Shkup, 25 dhjetor 2017 (MIA) – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në vazhdimin e sotëm të seancës së 22-të me 61 vota “pro”, një abstenim dhe asnjë kundër e zgjodhi Ljubomir Jovevski prokuror shtetëror publik.
Debati për zgjedhjen e tij dhe votimi u mbajtën pa praninë e deputetëve nga opozita.
Prokurori publik ka mandat prej gjashtë viteve me të drejtë për emërim të sërishëm.
Jovevski (63) në punën e tij të deritanishme ka vepruar në sferën penale. Më shumë se 15 vite ka punuar si gjykatës për lëndë penale, ndërsa në një mandat ka udhëhequr me Gjykatën Themelore Shkup 2, ndërsa ka edhe përvojë pune me mbi 12 vite si prokuror publik dhe shtatë vite në sferën e kryerjes së sanksioneve penale.
Deri tani këtë funksion e ka kryer Liljana Spasevska, pasi Marko Zvërlevski u shkarkua më 17 gusht të këtij viti.
Pas zgjedhjes së Jovevskit, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e ka ndërprerë punën e kësaj seance dhe tha se deputetët në mënyrë shtesë do të njoftohen për vazhdimin.
Xhaferi dha pauzë, që siç tha, të përfundojnë procedurat rreth obligimit solemn të prokurorit të sapozgjedhur publik.
Në vazhdimin e seancës është zgjedhja e anëtarëve të Qeverisë. Në seancë duhet të marrë pjesë propozuesi, respektivisht kryeministri Zoran Zaev. Kryetari i Kuvendit u informua nga Qeveria se kryeministri Zaev për shkak të obligimeve nuk ka mundur të arrijë në seancë para orës 14:30.