LSDM akuzon VMRO-në se po shpërndanë lajme të rreme

Partia maqedonase në pushtet, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) sot ka akuzuar partinë opozitare VMRO-DPMNE-në se po shpërndanë lajme të rreme, njofton Portalb.mk.

“Në vend të një qëndrimi të qartë për referendumin dhe çështjeve të rëndësishme, opinioni nga Hristijan Mickoski i VMRO-DPMNE-së ka marrë vetëm fraza të zbrazëta, shpifje dhe shpërndarja e lajmeve të rreme. Në vend se të shprehet për të ardhmen, për anëtarësim në BE dhe NATO, Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja nuk kanë qëndrim, nuk kanë plan dhe as vizion dhe pa orientim, me çka tregon joseriozitet dhe papërgjegjësi para qytetarëve në këtë momente historike në të cilin gjendet Maqedonia”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

LSDM edhe sot ka kërkuar nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski që të prononcohet për referendumin.

Përndryshe sot duhet të vendoset se sa hapësirë mediale do të marrin partitë në kuadër të fushatës së referendumit që do të mbahet më 30 shtator, në të cilën qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.

Ndërkaq për fushatën e referendumit janë paraparë të harxhohen 80 milion denarë nga Kuvendi i Maqedonisë, dhe 400 mijë denarë nga Qeveria e Maqedonisë.