LOTARIA AMERIKANE: Shqipëria e pesta në botë, Maqedonia modeste

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 20 nëntor – Shtetasit e Shqipërisë renditen të parët në Ballkan dhe të pestët në botë në totalin e përfituesve të lotarisë amerikane ndër 201 shtete në botë, shkruan gazeta KOHA. Me kartë të gjelbër amerikane që ju mundëson të keni qëndrim të përhershëm në SHBA, të keni të drejta të ngjashme me shtetasit amerikan, me përjashtim të asaj se nuk keni të drejtë vote, nëpërmjet sistemit të lotarisë, në periudhën 1993-2015 janë pajisur gjithsej 90.121 qytetarë të Shqipërisë. Ato kanë përfituar 4.5 për qind të kulaçit të kartonit të gjelbër nga të gjitha shtetet që aplikojnë për këtë dokument.

Sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit dhe Departamentit për Siguri Kombëtare, Maqedonia renditet mjaft ulët sipas numrit të qytetarëve të saj që i janë gëzuar të drejtës të jetojnë legalisht dhe punojnë legalisht dhe me dokumente përkatëse në SHBA-të, përkundër mijëra e mijëra të huajve që kanë problem të ndryshme me rregullimin e dokumenteve për qëndrim dhe punë në Amerikë. Në periudhën e kaluar, 1993-2015, kartën e gjelbër e kanë përfituar vetëm 17.042 shtetas të Maqedonisë, që kanë fituar vetëm 0.30 për qind e kulaçit të kartës së gjelbër. Shifra mjaft të ulëta të fitimit të kartës së gjelbër ka edhe Kosova me 4218 përfitues dhe 0.06 për qind të totalit.

Nga shtetet e rajonit, pas Shqipërisë, me më shumë përfituese të së drejtës që në mënyrë legale të punojnë dhe jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, renditet Bullgaria me afër 3.6 për qind të totalit të fituesve ose me 70.332 qytetarë përfitues të këtij dokumenti. Shifër të lartë shënon edhe Rumania me 2.74 për qind ose 100.436 përfitues. Shifra më të larta në botë kanë shtetasit e Etiopisë me 6.38 për qind dhe 200.417 përfitues, Nigerisë me 5.94 për qind osee 214.372 përfitues, Ukrainës me 5.04 për qind ose 253.865 përfitues dhe Egjiptit me 5.11 për qind ose 148.069 përfitues.

Nga shtetet fqinje përfitime të vogla ka edhe Greqia me 0.17 për qind ose 20.343 përfitues, Serbia me 4255 përfitues apo 0.05 për qind të totalit, Kroacia me 0.07 për qind ose 17.749 përfitues, dhe Bosnja e Hercegovina me 0.08 për qind ose 121,026 përfitues.

Në ndërkohë, studimi vjen në një kohë që presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar anulimin e lotarisë, pas sulmit më të fundit terrorist në vend, autori i të cilit ishte një person që kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet lotarisë amerikane.

Kongresi amerikan sajoi vizën e diversitetit si pjesë e Aktit të Emigracionit të vitit 1990, me qëllim që të ofrojë mundësi të ligjshme të emigracionit për emigrantët irlandezë që po iknin nga një krizë ekonomike në vendin e tyre. Më pas, kongresmeni Chuck Schumer kishte një rol të madh në nxitjen e idesë për t’u përfshirë në Aktin bi-partizan 1990 të emigracionit, të cilin Kongresi e miratoi me shumicë, ndërsa më vonë u nënshkrua nga Presidenti Xhorxh Bush. Për çdo vit janë miratuar pesëdhjetëmijë karta “ Green Card”, përmes lotarisë së diversitetit, e cila fillon të zhvillohet në fillim të muajit majit.

Në periudhën 1993-2015 nga e tërë bota, kartën e gjelbër e kanë fituar afër 20 milion qytetarë nga gati të gjitha shtetet e botës . Thënë më saktë me “ Green Card” janë pajisur 19.101.716 shtetas të ndryshëm anekënd botës. Aplikantët kryesorë për vizën e diversitetit duhet të kenë të paktën një shkollim të mesëm, dy vjet përvojë pune dhe të mos jenë të papranueshëm sipas Ligjit të emigracionit të SHBA për të marrë një vizë diversiteti. Aplikantët kryesorë mund të sjellin me vete bashkëshortin e tyre dhe fëmijët e mitur dhe të pamartuar, por që nuk llogariten brenda totalit të 50,000 përfituesve. Ata që hyjnë në garën për lotarinë e vizave të diversitetit mund të jenë vetëm nga vende të caktuara që dërguan më pak se 50,000 emigrantë pa viza të diversitetit në Shtetet e Bashkuara në pesë vitet e para lotarisë. (koha.mk)