Shkup, 28 maj -Sot partitë e shumicës parlamentare Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Bashkimi demokratik për integrim dhe Aleanca për Shqiptarët kanë finalizuar të gjitha qëndrimet drejt formimit të Qeveris së re reformatore, ndërsa jashtë Qeverisë do të mbetet Lëvizja BESA, shkruan gazeta KOHA. Kumtin për mbetjen në opozitë të Lëvizjes BESA sot në mesditë e tha edhe vetë kryetari i këtij subjekti, Bilall Kasami, ndërsa si arsye kryesore përmendi atë se mandatari për formimin e Qeverisë, Zoran Zaev, nuk ishte i gatshëm ti pranojë principet për qeverisje të përbashkët dhe të njëjtat ti nënshkruaj në një dokument. Sa i përket dilemës nëse do të mbështesin Qeverinë e re, kryetari i BESËS tha se nuk do t’i japin përkrahje Qeverisë me ministrat e propozuar nga BDI. “BESA, pavarësisht që do të jetë parti opozitare, do të mbështesë çdo iniciativë për të mirën dhe interesin e shqiptarëve, por edhe të të gjithë qytetarëve në vend. Do të jemi të gatshëm për implementimin e reformave. Sot mund të mburremi se ishim pjesë e rrëzimit të regjimit Gruevski-Ahmeti, por kemi ende shumë punë për të bërë. Duke mbetur konsistent në parimet e saj, BESA sot dëshmon se mbetet në anën e shqiptareve dhe jemi të bindur se votuesi do ta vërejë këtë qëndrim parimor dhe në zgjedhjet e ardhshme – do të përfundojë regjimi plotësisht”, theksoi Kasami. Nga ana tjetër, LSDM përmes një komunikate me shkrim njoftoi opinionin se me BESËN janë pajtuar për reformat urgjente që duhet ti marrë Qeverie e re, por se nuk kanë mundur të arrijë marrëveshje për disa çështje të caktuara. Nga LSDM shtuan se e kanë lënë derën e hapur për bashkëpunim lidhur me mbështetjen e BESËS ndaj reformave që do të pasojnë në Maqedoni. (koha.mk)