Loriana Kuka ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Xhudos, që është duke u zhvilluar në Japoni, shkruan zeri.info
Xhudistja kosovare arriti që ta rrëmbejë medaljen përmes repasazhit, derisa më herët ishte mposhtur në çerekfinale.
Në luftën për medaljen e bronztë, Kuka triumfoi ndaj sllovenes Klara Apotekar.
Në luftën e parë të repesazhit në kategorinë deri në 78 kilogramë, xhudistja kosovare e mposhti xhudisten nga Britania e Madhe, Natalie Powell, e cila e kishte fituar medaljen e bronztë në Botërorin e vitit 2017.
Xhudistja kosovare pësoi disfatë në çerekfinale kundër brazilianes Mayra Aguilar, duke bërë kështu që t’u japë fund shpresave për medalje të artë ose të argjendtë dhe t’i futet garës për të bronztën. Kosovarja e kaloi rundin e parë pa luftë, ndërsa në rundin e dytë u përball me gjermanen Luise Malzahn, të cilën arriti ta mposhtë vetëm në kohën “Golden Score”.
Në rundin e tretë, Loriana u tregua shumë e fortë për argjentinasen Lucia Cantero, të cilën e mposhti me ippon.
Megjithatë, rrugëtimi i saj drejt të artës nuk zgjati edhe shumë pasi që në çerekfinale pësoi disfatë.