Fisnik NUHIU
Shkup, 7 mars – Të dielën do të zhvillohen katër takimet e mbetura të javës së 22 në elitën e futbollit vendor. Të shtunën u zhvillua përballja mes Makedonia Gj.P. dhe Sileksit, ku fitues doli skuadra shkupjane duke triumfuar me rezultatin 1-0.
Sa i përket përballjeve të sotme, derbi i javës do të zhvillohet në qytetin e Tetovës ku do të takohen Shkëndija dhe Renova. Skuadra e Renovës në këtë përballje futet pas asaj fitore të rëndësishme ndaj Vardarit në mesjavë, ndërsa sot ndaj kuqezinjve do të kërkojnë fitoren e radhës që do ti mundësonte “gjipspunuesve” ngjitje në tabelë.
Edhe skuadra e trajnerit Ernest Gjoka dëshiron që nga kjo përballje të marrin tri pikë të reja për të ruajtur distancën prej gjashtë pikëve me ekipin e FC Shkupit.
“Në ndeshjen ndaj Renovës në pret një përballje e vështirë, sepse është një derbi i qytetit dhe ka rendësin e vetë. Respektojmë maksimalisht kundërshtarin por neve jemi Shkëndija dhe çdo ndeshje futemi për fitore, çdo rezultat tjetër për ne do të ishte e pa pranueshme. Besojmë në kualitet tona, potencialin tonë, kemi një ekip të fortë dhe me karakter. Jemi të gatshëm për të vazhduar fuqishëm rrugëtimin tonë drejt titullit kampion”, theksoi për gazetën Koha, mbrojtësi i Shkëndijës Mevlan Murati.
Derbi tjetër do të luhet në fushën sportive pranë FFM-së ku FC Shkupit pas fitores së rëndësishme në mesjavë si mysafire e Sileksit, e pret Rabotniçkin. Ekipi nga Çairi shpreson se edhe nga kjo përballje të marrin tri pikët e radhës që do ti mban në garë për titullin kampion.
“Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj Rabotniçkit, si gjithë tjerat. Ne e respektojmë kundërshtarin, por do të fitojmë tre pikët që të vazhdojmë rrugën tonë drejt ambicieve. Personalisht, ndihem më mirë ndeshje pas ndeshje. Isha jashtë konkurrencës për dy muaj, por më e mira nga unë pritet të vjen. Unë jetoj për të shënuar gola dhe kjo do të ndodhë. Shpresoj të shënoj golin tim të parë në këtë ndeshje, por gjëja më e rëndësishme është që ekipi të fitojë”, deklaroi sulmuesi i FC Shkupit, Rexhinaldo.
Në tri përballjet tjera që do të zhvillohen të dielën, skuadra e Vardarit në shtëpi pret Struga Trim Lum, Bellasica përballet me Akademija Pandevin dhe Pelisteri është nikoqire e Borecit.
Të gjitha takimet nisin në ora 14:00.