Cunami ekonomik ka qenë sundimi kriminal 11 vjeçar i VMRO-DPMNE-së e cila e shkatërroi ekonominë e shtetit, paratë e Buxhetit i shpenzonte në tender kriminal, barok të rremë, përmendore, derisa qytetarët zhyteshin në varfëri, borxhe dhe pasiguri.
Ky ka qenë kundër reagimi i LSDM-së, ndaj kumtesës së sotme të VMRO-DPMNE-së opozitare.
Sipas partisë së Zaevit, e njëjta VMRO-DPMNE sot e cila drejtohet nga Hristijan Mickoski, “nuk ka çka tu ofrojë qytetarëve, nuk ka asnjë plan, ide apo program dhe prandaj vazhdimisht përhapin lajme të rreme”.
“Po shihet se VMRO-DPMNE nuk mund të pajtohet me sukseset ekonomike të Qeverisë e cila përmes reformave esenciale e stabilizon ekonominë dhe e vendos në rrugë të vërtetë. LSDM vazhdon të punojë me përgjegjësi dhe në interes të qytetarëve, ndërsa VMRO mbetet e ngatërruar në matricën e lajmeve të rreme dhe destruktive”, thuhet mes tjerash në komunikatën e LSDM-së.