Luan Krasniqi e parashikon fituesin e rimeçit Joshua – Ruiz

Ish-kampion evropian në kategorinë e rëndë të boksit, Luan Krasniqi, beson se Anthony Joshua do ta fitojë rimeçin e shumëpritur me Andy Ruiz Jr, të shtunën në Arabinë Saudite, dhe si rrjedhojë do t’i kthejë në pronësi titujt e humbur IBF, WBA dhe WBO.

Ish-boksieri shqiptar Krasniqi kishte mbetur i habitur, ashtu si e gjithë bota, nga humbja tronditëse e Joshuas ndaj Ruiz Jr në meçin e para gjashtë muajve në Nju Jork, raporton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.

Megjithatë, Krasniqi beson se boksieri britanik nuk do ta lejojë një tronditje tjetër, prandaj do të dalë nga ringu si fitues të shtunën mbrëma në Arabinë Saudite, me rripat IBF, WBA dhe WBO në trup.

“Kemi mendime shumë ta ndara për atë se kush do ta fitojë rimeçin, edhe unë jam njëri nga ta. Personalisht, mendoj se Anthony Joshua do të dalë nga ringu si fitues”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Ish-boksieri nga Juniku mendon se 32-vjeçarit do t’i duhet të boksojë mençur dhe me kontroll për t’iu hakmarrë meksikanit.

“Megjithatë, është e nevojshme që ai (Joshua) të boksojë mençur dhe me kontroll”, shtoi ai.