Shkup, 13 nëntor – Mbrojtësi antiperëndimor i krimit, Hristian Mickoski dhe udhëheqësia antipopullore e VMRO-DPMNE-së i vendosën kapacitetet e tyre në mbrojtje të krimit të mentorit të tyre, Nikolla Gruevski, thuhet në reagimin e LSDM-së ndaj kryetarit të VMRO-DPMNE-së Mickoski i cili akuzon se përndjekja e Gruevskit është përndjekje politike.
Mickoski dhe Janushev, shtohet më tej, në mënyrë të turpshme i ofenduan të gjithë qytetarët të cilët kërkojnë që Gruevski të mos fshihet, të ballafaqohet me përgjegjësinë dhe ta vuaj dënimin.
“Për udhëheqësinë e VMRO-DPMNE-së, gazetarët dhe opinioni janë “zagarë mediatik” vetëm për atë se pyesin se ku është Nikolla Gruevski, pse po fshihet dhe a ka turp? Në vend se t’i ofendojë gazetarët, Mickoski të tregojë nëse Gruevski duhet të përgjigjet për krimet? Ose Mickoski e arsyeton arratisjen e Gruevskit dhe fshehjen e tij nga drejtësia? Gruevski e vërtetoi veten si turp për opinionin, ndërsa e vërtetoi veten për patriot të rrejshëm, kriminel i cili fshihet nga drejtësia, ndërsa Mickoski dhe kreu i VMRO – DPMNE-së u konfirmuan si mbrojtës të krimit të tij”, thuhet në reagim.
Sipas LSDM-së, Gruevski e preku fundin. “Gruevski ra në nivelin më të ulët, krimi nuk mblodhi forca të ballafaqohet me dënimin për veprat e tij. Gruevski duhet ta kuptojë se nuk mund të ikë nga drejtësia, nuk do të ikë nga përgjegjësia. Maqedonia është shtet ligjor në të cilin mbisundojnë ligjet. Për secilin që është dëshmuar se i ka shkelur ligjet dhe për çdo njeri që ka aktgjykim të plotfuqishëm do t’u përgjigjet veprimeve të veta. Drejtësi duhet të ketë dhe drejtësi do të ketë”, thuhet në reagimin e LSDM-së .