Të dhënat e Prokurorisë Publike, të cilat janë publikuar në ueb faqen e këtij institucioni, tregojnë se gjatë vitit të kaluar është ngritur vetëm një aktakuzë për fajde. Vërtetimi i veprës penale “fajde”, siç qëndron në Kodin Penal të RMV-së, mund të sanksionohet me të holla ose me dënim me burg deri në tre vite
Omer XHAFERI
Shkup, 6 mars – “Denonco fajde në mënyrë anonime” është fushata e fundit e iniciuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Duke e arsyetuar këtë nismë, nga policia e shtetit kanë bërë të ditur se gjatë periudhës së fundit janë hapur disa aksione operative me qëllim përfundimtar – rritjen e sigurisë së qytetarëve. Mes tjerash, nga atje thonë se ky aksion synon çrrënjosjen dukurisë së huadhënies së parave me përftime materiale (me kamatë shumë të lartë), ndryshe e njohur si fajde.
Megjithatë, sipas të dhënave të Prokurorisë Publike, të cilat janë publikuar në ueb faqen e këtij institucioni, mund të shihet se gjatë vitit të kaluar është ngritur vetëm një aktakuzë për fajde. Vërtetimi i veprës penale “fajde”, siç qëndron në Kodin Penal të RMV-së, mund të sanksionohet me të holla ose me dënim me burg deri në tre vite. Rasti i vetëm për të cilin në vitin 2020 kishte ngritur aktakuzë Prokuroria e Shkup, në fakt kishte ndodhur në fillim të vitit 2019. I dëmtuari, gjatë denoncimit të këtij rasti kishte thënë se me shumën prej 20 mijë eurove të cilën e kishte marrë nga fajdexhiu kishte pasur për qëllim larjen e borxheve të babait të tij. Huazimi i kësaj shumë nga fajdexhiu ishte bërë me një shkallë interesi prej 10 për qind në muaj. Ndërkohë, shuma që është dashur ta kthejë i dëmtuari – kishte shkuar deri në 120 mijë euro. E frikësuar për jetën e të birit, e ëma e të dëmtuari kishte kontaktuar me ndërmjetësuesin dhe të njëjtit i kishte dorëzuar një shumë prej 60 mijë eurove.
Ngjarje të tilla nuk është se mund të gjenden shpesh në buletinin e prokurorisë. Aksioni më i njohur i institucioneve shtetërore kundër fajdexhinjve ishte “Çekani”, i realizuar në vitin 2015 kur në qytetin e Gostivarit, u arrestuan ish-nëpunës policor, noter, përmbarues dhe fajdexhi. Një vit më vonë, Gjykata Penale e Shkupit të akuzuarit i shpalli fajtor dhe grupin prej nëntë të akuzuarish e dënoi me mbi 53 vite burg. Gjatë këtij procesi gjyqësor ishin prezantuar dhjetëra dëshmi materiale dhe ishin dëgjuar 45 dëshmitarë (të dëmtuar), të cilët i kishin përshkruar kërcënimet dhe dhunën e ushtruar ndaj tyre nga të akuzuarit. Ndryshe, të dëmtuarit e kësaj natyre dhe personat të cilët dëshirojnë të denoncojnë raste për këtë vepër penale këtë gjë mund të bëjnë edhe në kushte anonime. (koha.mk)