Këshilli qendror i LSDM-së i dha dritë jeshile liderit të partisë Zoran Zaevit si mandatar për formimin e Qeverisë së re.
“Vijon një periudhë ku do të përkushtohemi në vendosjen e një programi cilësor qeveritar që do ta realizojnë politikanë të përgjegjshëm, që do të udhëheqin politika reale, ashtu siç zgjodhën qytetarët e Maqedonisë. Morëm obligime për jetë për çdo njeri me planin për jetë. LSDM sjell jetë për të gjithë qytetarët në Maqedoni” thanë nga LSDM.
Edhe pse mediat përafrsisht tre orë pritën, kreu i LSDM-së Zaev nuk u prononcua për mediat. Nga kjo parti informuan se nuk kanë asgjë të re për të njoftuar, përveçse organet partiake kanë zgjedhur Zoran Zaevin për mandatar. Lideri i LSDM-së gjatë vizitës në Sarajevë, dy ditë më parë për mediat e Bosnjës deklaroi se mund të pritet qeveri e re më së voni nga mesi i marsit.
Jo zyrtarisht Zoran Zaev firmat e nevojshme për të marrë mandatin në presidencë do ti dorëzojë të hënën. Tani për tani nga LSDM-ja nuk i komentojnë paralajmërimet nga Reçica e Vogël se nënshkrimet e dhëna nuk do të thonë asgjë dhe se ka mundësi që BDI të mbetet në opozitë. Nga Bihaqka nuk kanë qëndrim mbi atë nëse është e mundur që ata të formojnë qeveri të pakicës, me mbështetje të partive shqiptare, por pa pjesëmarrjen e tyre në ekzekutiv.