Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, duke deklaruar se është kundër reformës në drejtësi. “Po shohim tashmë njerëz të fuqishëm që përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj, ai ka foluar vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi. Në muajt nëntor dhe dhjetor, prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPKI, që është jetik për vetingun”, deklaroi Lu.
“Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë do mbështesin përpjekjet e tyre”, shtoi ambasadori. Në lidhje me shortin për KED-në, ambasadori amerikan tha se Prokurori i Përgjithshëm dërgoi në short 3 kandidatë për 3 poste, duke shkelur kështu Kushtetutën, që thotë se anëtarët duhet të përzgjidhen me short. “Fatmirësisht, ata ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që e hartuan këtë reformë parashikuan që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin t’i manipulonin këshillat. Në Kushtetutë thuhet qartë se anëtarët e këtij Këshilli të Emërimeve në Drejtësi duhet t’i nënshtrohen menjëherë vetingut. Disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen këtë javë, në vend që të përballeshin të parët me vetingun. Ne do të ndjekim nga afër për të parë nëse Komisionet e Vetingut do t’i përmbahen kësaj kërkese kushtetuese dhe nëse të gjithë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do ta kalojnë procesin e vetingut”, theksoi Lu. Ndërsa ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin tha se të gjithë duhet të marrin pjesë, në mënyrë që demokracia pjesëmarrëse të funksionojë. “Reforma e drejtësisë vërteton se ndryshimi është i mundur dhe po ndodh. Transparenca dhe pjesëmarrja janë vlera thelbësore evropiane”, tha Vlahutin. Ndërkohë, ambasadori Borschardt theksoi se “OSBE/ODIHR-i do të vëzhgojë zgjedhjet në Shqipëri”, por “nuk garanton zgjedhje të pastra”. “Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë do të jenë dëshmitarë të zgjedhjeve dhe punës së KQZ-së, komisionerëve, partive dhe votuesve. ODIHR-i nxjerr një raport për zgjedhjet dhe rekomandime të vyera për fushat ku nevojiten përmirësime, me qëllim që të përmbushen standardet ndërkombëtare dhe të respektohet legjislacioni i brendshëm. Në raportet e ODIHR-it, gjeni këshilla të rëndësishme për përmirësime, por ODIHR-i nuk është arbitër dhe as garantues për zgjedhje të pastra. Gjithçka që mund të bëjnë vëzhguesit ndërkombëtarë është të japin këshilla dhe të përpiqen të shohin shembuj të praktikave të mira dhe të këqija, por ata nuk mund të ndryshojnë thelbësisht sjelljet apo rezultatet”, tha Borschardt. (TCH)