Shkup, 23 janar – Opinioni shqiptarë në Maqedoni dhe sidomos kategoria më vitale e shoqërisë shqiptare në këtë vend, siç janë studentët, edhe njëherë po e përjetojnë peshën e diskriminimit nga pushteti, duke mos përfituar në mënyrë meritore nga bursat që për ta i ndanë MASH, e cila dëshpërimishtë, me vite të tëra drejtohet nga një Ministër shqiptar. Kështu thuhet në reagimin e LR-PDSH, sipas të cilës, kësaj radhe është ministri Pishtar Lutfiu që po u jep shuplakën e pushtetit studentëve shqiptarë, duke i përfshirë ata me vetëm 13% nga numrin e përgjithshëm i studentëve bursistë. “Kjo është një qasje amatoreske dhe e papërgjegjshme e Ministrit shqiptar Pishtar Lutfiu që thotë se: ‘edhe shqiptarët kanë pasur qasje dhe janë trajtuar në mënyrë edhe më të veçantë për të mos pasur pasoja’, sepse është pikërisht përgjegjësia e tij dhe e MASH që ai drejton, të gjej mënyra stimuluese dhe motivuese që nga këto bursa të përfitojnë sa më tepër studentë shqiptar. “A thua pikërisht shqiptarët nuk u takojnë kategorive sociale, apo a thua se nuk gjenden midis tyre studentë superior që meritojnë të përfitojnë nga këto bursa?!”, thuhet në reagimin e LR-PDSH-së, duke shtuar se “sigurisht që numri i studentëve shqiptarë të cilëve u takon që të marrin bursa nga kjo Ministri që buxhetohet në masë të madhe edhe nga taksapaguesit shqiptarë, është mjaftë i madh, dhe nëse jo tjetër, ky numër duhet të arrij minimum 25% të numrit të përgjithshëm të bursistëve, që do të ishte mbi 750 studentë”. “Por një gjë e tillë lë për të dëshiruar, sepse edhe ky veprim nuk dallon nga veprimet tjera diskriminuese të po kësaj ministrie që është manifestuar me forma të ndryshme, duke filluar që nga librat, bankat, objektet shkollore dhe deri te benificionet e ndryshme nga të cilat nuk marrin asgjë shkollat, nxënësit dhe studentët shqiptarë. LR-PDSH shprehë revoltën e saj për këtë veprim, prandaj edhe kërkon që Ministri Pishtar Lutfiu, të mbaj përgjegjësinë për këtë dështim dhe të del e tu kërkoj falje studentëve shqiptarë”.