Shkup, 12 janar – LSDM-ja sot përmes një kumtese paralajmëroi se do ta heqë taksën radiodifuzive dhe vlerësoi se kjo është një nga masat për uljen e shpenzimeve për jetë të qytetarëve. Sipas LSDM-së, me heqjen e taksës radiodifuzive do të lirohen qytetarët nga pagesa e detyrueshme për të cilën në dhjetor janë përgatitur mbi 47.000 vendime. “Televizioni i Maqedonisë do të financohet nga Buxheti dhe nga mjetet e tjera, nga të ardhurat e operatorëve kabllovikë, dhe nga të ardhurat e realizuara me shitjen e programit të prodhuar nga RTM. Nuk do të ketë reklama komerciale në Televizionin e Maqedonisë, përveç për programet e blera ku është i detyrueshëm reklamimi i sponsorëve. RTM gjithashtu do të prodhojë program për shfrytëzimin e teknikave të veta dhe potencialet kadrovike për nevojat e tij ose do t’ia shesë radiodifuzerëve të tjerë komercialë”, thekson LSDM-ja në kumtesë.