Për herë të parë që nga pavarësimi i Maqedonisë votimi dominues etnik si rezultat i ndarjes së sistemit partiak në vija etnike gjendet pranë një testi serioz, transmeton gazeta KOHA analizën e portalit Prizma. Sikurse asnjëherë më parë, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, si udhëheqëse e opozitës u nis në kërkim të votës së shqiptarëve. LSDM mban takime parazgjedhore në vendbanime, të cilat janë kryesisht me shqiptarë. Në Haraçinë ose Studeniçan, për shembull, deri tani takime të këtilla kanë mbajtur vetëm partitë e shqiptarëve. Tendencën e opozitës që të ketë votim asimetrik nga aspekti etnik, zëshëm e promovon lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev. Ai madje është edhe tejet ambicioz, duke shpresuar dhe duke pritur se në zgjedhjet e ardhshme koalicioni i tij “Lidhja e qytetarëve” do të fitojë më shumë vota të shqiptarëve, më shumë se BDI, PDSH, LR-PDSH, BESA ose cilado parti tjetër shqiptare. “Bazohem në votat e shqiptarëve për LSDM, për koalicionin e udhëhequr nga LSDM, pavarësisht nëse ne do të kemi koalicion me partitë shqiptare ose jo. Unë bazohem në votat e shqiptarëve në këtë proces të zgjedhjeve para të cilëve jemi të drejtuar dhe pres LSDM të fitojë më së shumti vota të shqiptarëve, më shumë se cilado parti tjetër politike të bllokut shqiptar, sepse i kemi të gjitha shkaqet në botë që ajo të ndodhë ashtu”, ka thënë Zaev. Duke tentuar që të tërheqë shqiptarët, në kongresin e fundit LSDM vendosi të kandidojë dy kandidatë, të cilët janë në pozita të sigurta. Ish-gazetari Muhamed Zeqiri në Njësinë zgjedhore numër 2 do të garojë për votat e pjesës së Kumanovës – Likovës dhe një pjesë të Shkupit, si i treti në listë, të cilën e udhëheqë Oliver Spasovski, ndërsa profesoresha Gjylymsere Kasapi do të kërkojë votat e shqiptarëve në Njësinë zgjedhore gjashtë, duke garuar si kandidate e dytë, pas Petre Shilegovit. Edmond Ademi në LSDM është që nga vitet e tij të hershme, sepse beson në socialdemokraci, gjegjësisht në të majtën si koncept dhe ideologji politike, shkruan Prizma. Ai thotë se nga takimet me qytetarët nga vendbanimet shqiptare ndihet një energji për ndryshime pas 11 dhjetorit dhe se do të ketë votim joetnik. Ademi përmes numrave përshkruan mbështetjen, të cilën sipas tij e ka partia që përfaqëson prej shqiptarëve. “Numri i votave të shqiptarëve për LSDM do të jetë mbi 50 mijë. Kam kaluar qindra kilometra nëpër vendbanimet shqiptare. Porosia e tyre është e qartë, ata janë të gatshëm për ndryshime në udhëheqjen e shtetit. Kërkesat e tyre janë të ngjashme sikurse të të gjithë qytetarëve: zhvillim ekonomik, vende të punës, arsim dhe shëndetësi kualitative, mbështetje në bujqësi dhe blegtori, të cilat janë shtyllat e platformës tonë. Nëse kemi parasysh se kemi 10 mijë qytetarë shqiptarë që janë anëtarë të partisë, është i qartë besimi që e kemi tek votuesi shqiptar”, thotë Ademi. Bashkimi Demokratik për Integrim nuk shqetësohet se LSDM mund të fitojë votat e shqiptarëve. “Nuk shqetësohemi aspak, por Zaev duhet të dalë me platformë për shqiptarët, dhe jo të kërkojë votat e shqiptarëve pa ju ofruar platformë. Çka u ofron ai shqiptarëve, çka u garanton?”, ka deklaruar Ahmeti. Në një vijë me BDI është edhe Lëvizja BESA. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Afrim Gashi për Prizma konsideron se në Maqedoni ende nuk ekziston atmosfera që shqiptarët do të votojnë ndonjë parti maqedonase dhe konsideron se ajo nuk do të jetë në dobi të shqiptarëve.