për parregullsitë përgjatë tenderave prej vetëm 3 për qind… janë disa nga veçoritë e sistemit të furnizimeve publike në vitin 2017 dhe 2018, që shumë ngadalë po reformohet, vlerësojnë nga Qendra për Komunikime Qytetare, shkruan gazeta KOHA.
“Një ligj i vetëm nuk mund të zgjidh problemin e korrupsionit, por i njëjti mundet vetëm të ngushtojë rrethin për këtë dukuri negative shoqërore. Fatkeqësisht, tek ne – sistemi i institucioneve të lidhura që e kanë për detyrë të luftojnë në mënyrë efikase korrupsionin, nuk funksionon si duhet. Në praktikë kemi Polici Financiare, Komision për mbrojtjen e konkurrencës, revizorë të brendshëm, sistem i punëtorëve që denoncojnë aktet e korrupsionit brenda institucionit ku punon, megjithatë në zinxhirin e luftës kundër korrupsionit, nuk funksionojnë pjesët e tij përbërëse”, thotë German Fillkov, kryetari i Qendrës për Komunikime Qytetare.
Sipas tij, në Ligjin e ri për furnizime publike janë pranuar një pjesë e madhe e vërejtjeve dhe sugjerimeve të organizatave joqeveritare lidhur me harxhimin e drejtë dhe transparent të të hollave publike, megjithatë siç thotë ai, koha do të tregojë se sa ndryshimet ligjore kundër korrupsionit do të zbatohen në praktikë dhe nuk do të mbeten vetëm në letër.
Ai shton se sistemi i vjetër dhe aq i kritikuar për furnizime publike akoma është në fuqi, madje edhe një vit e gjysmë pas ndërrimit të pushtetit. Me një tempo kaq ngadalshme të reformimit në nivel sistemor kanë mbetur problemet e vjetra, ndërsa në nivel institucional – shumë organe kontraktuese kanë vazhduar me praktikat e vjetra të këqija.
Ligji i ri për furnizimet publike pritet të hyjë në fuqi prej pranverës së vitit 2019, që në fokus do të ketë shpagueshmërinë e asaj që blihet. Vendoset edhe kontrolli edhe masat antikorrupsion. “Megjithatë, kryesorja për zbatimin e tërësishëm të ligjit do të jetë përgatitja e mirë e personave që do të realizojnë furnizimet publike, si dhe përgatitja e akteve nënligjore”, thonë nga Qendra për Komunikime Qytetare.
Në ndërkohë, analizat e kësaj organizate tregojnë se aktualisht, Prokuroria Speciale si duket luan rolin kryesor në luftën kundër korrupsionit në furnizimet publike. Nga 24 lëndë nga kjo prokurori, gjashtë janë për keqpërdorime në furnizimet publike, prej të cilave për tre udhëhiqen procedura gjyqësore, ndërsa për tre të tjera janë sjellë vendime gjyqësore. Për momentin udhëhiqen edhe gjashtë hetime të reja për dyshime të lidhura me keqpërdorimet në pozitës zyrtare gjatë furnizimeve publike.
Njëherazi, në vitin 2018, Prokuroria Publike ka hapur 39 raste, ku janë përfshirë 113 persona për kryerjen e veprës penale gjatë kryerjes së furnizimeve publike. Për dy lëndë janë parashtruar akte të akuzës, ndërsa për gjashtë lëndë është sjellë urdhër për realizimin e procedurës hetimore, ndërsa 31 lëndë janë në procedurë para hetimore.
“Edhe në grupin e institucioneve që duhet të luajnë rolin kryesor në parandalimin e korrupsionit në furnizimet publike është Komisioni Anti Korrupsion. Nëse lëmë anash faktin se ky trup nuk funksionin gati tërë vitit 2018, edhe në të kaluarën ai nuk e ka luajtur rolin e tij në mënyrë të kënaqshme. Në vitin 2017 dhe 2018, ky komision nuk ka dërguar asnjë rast deri tek Prokuroria për ngritjen e mëtejshme të procedurave”, theksohet në analizën e Qendrës për Komunikime Qytetare.
Më tej, në analizë, thuhet se hallkë tjetër e zinxhirit në luftën kundër korrupsionit që nuk funksionon është sistemi i Kontrollit të brendshëm financiar në institucione përfshi edhe revizorët e brendshëm. Enti Shtetëror për Revizion në mënyrë të rregullt i thekson parregullsitë gjatë realizimit të tenderëve, si rezultat i revizioneve të realizuara në institucionet shtetërore. Në vitin 2018, ky institucion ka dorëzuar tek Prokuroria 12 raporte, prej të cilëve, dy janë për shkak të vlerësimit se është kryer vepër penale e shkeljes së Ligjit në furnizimet publike. Për dy lëndë janë parashtruar akuza, për gjashtë lëndë është sjellë vendim për ngritjen e procedurës hetimore, ndërsa 31 lëndë gjenden në procedurë para hetimore.
Gjithashtu, pjesë e luftës kundër korrupsionit në furnizimet publike, por pa ndonjë rol me të rëndësishëm në vitet e fundit, është edhe Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, Policia Financiare dhe Avokati i Popullit.
Ndryshe vlera e tenderave vitet e kaluara shënon ulje në Maqedoni, nga 962 milionë euro në vitin 2016, në 625 milionë euro në vitin 2017. (koha.mk)