Për propozim-ligjin e BDI-së për “veting” të funksionarëve, gjykatësve dhe prokurorëve, LSDM e Zoran Zaevit është shprehur e rezervuar, VMRO thotë se do ta shqyrtojë të njëjtin, ndërsa grupi i pavarur i deputetëve është shprehur “pro”
Destan JONUZI
Shkup, 13 korrik – Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) është e rezervuar për propozimin e BDI-së që pasuria e funksionarëve të ardhshëm të verifikohet para se të marrin detyrën, e jo pasi të kenë marrë detyrën siç është me praktikën e tanishme. Nga LSDM-ja vlerësojnë se Komisioni për parandalimin e korrupsionit, që po e bënë verifikimin, është një zgjidhje e mirë, shkruan gazeta KOHA. Por, megjithatë, nga kjo parti lënë hapësirë që propozimin të cilin e kanë marrë nga BDI e Ali Ahmetit, të shqyrtohet në grupin e saj parlamentar para se të merret një qëndrim final. Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE nuk kanë dashur të komentojnë për këtë çështje para se ta shqyrtojnë propozimin, ndërkaq grupi i pavarur i deputetëve është “pro”.
Eksperti juridik, Subhi Jakupi, thotë se propozim-ligji për “veting” i BDI-së është një mundësi e mirë për të kthyer besimin dhe kredibilitetin ndaj institucioneve, por edhe për të luftuar korrupsionin në organet shtetërore.
“Çështja e kontrollit financiar në këto 10 vitet e fundit ka humbur kredibilitetin. Edhe Enti për Revizion edhe Komisioni për parandalimin e korrupsionit mund të bëjnë kontroll dhe iniciojnë lëndë para gjykatës dhe prokurorisë, por për shkak të humbjes së kredibilitetit të tyre – doli edhe propozimi i BDI-së për formimin e agjencisë. Agjencia në fjalë mund të jetë një përforcim në kontrollin ndaj ish-funksionarëve dhe funksionarëve në detyrë, por jo vetëm edhe një avangardë në luftën kundër korrupsionit”, deklaroi për gazetën KOHA, Jakupi. Sipas tij, ky propozim padyshim se kërkon mbështetjen e të gjithë spektrit politik me qëllim që Ligji i propozuar për “veting” të aplikohet dhe të jep efektin e duhur.
“Të gjitha anketat flasin se korrupsioni nëpër institucione dhe gjyqësor në Maqedoninë e Veriut ende është prezent, andaj ky propozim ligj synon edhe eliminimin e korrupsionit nga organet shtetërore dhe gjyqësor”, nënvizon Jakupi. Me këtë propozim-ligj, BDI propozon, që të formohet një Agjenci e posaçme për verifikim, e përbërë nga 5 anëtarë me drejtor dhe zëvendësdrejtor. Propozon që Agjencia të verifikojë pasurinë edhe të gjykatësve të ardhshëm dhe prokurorëve, para se të zgjidhen, si dhe të gjithë kandidatët tjerë për funksione, duke filluar nga ata për kryetar shteti, deputetë, ministra, drejtorë, zëvendësit e tyre dhe anëtarët e këshillave drejtues dhe agjencitë shtetërore. (koha.mk)