LSDM: Janë hapur perspektivat, 2019-ta do të jetë vit i integrimit

Shkup, 14 janar – Me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Maqedonia ka hapur, një faqe të re të të ardhmes, stabilitetit, sigurisë dhe progresit ekonomik, kumtojnë nga Qendra për komunikime me opinionin të Lidhjes së Socialdemokratëve (LSDM), njofton Koha.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës i ka hapur perspektivat, proceset për anëtarësim në NATO dhe në BE janë në fazë përfundimtare. Maqedonia bëhet vendi anëtar i 30-të i NATO-s, ndërsa në vitin 2019, pritet edhe fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe hapjen e kapitujve të parë. 2019-ta do të jetë viti i integrimeve, por edhe viti i rritjes dhe zhvillimit ekonomik dhe më shumë para te qytetarët. Është paraparë një rritje e pagës minimale, që do të thotë më shumë para te punëtorët, te familjet”, thonë nga LSDM-ja.

Siç thuhet në kumtesën e kësaj partie, pagat do të rriten në të gjitha sektorët, të punësuarit në shëndetësi, arsim, mbrojtje të fëmijëve dhe atë sociale, mbrojtje, polici do të marrin paga më të mëdha për 5 për qind, ndërsa përmes rritjes së ndihmës për ndërmarrjet, pagat do të rriten edhe në sektorin privat.

“Sivjet vendoset edhe në masë kyçe, qytetarët do t’i marrin kthimin e TVSH-së prej 15 për qind nga prodhimet e blera apo shërbimet e paguara, ku në çdo familje do të sigurohet të ardhura vjetore shtesë. Sistemi i reformuar i ndihmës sociale, do të sigurojë që personat marrës të ndihmës sociale të marrin edhe deri në 300 për për qind rritje të ndihmës sociale, dhe do të rritet përfshirja e fëmijëve të cilët do të marrin shtesë të fëmijëve dhe arsimore”, thuhet në kumntesë.

Nga kjo parti thonë se Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja vazhdon me zbatimin e masave që sigurojnë progres, integrim, rritje ekonomike dhe rritje të standardit të jetesës për të gjithë qytetarët. (Koha.mk)