LSDM do nënshkrimet, shqiptarët Platformën 

Fatos RUSHITI

Shkup, 4 shkurt – A do të kemi së shpejti qeveri të re, koalicion të zgjeruar, apo përsëri do të shkohet në zgjedhje të reja, kjo do të varet nga LSDM se a do të sigurojë përkrahjen e 61 deputetëve të partive politike shqiptare, shkruan gazeta KOHA. Që ta merr mandatin nga presidenti Ivanov, partia e Zoran Zaevit po punon në prapaskenë që të bind BDI-në e Ali Ahmetit, jo vetëm për sigurimin formal të nënshkrimeve, por për një marrëveshje të re për bashkëqeverisje, duke tentuar njëkohësisht që ta merr edhe përkrahjen e lëvizjes BESA për Qeverinë e re. Gazeta KOHA jozyrtarisht merr vesh se nënkryetarët e BDI-së, Nevzat Bejta, Teuta Arifi dhe Izet Mexhiti, kanë pasur takim të mbyllur për publikun me nënkryetaren dhe sekretarin e përgjithshëm të LSDM-së, Radmilla Sheqerinska, përkatësisht Oliver Spasovski. Temë e takimit merret vesh se kanë qenë oferta e të dyja palëve për një bashkëqeverisje të mundshme. Në rast se ka dakordim për Platformën shqiptare, me theks dygjuhësia në tërë territorin vendit, atëherë BDI mund t’i jap nënshkrime Zaevit për marrjen e mandatit, ndërsa vazhdimi i mandatit të Prokurorisë speciale nuk do të jetë e pengesë si në rastin gjatë bisedave me VMRO-në, thonë burime partiake për gazetën KOHA. Nga BDI zyrtarisht nuk konfirmuan asgjë në lidhje më këto bisedime, por as nuk i mohuan ato, duke përsëritur qëndrimin se i janë kthyer konsultimeve në parti për hapat e mëtutjeshëm. Ndërkohë, kryetari i partisë Ali Ahmeti, në emisionin Zigzag në TV Art, në lidhje me qëndrimet që do t’i merr BDI rreth formimit të Qeverisë, ka thënë se shqiptarët nuk do të zhgënjehen nga vendimi që do të merr partia e tij. “Ne nuk mund të marrim hapa të pamenduar. Kam theksuar me sinqeritetin më të madh se shqiptarët nuk do të zhgënjehen nga ai vendim që do marrë BDI, ku unë do të përpiqem bashkë me të gjithë bashkëveprimtarët të dëshmojmë që shqiptarët nuk do zhgënjehen. 99 herë do e matim e 1 do e presim, e jo të shpejtojmë se dikujt i shpejtohet”, ka thënë Ahmeti. Ai ka siguruar njëkohësisht opinionin se në BDI nuk ka asnjë përplasje dhe asnjë anim, por se ka debat të përgjegjshëm dhe kjo praktikë do të vazhdojë. Lidhur me takimin e mëhershëm që ka pasur me Zaevin, Ahmeti ka thënë se nuk do ishte mirë të zbulojë se çfarë është biseduar. Ndërkaq, sa i përket dështimit të bisedimeve me VMRO-në, Ahmeti pa asnjë pikë dyshimi ka thënë se ka qenë pikërisht Prokuroria Speciale Publike ajo që ata nuk e kanë pranuar. “Këtu ka dështuar sepse kërkoj të zbardhet e vërteta, PPS të vazhdojë dhe të zbardhim gjitha këto dilema dhe do ishim të qetë të vërtetohet. Unë dua që ata njerëz të jenë krenarë se do të binden dhe gjithë do të vërtetohen, por jo të lejohet secili të denigrojë BDI-në dhe shqiptarët. Ne kemi punuar e përpjekje që të përparohet në funksionim të një shteti dhe unë kam kërkuar me përfaqësues të VMRO që të zbardhet çdo gjë në proces gjyqësor, sepse fiton shteti, fiton e drejta, por mos marrim të amnistojmë ato që kanë bërë të palara, qofshin ato politikanë”, ka thënë Ali Ahmeti kryetar i BDI-së. Përveç BDI-së, edhe Lëvizja BESA ka pranuar se është në komunikim me LSDM-në, të cilës i jep mbështetje për të marrë mandatin nga presidenti, por nga kjo parti mohojnë zërat se LSDM po tenton t’i bind që të jenë bashkë në Qeveri “Të gjitha janë spekulime. Në këtë fazë kemi vetëm komunikim me LSDM-në dhe asgjë më shumë, pra kemi shprehur gatishmëri të mbështesim LSDM-në të formojë shumicë parlamentare. Pra, tani flasim vetëm për këtë gjë. Nëse arrin të merr mandatin dhe nëse na vjen ofertë për bashkëqeverisje, atëherë do bisedojmë për këtë punë, e kam fjalën për punën e kushteve tona për koalicion eventual”, thotë për gazetën KOHA Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes BESA. Murtezani thekson më tej se Platforma shqiptare është pikënisja, por kur bëhet fjalë për të hy në Qeveri, Lëvizja BESA ka platformën e vet. “Platforma shqiptare është pikënisja, përpos asaj ne kemi edhe platformën tonë për të cilën do flasim nëse pas formimit të shumicës parlamentare fillojnë bisedime për formim të qeverisë”, thotë mes tjerash Murtezani. “LSDM do të përpiqet që në periudhën e ardhshme të mbledhë së paku 61 deputetë që të ketë shumicë dhe të merr mandatin”, thonë shkurtimisht nga partia e Zaevit, duke mos dhënë detaje të tjera.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.