Politologu Sinisha Pekevski shprehet se anketat që bëhen gjatë kësaj periudhe duhet të merren me shumë rezervë, sepse qytetarët – në të shumtën e rasteve nuk janë të sinqertë në përgjigjet e tyre. Ai shprehet se rejtingu i partive më të mëdha po bie në mënyrë drastike, dhe shumica e votuesve të tyre, sidomos ata të VMRO-DPMNE-së, mund të kalojnë te “E Majta” e Apasievit
Xhenur ISENI
Shkup, 24 korrik – Në qershor të vitit 2017, për herë të parë pas më shumë se një dekade, një sondazh tregoi popullaritet më të madh të LSDM-së dhe liderit të saj Zoran Zaev sesa ai i VMRO-DPMNE dhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Bëhet fjalë për sondazhin Brima, në të cilin 22.4% e të anketuarve i besuan LSDM-së në atë kohë, para VMRO-DPMNE-së, e cila mori mbështetjen e 19.8% të qytetarëve të anketuar. Edhe në kategorinë e dytë, e cila mat popullaritetin e politikanëve kryesorë, lideri i LSDM-së dhe kryeministri Zoran Zaev, pas gati 11 vjet, mori primatin e rivalit Nikolla Gruevski. Në atë kohë, 17.7% e të anketuarve i besuan Zaevit, dhe 13% i besuan Gruevskit. Ndryshimi në vlerësim erdhi vetëm disa javë pasi socialdemokratët morën pushtetin. Katër vjet më vonë, vlerësimet e të dy partive në mesin e qytetarëve janë në rënie, e cila, sipas sondazheve gjatë këtij viti, është nën 20%.
Rezultatet e sondazhit të fundit të Brima, të porositur nga LSDM, tregojnë se partia në pushtet ende në mënyrë stabile qëndron në front. Në pyetjen e Brima: “Nëse zgjedhjet parlamentare mbahen sot, për cilën parti politike do të votoni”, 18.9 % e të anketuarve thanë se do të votonin për LSDM, ndërsa 16.3% për VMRO-DPMNE, dhe kjo tregon se LSDM ka një avantazh ndaj opozitës prej 2.6%. Sipas rezultateve, pason BDI me 6.3%, Aleanca për Shqiptarët me 5.9%, E Majta me 4.3%, Lëvizja BESA me 3.9% dhe PDSH me 1.6%. “Nëse marrim parasysh vlerësimin e Lëvizjes BESA, e cila është pjesë e koalicionit ‘Mundemi’, me të cilën garuam në zgjedhjet parlamentare, atëherë vlerësimi i koalicionit është më i lartë dhe është 22.8%,”, thonë nga partia në pushtet, LSDM.
Politologu Sinisha Pekevski shprehet se anketat që bëhen gjatë kësaj periudhe duhet të merren me shumë rezervë sepse qytetarët në të shumtën e rasteve nuk janë të sinqertë në përgjigjet e tyre. Ai shprehet se reitingu i partive më të mëdha po bie në mënyrë drastike, dhe shumica e votuesve të tyre, sidomos ata të VMRO-DPMNE-së, mund të kalojnë te E Majta e Dimitar Apasiev. “Anketat që po bëhen gjatë kësaj periudhe duhet të merren me rezervë sepse vlerësojë se nuk e pasqyrojnë mendimin real të qytetarëve. Një pjesë e madhe e qytetarëve nuk janë të sinqertë në përgjigjet e tyre sepse frikohen ta thonë mendimin e tyre ose nuk dëshirojnë që në të vërtetë të dihet se për kë do të votojnë. Gjithashtu vlerësojë se reitingu i partive më të mëdha në mënyrë drastike po bie, për dallim nga E Majta e cila do të fiton dhe merr shumë vota nga të dyja partitë, por më shumë nga VMRO-DPMNE për shkak të mospërmbushjes së premtimeve dhe mos pasjes asnjë qëndrim për asgjë nga ana e kësaj partie. Te votuesit shqiptarë është normale që bie reitingu i BDI-së për dallim nga Aleanca për Shqiptarët, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për jetë më të mirë të qytetarëve”, ka deklaruar për KOHA, Sinisha Pekevski, politolog. Analistët besojnë se qeveria ka një avantazh minimal ndaj opozitës, sepse nuk ka ndonjë skandal të madh që do të ndryshonte shpërndarjen e forcave. Vazhdimi i bllokadës bullgare dhe një “JO” nga BE për integrimin evropian të vendit, në të ardhmen mund të sjell edhe te ndryshimi i rejtingjeve.
