Konfederata e Sindikatave ka kërkuar nga LSDM që të ndal, sipas tyre, kërcënimet se Qeveria e re do të lëshojë nga puna afër 30 mijë punëtorë. “Në vend që lideri i LSDM, Zoran Zaev, të paralajmërojë lëshimin nga puna të 20 për qind të të punësuarve në sektorin publik, në interes të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të vendit, kërkojmë që qeveria të zbatojë Ligjin për marrëdhënie pune dhe të përkujdeset për të gjitha familjet e kërcënuara në aspektin social ose në të kundërtën do të kemi krizë sociale”
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 korrik – Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, ka paralajmëruar se në rast se fitojnë zgjedhjet dhe formojnë Qeverinë re, do të angazhohen për uljen për 20 për qind të numrit të të punësuarve në administratë. Kjo nënkupton se nëse administrata publike ka afër 140 mijë të punësuar – në katër vitet e ardhshme do të largohen afër 30 mijë administratorë. Nga LSDM kanë paralajmëruar anulimin e burokracisë në shtet, si dhe orientimin e një pjese të administratës ndaj sektorit privat. Duke paralajmëruar në fillim të kësaj jave, bisedimet serioze me të gjitha kryetarët e partive politike, me grupet punuese, anëtarët e udhëheqjes së partive për një mandat të plotë katërvjeçar me shumicë stabile, nga LSDM thonë se Qeveria e re që ato do të udhëheqin do të sjellë edhe reforma serioze të administratës publike, me shërbime më të mëdha, më të shpejta dhe më efikase për qytetarët, numrin më të vogël të ministrive dhe racionalizimin e shërbimeve publike.
Megjithatë, nga Konfederata e Sindikatave të Maqedonisë kërkojnë nga LSDM që të ndalin, sipas tyre, kërcënimet se Qeveria e re do të lëshojë nga puna afër 30 mijë punëtorë. “Në vend që lideri i LSDM, Zoran Zaev, të paralajmërojë lëshimin nga puna të 20 për qind të të punësuarve në sektorin publik, në interes të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të vendit, kërkojmë që qeveria të zbatojë Ligjin për marrëdhënie pune dhe të përkujdeset për të gjitha familjet e kërcënuara në aspektin social ose në të kundërtën do të kemi krizë sociale”, thonë nga Konfederata e Sindikatave. Nga atje druajnë për ruajtjen e vendeve të punës të afër 30 mijë të punësuarve në administratë të angazhuar me kontratë në vepër, që në të ardhmen – sipas Konfederatës së e Sindikatave, mund të zëvendësohen me të punësuar të tjerë. Në ndërkohë, në takimin e punës së Sindikatës së administratës dhe gjyqësorit në fillim të muajit korrik , me partinë VMRO-DPMNE, është theksuar se kjo parti angazhohet për ruajtjen e vendeve të punës në administratë, për një administratë më efikase. Janë theksuar edhe synimet e saja për të investuar në krijimin e profesionistëve më cilësor, për paga më të larta dhe kushte më të mira të punës. “Shtetit i nevojitet një administratë profesionale dhe e depolitizuar ,që do të jetë faktor kryesor në procesin e eurointegrimit” ka theksuar Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE gjatë takimit me përfaqësues të kësaj sindikate. Në takimin e Sindikatës së administratës dhe gjyqësorit me LSDM-në, përfaqësuesi i saj, Damjan Mançevski lidhur me uljen e paralajmëruar për 20 për qind të administratës, ka theksuar se asnjë vend pune nuk do të rrezikohet dhe se asnjë i punësuar nuk do të detyrohet që lëshojë vendin e punës, apo të detyrohet që japë pëlqim për largim nga puna. Ai ka paralajmëruar se ulja e paralajmëruar e administratës parashikohet të realizohet përmes derdhjes natyrore të të punësuarve apo përmes pensionimit, pakos në të holla që do t’ju ofrohet punësuarve më të moshuar, kalimit vullnetar të të punësuarve në sektorin privat ku do të kishin paga më të larta dhe garanci për ruajtjen e vendeve të punës.
Në ndërkohë, ekspertët e kësaj fushe thonë se në periudhën e ardhshme do të shtrohen dilemat se sa mund të shkurtohet sektori publik me qëllim që ky proces të mos pasqyrohet në funksionimin e tij. “Sektori publik në vend mund të shkurtohet për 10-12 mijë të punësuar, megjithatë kjo shifër prej minus 30 mijë të punësuar është shumë e madhe. Njëherësh, ne kemi edhe mungesë të madhe të profesionistëve të teknologjisë informatike, si dhe të punësuarve në shëndetësi, çerdhe dhe në kulturë”, thotë eksperti Dragan Gocevski. Sipas tij, për çdo vit po pensionohen deri 1000 të punësuar në sektorin publik, që paraqet një nga mënyrat më pak të dhimbshme të uljes së numrit të të punësuarve në sektorin publik. Ai shton më tej se si shoqëri dhe si shtet – na nevojiten ofrues të shërbimeve, ndërsa vlerëson se numri i administratës klasike nuk do të duhet të rritet më tej. Me fjalë të tjera, administrate duhet të racionalizohet, por jo përmes lëshimit të ngutshëm, por me një planifikim të kujdesshëm kadrovik.
Ndryshe, rezultatet e hulumtimit të Institutit për hulumtime politike për “Detektor”, kanë treguar se qytetarët janë të ndarë lidhur me cilësinë e shërbimeve që e fitojnë nga administrata publike. Anketa ka treguar se 48.2 për qind e të anketuarve janë të kënaqur me shërbimet që i fitojnë nga administrate publike. Mirëpo, nuk është e vogël edhe shifra që tregon mendimin e kundërt. Të pakënaqur me shërbimet që fitojnë nëpër sportele janë shprehur 41.8 për qind e qytetarëve. (koha.mk)