Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim në mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë është e interesit nacional dhe shtetëror dhe në interes të qytetarëve të Maqedonisë dhe Bullgarisë, kumtoi LSDM, duke reaguar ndaj konferencës së sotme për shtyp të Antonio Milloshoskit nga VMRO-DPMNE.
Në kumtesën e LSDM-së theksohet se me nënshkrimin e Marrëveshjes, mbyllet edhe një çështje e hapur, bëhet një hap i rëndësishëm drejt integrimeve euro-atlantike, bëhet përparim ekonomik dhe përfundohet plotësisht lidhja hekurudhore mes dy vendeve.
“Me nënshkrimin e Marrëveshjes, që është sukses i përbashkët i të gjitha qeverive të deritanishme, përfundoi koha kur Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE për shkak të interesave të tyre kriminale e kanë mbajtur Maqedoninë të izoluar dhe erdhi kohë e re e bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe përparimit rajonal në vend të konflikteve rajonale”, qëndron në kumtesën e LSDM-së.