LSDM dhe BESA afër marrëveshjes për koalicion parazgjedhor?

3

LSDM-ja ka intensifikuar bisedimet për formimin e koalicioneve parazgjedhore. Zoran Zaev takon kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami për finalizimin e marrëveshjes së mundshme. Nuk dihen detaje nga negociatat e deritanishme, por në rrugë jo zyrtare mësohet se të dyja palët janë pajtuar në parim për bashkëpunim parazgjedhor. Nënkryetari i LSDM-së Oliver Spasovski thotë se organet e partisë punojnë në formimin e koalicionit të madh fitues.

“Jemi duke punuar në mënyrë intensive për koalicion me të gjitha partitë politike. LSDM-ja ka potencial të madh koalicionues dhe mund të flas për koalicion parazgjedhor pothuajse me të gjitha partitë në skenën politike. Pres që këtyre ditëve t’i përfundojmë të gjitha procedurat dhe ta mbyllim kapitullin e koalicioneve parazgjedhore me të gjitha partitë – tha Oliver Spasovski, Nënkryetar i LSDM-së.

Negociatat vazhdojnë edhe me subjektet nga bashkësitë tjera etnike.

“Negociojmë me partitë shqiptare, turke, serbe, rome, boshnjake dhe të gjithë të tjerët. Do ta bëjmë publik koalicionin pasi të merremi vesh me të gjithë për një koalicion të madh fitues – u shpreh Oliver Spasovski, Nënkryetar i LSDM-së.

Ndërkohë për koalicion parazgjedhor është duke punuar edhe VMRO-DPMNE-ja. Nga partia e Hristijan Mickoskit nuk bëjnë të ditur nëse në planin e tyre nëse ka ndonjë subjekt nga blloku politik shqiptar me të cilin synojnë koalicionin parazgjedhor. Në bllokun shqiptar deri tani është zyrtarizuar vetëm një koalicion parazgjedhor ai mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. BDI mbetet e vetme në garë, PDSH akoma nuk është përcaktuar.

Comments are closed.