Në bazë të ndryshimeve kushtetuese dhe atyre ligjore në Republikën e Maqedonisë, dukshëm filloi përmirësimi i pozitës së shqiptarëve në këtë shtet. Ajo vërehej posaçërisht në hapjen dhe financimin e shkollave të mesme në gjuhën shqipe, legalizimin e Universitetit të Tetovës, hapjes së Universitetit të Evropës Juglindore, hapja e Universitetit Nënë Tereza, përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në organe dhe institucione shtetërore, përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, si dhe në fusha tjera. Mirëpo, edhe pse detyrimet e dala nga Marrëveshja e Ohrit duheshin zbatuar në afat prej 4 vitesh, ato nuk janë zbatuar në tërësi as deri sot
Nga Kasam HASANI
(vijon nga numri i kaluar)
Gjatë vitit 1963 në Jugosllavinë Federative bëhen ndryshime kushtetuese dhe Republika e Maqedonisë me Kushtetutën e saj Republikane, emërtohet si Republika Socialiste e Maqedonisë. Mirëpo, sa u përket politikave lidhur çështjen bullgare, mbeten të njëjta pavarësisht emërtimit të ri. Politika e njëjtë urrejtëse dhe diskriminuese vazhdoi me tutje edhe ndaj shqiptarëve. Të gjitha masat represive shtetërore që ndërmerreshin nga Serbia ndaj shqiptarëve në Kosovë, në të njëjtën mënyre janë aplikuar edhe ndaj shqiptarëve në Maqedoni si : krijimi i “paraleleve të përziera nëpër shkolla”, me qëllim që mësimi të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedone, e jo edhe në atë shqipe; prishja e rrethojave (mureve) me lartësi mbi 110cm që pushteti i konsideronte “mbrojtëse për shqiptarët në rast konflikti”; ndalimi i përdorimit të gjuhës shqipe në emërtimin e toponimeve, si: Shkupi të emërtohej vetëm si Skopje, e jo edhe Shkup; Dibra, vetëm si Debar; Manastiri, vetëm Bitolla;Likova, vetëm Lipkovo, etj., gjë që ka vlejtur edhe për vendbanimet, arat, livadhet, malet, etj, p.sh. Dobrovoda, e jo edhe Ujëmirë; Gornjalivada, e jo edhe livadhi i epërm, etj.; bëhet diferencimi politik i shqiptarëve për shkaqe “nacionaliste”, “separatiste” dhe “irredentiste”; largimi nga puna e shqiptareve; burgosja e shqiptareve, etj.
Mirëpo, në fund të viteve të 80-ta, shqiptarët në Maqedoni vetëorganizuan ndryshime në arsim, duke hapur shkolla të arsimit të mesëm në gjuhën shqipe në disa qytete, të financuara nga ana e vet popullatës shqiptare dhe ndihmës së diasporës shqiptare. Këto shkolla pas disa vitesh, kanë hyrë në financimin shtetëror, kurse kërkesa për hapjen e një shkolle të mesme për shkollimin e të rinjve në gjuhën shqipe për: territorin e Prespës, vendbanimeve shqiptare në Krushevë dhe Prilep, janë realizuar shumë vonë. Kurse qyteti i alfabetit të gjuhës shqipe, Manastiri, edhe sot e kësaj dite nuk ka as edhe një paralele të shkollës së mesme në gjuhën shqipe. Kjo mënyrë e vetëorganizimit dhe vetëfinancimit në arsim, u zbatua edhe me rastin e themelimit, organizimit, dhe veprimit të Universitetit të Tetovës në vitet e 90-ta, për të cilat, nuk ka pasur vetëm burgosje, por edhe është derdhur gjak për këto ndryshime. Sa u përket te drejtave dhe lirive të tjera, dhe realizimit të tyre për shqiptarët, nuk ka pasur ndryshime. Duke u ballafaquar me këto pengesa, shqiptarët e Maqedonisë ishin të detyruar që të shkollohen në gjuhën shqipe në Kosovë, ose në gjuhën maqedone në Maqedoni, apo në gjuhën serbo-kroate në Republikat tjera të Jugosllavisë Federative.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë Socialiste Federative, u mundësua që republikat si njësi federale të mund të pavarësohen në kuadër të kufijve ekzistues administrativ të Federatës Jugosllave, sipas principit “uti posiddetisjuris” (ta posedosh ashtu siç e ke), që u vendos në Komisionin e Badinterit. Në bazë të këtij principi edhe Maqedonia shpalli pavarësinë e saj në vitin 1991, pas mbajtjes së referendumit gjithë popullor (të bojkotuar nga popullata shqiptare), duke u emëruar Republika e Maqedonisë. Në referendum qytetarët duhej t’i përgjigjeshin pyetjes se a “A jeni për pavarësi të Republikës së Maqedonisë si shtet, me mundësi që më vonë ajo t’i bashkëngjitet ndonjë subjekti tjetër?”. Subjekti tjetër megjithëse nuk ishte i emërtuar, për maqedonasit dhe Serbinë nënkuptonte Serbinë. Pasi populli u deklarua me shumicë për pavarësi të Maqedonisë, për pjesën e dytë të pyetjes së referendumit, asnjëherë nuk u deklaruan. Kështu, Maqedonia me mençuri dhe dinakëri u nda nga Serbia pa asnjë therr në këmbë, kurse Serbia mbeti edhe pa Maqedoninë-Vardarska Banovinën, siç e quante Serbia. Serbia edhe pse e pranoi shpalljen e pavarësisë te Maqedonisë si shtet të pavarur, ajo nuk mundi të”pajtohej”, që Maqedonia të jetë”krejtësisht e pavarur”. Ajo la një vegës duke kërkuar që Kisha Ortodokse Maqedonase të mos jetë e pavarur, por si kishë ortodokse të veprojë nën ombrellën e Kishës Ortodokse Serbe, kontest që realisht nuk është fetar, por shtetëror me ndikim të madh edhe nga ana e Kishës Ortodokse Ruse, njëlloj si në Malin e Zi.
