Ludovik Karrica drejt suksesit që asnjë shqiptar nuk e ka arritur

65

Ai është i veçantë, unik dhe gjithmonë avangard. Karakteri, stili, arti dhe jeta e Ludovik Karricës shpesh janë vënë në fokusin e medias. Ludo, siç e njohin të gjithë, jeton dhe vepron siç ia do qejfi. Ai, është i lidhur ngushtë me vallëzimin dhe muzikën, andaj jeta e tij duket si një “festë e madhe”.

Ludovik, kur kthehesh pas në kohë çfarë mendon për aktivitetin tënd artistik?

Si ëndërr. E di si është kur e ke një ëndërr që bëhet realitet, pastaj vazhdon me një ëndërr tjetër që realizohet dhe kjo është mrekulli. Jam shumë i përmbushur dhe i kënaqur me të arriturat e mija artistike, por kjo nuk do të thotë që do të ndalem këtu.

A mendon se do të mund të bëje më shumë ose më mirë?

Në vendin ku jetoj unë thuhet “Sky is the Limit”, në kuptimin që e mira nuk ka kufi. Ajo që ka rëndësi është të vazhdohet edhe më tej në udhëtimin e suksesit.

Çka konsideron suksesin tënd më të madh në karrierë?

Unë mendoj se ende ka kohë për të folur për suksesin apsolut, kemi ende udhëtim për të bërë drejtë suksesit të cilin asnjë shqiptar nuk e ka arritur. Gjithsesi, për momentin mbetet ende vetëm një ëndërr.

Je cilësuar si “djali që jeton në luks”. Po jetë të thjeshtë a bën?

Unë jetën time e shoh si të thjeshtë, e të tjerët e shohin si luks.

Gjëja më e shtrenjtë që e ke në jetë?

Kuptohet që shëndetin. Pa shëndet asgjë në jetë nuk ka kuptim, prandaj lutemi që të vazhdoj kështu.

E do më shumë muzikën apo vallëzimin?

Muzikën. Muzikën mund ta dëgjoj në çdo vend, e të vallëzoj nuk kam mundësi bash kudo. Gjithsesi, edhe vallëzimin e dua shumë.

Së shpejti kthehesh me një projekt të ri. Për çka bëhet fjalë?

Po, kam premtuar për projekt të ri dhe jam gati tek finalja e tij. Besoj shumë shpejtë do ta shijoni, por njëherë për njëherë po e lë surprizë.