ZAEVI ME REJTING MË TË LARTË, AHMETI PARA SELËS
Sipas sondazhit të Brima, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, edhe më tej mbetet politikani me reiting më të lartë dhe që gëzon besimin më të madh të qytetarëve. Nëse në vitin 2017 ai udhëhiqte me 17.7% para Nikolla Gruevskit i cili kishte 13% mbështetje në mesin e qytetarëve, tani ndryshimi midis liderit të LSDM-së dhe kundërshtarit të tij politik Hristijan Mickoski është dy herë më i madh. Kështu, 12.6% e qytetarëve thonë se kanë besimin më të madh te kryeministri aktual Zoran Zaev, ndërsa vetëm 6% e të anketuarve u deklaruan për Mickoskin.
Krahasuar me hulumtimin nga “Brima” të kryer në korrik të vitit 2020, mund të vërehet se ka një rritje të besimit të qytetarëve tek Zaev me 3.1 pikë përqindje, dhe një rritje në vlerësimin e LSDM. Atëherë 18,7% e të anketuarve u përgjigjën se do të votonin për LSDM, ndërsa 15,1% për VMRO-DPMNE-në. Sa i përket vlerësimit të liderëve të partive, 9.4% e të anketuarve u përgjigjën se kanë besimin më të madh te kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ndërsa vetëm 4.2% për liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Pozicioni i tretë në sondazhe është i rezervuar për BDI-në, mbështetja e të cilës po bie ngadalë në krahasim me sondazhet e vitit të kaluar. Nëse partia kishte mbështetjen e 8.2% e të anketuarve vitin e kaluar, sipas sondazhit të fundit nga korriku i këtij viti, ajo ka rënë në 6.3%. Por nga ana tjetër është përmirësuar reitingu personal i liderit të kësaj partie, Ali Ahmeti në krahasim me korrikun e vitit të kaluar kur kishte 2.8% reiting te qytetarët.. Sipas sondazhit të fundit të Brima, Ali Ahmeti me reiting prej 5.6% tejkaloi Zijadin Selën me 5.3%, por edhe Presidentin Stevo Pendarovski me 4.6%, Dimitar Apasiev me 3.5%. Për Pekevskin, rejtingu i Presidentit Pendarovski është një përjashtim nga të gjitha sondazhet e mëparshme. Sipas tij, presidentët tradicionalisht kanë shijuar vlerësime të larta në sondazhe, edhe kur qytetarët nuk ishin plotësisht të kënaqur me mënyrën e kryerjes së funksionit të tyre.
MATJA E FORCAVE
Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor, partitë kohët e fundit janë përpjekur të matin forcën e tyre përmes sondazheve të ndryshme. LSDM në pushtet udhëheq para opozitës në pothuajse të gjitha sondazhet në periudhën e kaluar, përveç në sondazhet e IPIS, drejtori i programit i të cilit është analisti politik Vlladimir Bozinovski, i cili njihet si person i afërt me strukturat e partisë opozitare, VMRO-DPMNE. Sondazhi i IRI-t në qershor të këtij viti, duke matur pulsin e qytetarëve për zgjedhjet lokale tregoi se LSDM do të fitonte 19% të votave, ndërsa VMRO-DPMNE do të kishte mbështetjen e 16% të votuesve. Partia e tretë, sipas anketës, do të ishte BDI, e cila do të kishte mbështetjen e 8% të votuesve, e ndjekur nga Aleanca për Shqiptarët dhe E Majta me mbështetjen e 4% të votuesve. Gjithsej 21% u përgjigjën se nuk e dinë për kë do të votojnë dhe 9% se nuk do të votojnë fare.
Në një anketë të Televizionit Telma /MCMS në dhjetor të vitit 2020, partitë zhvilluan një “garë të ashpër” për besimin e votuesve. Sidoqoftë, ai sondazh tregoi se krahasuar me të gjitha sondazhet e tyre të mëparshme nga viti 2016 e tutje, për herë të parë mbështetja për dy partitë më të mëdha në vend LSDM dhe VMRO-DPMNE ra nën 20%. Rezultatet atëherë treguan se 18.6% do të votonin për LSDM-në dhe 18.1% për VMRO-DPMNE, kështu që përparësia e LSDM-së ndaj opozitës VMRO-DPMNE ishte shumë e ngushtë me vetëm 0.5%. Kjo analizë gjithashtu tregoi se mbështetja për BDI është 6.7%, për Aleancën për Shqiptarët 4.6%, Alternativa 0.5% dhe për Lëvizjen BESA 2.4%. Sidoqoftë, përqindja më e madhe e të anketuarve, 21.1% atëherë thanë se nuk do të dalin për të votuar, 11.1% refuzojnë të votojnë dhe 6.4% nuk e dinin, gjë që tregon se votat e të pavendosurve janë akoma vendimtare për rezultatin në zgjedhje. (koha.mk)