Qefser ABDYLI
Shkup, 12 maj – Dukuri e cila vazhdimisht zhvillohet, kurse kahja në të cilën lëviz është drejtuar kah përparimi i teknologjisë. Kështu Policia evropiane (EUROPOL) e përshkruan trendin e abuzimit seksual të fëmijëve, për çka thuhet se kësaj i bashkangjitet edhe përdorimi i gjerë i internetit përmes telefonave celularë, përfshirja e madhe e internetit në vendet e zhvilluara dhe të pazhvilluara, si dhe mundësitë për anonimitet në hapësirën kibernetike, shkruan gazeta KOHA. Kërcënimet kyçe në këtë fushë janë rrjetet, gjegjësisht faqet prej ku mund të arrihet deri te materialet për abuzimin e fëmijëve, të cilat janë të fshehura në të ashtuquajturin “interneti i zi”, gjegjësisht softuer i cili u mundëson anonimitet përdoruesve. Gjithashtu, një nga tendencat më të rrezikshme është transmetimi i drejtpërdrejtë në forma të ndryshme të abuzimit. Kërcënimet e këtilla të cilët i indentifikon EUROPOL këto ditë përsëri janë në qendër të vëmendjes kur është në pyetje siguria e fëmijëve, pas vendimit të parë të gjykatës për aksionin global për keqpërdorim të hapësirës kibernetike. Bëhet fjalë për gjykime për tre administratorë në një nga faqet më të mëdha për abuzim seksual të fëmijëve (“Plejpen”), e cila ka pasur mbi 150 mijë përdorues nga e gjithë bota. Aty mund të kyçen persona nga të gjithë vendet, ndërsa administratorët kanë qenë amerikanë. Tre janë arrestuar në fillim të vitit 2015, me çka është shënuar dhe fillimi i aksionit global “Biberon”. Administratori kryesor, i cili është njëri nga tre të arrestuarit javë më parë është dënuar me burg prej 30 vjet, ndërsa dy të tjerët me nga 20 vjet burg. Në këtë aksion policor, që ka zgjatur rreth dy vite, vetëm në Evropë janë arrestuar apo dënuar 368 persona, ndërsa në nivel global, kjo shifër është pothuajse një mijë. Faqen “Plejpen”, e cila ishte në fokus të operacionit, krijuesit e kanë lansuar në Internetin “e zi” apo “të fshehur”, ndërsa në të mund të kyçen përdorues nga gjithkund, madje edhe nga Maqedonia. Përdoruesit duhet vetëm të antarësohen, gjegjësisht të hapin profil, dhe kur të “hynë” lirisht mund të kërkojnë dhe të shohin video dhe përmbajtje të tjera lidhur me keqpërdorimin e fëmijëve. Materialet shqetësuese janë të ndara në disa kategori, njëra ka të bëjë me fëmijë të vegjël, tjetra me incest, ndërsa në grupin e tretë bëjnë pjesë përmbajtjet me “fetishe”. Gjatë aksionit, kjo faqe është deaktivizuar, ndërsa janë identifikuar së paku 260 fëmijë të abuzuar seksualisht (duke mos i përfshirë viktimat e identifikuara na SHBA). Aktorët kryesorë në operacionin policor kanë qenë Europol dhe FBI, të cilët janë koordinuar edhe me policitë nacionale nga vendet që nuk janë pjesë e tyre. “Personat e përfshirë në abuzimin seksual të fëmijëve gjithnjë e më shumë bëhen të vetëdijshëm për rreziqet, por edhe për atë mund të përfitojnë nga mundësitë për anonimitet të plotë, për të mos u zbuluar. Kemi nevojë për t’i balancuar të drejtat e privatësisë dhe ligjet. Nëse ne punojmë sipas parimeve ligjore nga shekulli i XIX, atëherë nuk jemi në situatë në mënyrë efikase të trajtojmë krimin”, ka thënë Stiven Uilson, shef i Qendrës evropiane për krim elektronik pranë Europolit. Gjatë dënimit të kriminelëve, ka reaguar edhe komisioneri evropian për migrim dhe punë të brendshme, Dimitris Avramopulus. “Shfrytëzimi seksual i fëmijëve është një krim i shëmtuar dhe është kundër çdo vlere morale në shoqërinë tonë. Autorë duhet të dënohen. E përshëndes bashkëpunimin mes FBI-së dhe Europolit dhe pikërisht bashkëpunimi i këtillë mund të japë rezultate, gjegjësisht në këtë mënyrë mund t’i mbrojmë fëmijët tanë dhe t’i dënojmë ata të cilët qëndrojnë pas këtij krimi të ndyrë”, theksoi Avramopulus.