Gjithashtu, vlen të përmendet edhe fakti se derisa Maqedonia kishte statusin e Republikës Popullore, e më vonë atë të Republikës Socialiste, sipas mjeteve të atëhershme të informimit thuhej se në Serbi jetonin afër 30 mijë maqedonas, kryesisht në Beograd, por edhe në qendra tjera, sidomos në qytete dhe vendbanime të Vojvodinës. Pas pavarësisë së Maqedonisë për këtë çështje nuk është folur dhe mbetet enigmë se çka ndodhi me këtë popullatë, nëse jetojnë ende në Serbi dhe kanë statusin e minoritetit si maqedonas, apo janë të regjistruar si serb, apo eventualisht janë kthyer në Maqedoni.
Pas ngjarjeve të vitit 2001 në Maqedoni, të cilat u emërtuan si “kryengritje”, “luftë”, “konflikt”, etj. e cila ishte e armatosur mes shqiptarëve dhe pushtetit në Maqedoni, me ç‘rast u rrënuan vendbanime në zonën e Shkupit, Likovës, dhe Tetovës, si dhe u vranë dhe plagosen një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë. Për të ndërprerë këtë konflikt u desh që të intervenojë edhe faktori ndërkombëtar me pjesëmarrjen e Fuqive të Mëdha, respektivisht, përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së. Për ndërprerjen e konfliktit u desh që të ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë, dhe të përfshihen kërkesat e shqiptarëve të cekura në të ashtuquajturën e Marrëveshjen e Ohrit. Ndër kërkesat kryesore të parapara në këtë marrëveshje, kanë qenë: përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në organet dhe institucionet shtetërore, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, përdorimi i flamurit dhe simboleve të tjera kombëtare, si dhe realizimi i të drejtave dhe lirive të tjera të shqiptarëve si pakicë mazhoritare në Maqedoni, me çka do të ndryshonte pozita e shqiptarëve në Maqedoni.
Në bazë të ndryshimeve kushtetuese dhe atyre ligjore në Republikën e Maqedonisë, dukshëm filloi përmirësimi i pozitës së shqiptarëve në këtë shtet. Ajo vërehej posaçërisht në hapjen dhe financimin e shkollave të mesme në gjuhën shqipe, legalizimin e Universitetit të Tetovës, hapjes së Universitetit të Evropës Juglindore, hapja e Universitetit Nënë Tereza, përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në organe dhe institucione shtetërore, përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, si dhe në fusha tjera. Mirëpo, edhe pse detyrimet e dala nga Marrëveshja e Ohrit duheshin zbatuar në afat prej 4 vitesh, ato nuk janë zbatuar në tërësi as deri sot.
Disa nga këto obligime nuk janë zbatuar edhe për shkak të zbriturave juridike në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse. Kështu për shembull, Kushtetuta parasheh se gjuhë zyrtare është”gjuha që e flasin më shumë se 20% e popullatës në Maqedoni”, kurse nuk e përcakton gjuhën shqipe si zyrtare, por kjo duhet të nënkuptohet me interpretim logjik të dispozitës Kushtetuese. Është e nevojshme që në Kushtetutë të figurojë nocioni “gjuha shqipe”, me çka ky nocion do të bëhet kategori kushtetuese. Përveç kësaj rregullimi juridik i kësaj çështje pamundësohet me ligjet përkatëse, sidomos me ligjet procedurale, që parashohin udhëheqjen e procedurave përkatëse (gjyqësore, administrative, etj.) në gjuhën Maqedone. Këto ligje miratohen me 2/3 e votave të deputetëve, sikurse edhe miratimi i Kushtetutës dhe ndryshimet e saj.
Gjithashtu, qasje jo të drejtë ndaj shqiptarëve në Kushtetutë ka edhe në rangimin e shqiptarëve si pakicë, duke mos e dalluar atë si pakicë mazhoritare, pavarësisht diferencës së lartë të përqindjes në strukturën e popullatës në Maqedoni.
Avancimi i përdorimit te gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni, pas Marrëveshjes së Ohrit, është bërë në mënyrë graduale. Kështu p.sh., përdorimi i saj në Parlament, është bërë duke ndryshuar Rregulloren e Punës së Kuvendit në periudha të caktuara kohore. Fillimisht është lejuar përdorimi i gjuhës shqipe vetëm nga kryetari i grupit parlamentar të shqiptarëve. Më vonë, në gjuhën shqipe ka mundur të drejtohet edhe deputeti, por vetëm në mbledhje plenare, por jo edhe në komisione dhe këshilla të parlamentit. Kryetari shqiptar i këshillit apo komisionit, këtë të drejtë e ka fituar më vonë. Në të njëjtën mënyrë graduale, është zbatuar përdorimi i gjuhës shqipe edhe në punën dhe funksionimin e Qeverise dhe anëtareve të saj. Mospërdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare ka ardhur në shprehje edhe në përgatitjen e materialeve dhe akteve të ndryshme nga fushëveprimi i Parlamentit dhe Qeverisë, të cilët janë përgatitur dhe shpallur vetëm në gjuhën maqedone. (vijon nesër)
(Autori është ish-Kryeprokuror i Prokurorisë së Lartë në Shkup)