Ëndrra, shpresa, dëshira dhe zhgënjime. Merkato e futbollit është e përbërë nga emocione që mund të lindin edhe nga negociata të dështuara. Ndonjëherë, këto negociata mund të dështojnë për arsye nga më të çuditshmet. Në 2013-ën, kalimi i Maresca-s te Torino dukej i sigurt, por trajneri Ventura, në atë kohë trajner i “Demave”, ka pranuar se është ndikuar nga e kaluara juventine e lojtarit. Në fakt, tifozët nuk e donin në ekip: 12 vite më parë, kur luante tek Juventus, Maresca ka shënuar gol në derbi dhe ka festuar duke bërë gjestin e brirëve. E pamundur të falej. Dhe ky nuk është një rast i izoluar: në 1995-ën, ish-presidenti i Lazio-s, Cragnotti, kishte shitur Signori-n te Parma për 25 miliardë lireta. Por Mbreti Beppe nuk ishte një lojtar çfarëdo për tifozët: kishte qenë pikërisht ai që e kishte nxjerrë Lazio-n nga mediokriteti me një lum golash. Negociatat kanë dështuar për 5000 arsye. Kaq kanë qenë tifozët që kanë dalë në rrugët e Romës për të protestuar. Ky qëndrim ka zemëruar Cragnotti-n, i cili i ka thënë tifozëve me një komunikatë për shty: “Mbajeni Signori-n, unë po shes Lazio-n”. Histori merkatoje, histori negociatash dështuara.
Por tani po bëjnë bujë deklaratat e Melvyn Lorenzen, sulmues krahu i Werder Bremen, i cili ka pohuar se ka refuzuar disa transferime për shkk se… “Yjet ishin kundër meje”. Nuk është hera e parë që Lorenzen ka përfunduar në faqet e para të gazetave për shkak të disa sjelljeve të veçanta. Në shtatorin e 2015-ës është paraqitur në grumbullimin e ekipit më një “baguette” (bukë franceze) të madhe në dorë. U kthye menjëherë në shtëpi nga ekipi. Konsiderohet një nga talentet më të mirë të moshave të Werder, por shpërthimi i 22-vjeçarit nuk ka ardhur akoma, dhe në sezonin e kaluar nuk është grumbulluar asnjëherë me ekipin e parë. Për këtë arsye klubi e ka nxjerrë në merkato. Më kot, sepse Lorenzen nuk ka ndërmend të largohet, të paktën për momentin: “Kam oferta nga Gjermania dhe nga jashtë, – ka pranuar, – por po pres që yjet të jenë në favorin tim. Është e rëndësishme që të ndodhë kjo në momentin e nënshkrimit të kontratës. Për këtë arsye kam refuzuar disa oferta”.
Nuk është një shaka, Lorenzen beson me të vërtetë tek yjet. “Është shumë i aftë në matematike, mjekësi dhe astrologji, – ka shpjeguar Lorenzen. – Di me saktësi se çfarë ndodh brenda meje, mund të parashikojë ngjarjet në jetën time. Më ndihmon psikologjikisht dhe fizikisht. Marrëdhënia mes nesh është shumë e thellë. Nuk mund ta përmend emrin e tij në publik, sepse nuk i pëlqen. Është një mister X”. Sipas Lorenzen, “Mister X” është me të vërtetë në gjendje të parashikojë të ardhmen: “Në verë është takuar me drejtuesit e Werder dhe i ka thënë atyre se me Skripnik si trajner, klubi do të kishte luftuar për mbijetesë. Ka pasur të drejtë”. Pasi ka humbur tri ndeshjet e para të kampionatit, Werder vendosi të ndërronte trajner dhe t’ia besonte ekipin Nouri-t, me të cilin ka shkuar afër kualifikimit në kompeticionet europiane. Një klasifikim që mund të ishte arritur, nëse klubi do të kishte dëgjuar këshillën e menaxherit astrolog të Lorenzen. Edhe për këtë arsye Melvyn tani refuzon të nënshkruajë kontrata të reja. Nga ana tjetër, merkato e futbollit ka edhe raste të tilla: ëndrra, shpresa, dëshira dhe zhgënjime. Por edhe parashikime.