Harmonizimi i ligjeve në vende të ndryshme është diçka që deri tani disa herë është kërkuar prej shumë agjencive të sigurisë. Por gjithashtu është theksuar dhe nevoja për të rinovuar ligjet, sepse ata duhet të jenë në hap me teknologjinë e përparuar të cilën e shfrytëzojnë kriminelët. “Numri më madh i instrumenteve ndërkombëtare juridike kërkon nga shtetet të marrin masa për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi dhe shfrytëzimi, si dhe të kyçen në bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të abuzimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve. Megjithatë, pengesë e madhe për hetime të suksesshme dhe akuza mbetet mungesa e legjislacionit të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm në të gjithë vendet në nivel global”, thuhet në një nga raportet e fundit nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Droga dhe Krim (UNODC).
SOFTUER PËR ANONIMITET TË AUTORËVE
Përdorimi i internetit “të fshehur” apo “të zi” mundëson përmes softuerit anonimitet të plotë të përdoruesve, ndërsa si një nga më të theksuar nga agjencitë e sigurimit, është Top sistemi. Ai ju mundëson përdoruesve të saj të fshehin IP adresën, identitetin dhe të gjithë aktivitetet e tyre në hapsirën kibernetike. Përdoruesit në radhë të parë janë të mbrojtur nga ndjekja dhe vendndodhja gjeografike, ndërsa për të përdorur këtë sistem, nevojitet vetëm të shkarkohet sistemi i serverit nga Interneti, i cili përfshin vetëm gjashtë megabajtë. Drejtuesit në fushën e internetit sqarojnë se sistemi i tillë që ofron Top, mund të shfrytëzohet prej kudo dhe nga çdo kompjuter. Siç thonë, ekspertët, nëse tani më e ke shkarkuar sistemin nga softueri për Top, mund të kopjoni në USB-në tuaj, të shkoni në ndonjë internet kafe, mysafir apo edhe në punë, dhe të shfrytëzohet pa e patur të njejtin në kompjuter. Mjafton vetëm kopje në USB.
CILI ËSHTË PROFILI I AUTORËVE?
Profili i autorëve të krimeve në abuzimin e fëmijëve në hapësirën kibernetike është përshkruar në raportin vjetor të UNODC. Duke nisur nga motivet, aty theksohet se shumica e kriminelëve më shpesh krijojnë materiale me përmbajtje seksuale, të cilët më vonë i përdorin para së gjithash për përfitime ekonomike, por ka dhe nga ata që e bëjnë këtë edhe për të përmbushur pasionet e tyre. Në shfrytëzimin e fëmijëve, theksojnë nga UNODC, marrin pjesë burra dhe gra, edhe pse meshkujt përbëjnë shumicën e kryesve të veprave penale lidhur me abuzimin e fëmijëve. Burrat të cilët seksualisht i shfrytëzojnë dhe i prodhojnë materialet, në të shumtën e rasteve janë të moshës prej 25 deri 40 vjet. Abuzimin seksual të fëmijëve, thonë ata, shpesh e kryejnë persona të cilët kanë relativisht nivel të lartë të arsimit, që mund të lidhet me aftësitë e tyre të sofistikuara në përdorimin e teknologjisë. Përveç profilit të individëve, është konstatuar se në këtë fushë veprojnë dhe grupe të organizuara kriminale, të cilët kryesisht kanë të bëjnë më prodhim dhe shpërndarje të pornografisë me fëmijë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara