Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low ka lënë të kuptohet se do të konsideronte një lëvizje në Premier League pas “Euro 2020”. Low ka qenë pjesë e kombëtares gjermane që nga viti 2006, duke shërbyer fillimisht në stafin e ish-trajnerit Jurgen Klinsmann në Kupën e Botës, e cila u zhvillua në Gjermani, ndërsa suksesin më të madh “Die Mannschaft” e pati në Brazil 2014 ku fitoi trofeun.
Reputacioni i lartë i 58-vjeçarit mori një goditje të fortë verën e shkuar kur Gjermania dështoi të mbronte titullin e Kupës së Botës duke u eleminuar që në fazën e grupeve në Rusi, por kureshtja se ku do të shkaktojë veprimet e tij të ardhshme mbetet. “Premier League natyrisht është gjithmonë interesante”, u tha Low gazetarëve në “The Best FIFA Awards”, i cili është kontraktuar me Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) deri në vitin 2022.
“Është një ligë shumë e mirë, por ne do të shohim. Tani për momentin nuk mund të them saktësisht se çfarë do të ndodhë pas dy vitesh. Tani unë jam përgjegjës për ekipin kombëtar gjerman, kjo sjell shumë kënaqësi për mua dhe motivimin. Në dy vjet do të shohim”, shtoi Low, i cili në të kaluarën e afërt është lidhur edhe me një kalim në “Santiago Bernabéu” te Real Madridi. Klubi i fundit që Low ka drejtuar është Austria Wien në sezonin 2003-2004.