LSM-ja e filloi grevën e përgjithshme para Parlamentit

Shkup, 22 qershor – Anëtarët e Lëvizjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot nisën grevën e përgjithshme duke kërkuar rritje lineare të pagave të punonjësve në sektorin publik për 2.806 denarë dhe kthimin e së drejtës për regres për pushim vjetorë nga viti 2023.

LSM paraditen e sotme vendosi 120 ulëse para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut duke rikujtuar deputetët që të pranojnë amendamentin e tyre në rebalancin e buxhetit për rritje lineare të pagave për 2.806 denarë, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Ulëset ata kanë vendosur para Kuvendit.

“Siç njoftuam, sot e gjithë Maqedonia është në grevë në sektorin publik, ndërsa LSM kërkon përkrahje nga të zgjedhurit e popullit për amendamentin e dorëzuar 2.806 denarë për të gjithë punëtorët menjëherë dhe tani ose më mirë thënë nga 1 korriku, sepse e dimë se ato para na janë të nevojshme për këtë që po na ndodhë – inflacioni i dyfishtë, goditja e çmimeve, kriza e paralajmëruar energjetike, paralajmërimi i rritjes së energjisë për 10 për qind. E inkurajoj punëtorin të luftojë për të drejtat e tij, të luftojë për ekzistencën e tij që neve na duhet në këtë moment”, deklaroi kryetari i LSM-së, Darko Dimovski.

Advertisements

Lidhur me situatën në teren, Dimovski informoi se sekretarët rajonal të Sindikatës sot në mëngjes janë përballë me presione në një kompani, por pas paraqitjes së dokumentacionit për të drejtën e grevës, menjëherë janë tërhequr dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë problem tjetër.

Siç theksoi kryetari i LSM-së, sot zgjodhën Kuvendin për të bërë një lloj presioni ndaj deputetëve që nuk e votuan amendamentin, ndërsa nesër do të vendosin 21 ulëse para Qeverisë për t’i rikujtuar edhe ata se duhet të pranojnë këtë amendament.

Në negociatat me Qeverinë janë dakorduar që nga 1 korriku të nënshkruhet marrëveshja kolektive për sektorin publik, por siç thotë ai, “nuk ka asnjë përgjigje nga autoritetet dhe për këtë ndjehen të mashtruar dhe të manipuluar”.