Bota e futbollit tek shqiptarët është shumë e pasur me talent që kanë treguar punë të jashtëzakonshme në fushën e gjelbërt. Një ndër to – që është në hapat e parë, është dhe djaloshi me prejardhje nga Kosova por i lindur dhe rritur në Zvicër, Loran Shehu. Ka luajtur për Lozanën, Lecce dhe Cretën, ndërsa tash është fokusuar në Zvicër e që uron se brenda një kohe të shkurtër, do të ketë të drejtën të përfaqësojë dhe Kosovën. Njihuni më mirë në këtë intervistë për InfraRed të gazetës KOHA dhënë nga ylli i ri i futbollit
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si lindi “dashuria” jote për futbollin?
Kam filluar qysh si 4 vjeçar, kam dashur të luaj për shkak se gjithmonë kam shkuar në ndeshje futbollistike të shoh tre vëllezërit e mi dhe ka qenë një pasion i jashtëzakonshëm që ka shpërthyer tek unë.
KOHA: Në familjen tënde, ka patur të tjerë që janë marrë me futboll?
Sigurisht, babai im ka luajtur bashkë me një kushëri timin atë kohë për Prishtinën.
KOHA: Na fol pak për ecurinë tënde në futboll…
Kam lindur në Zvicër dhe jam rritur me ngjyrat e sportit të Lozanës e më pas kam luajtur në Itali më saktësisht në Lecce si një 14 vjeçar, si 18 vjeçar më pas kam qenë në Greqi në klubin e Crete e më pas vendosa që të kthehem në Zvicër dhe të koncentrohem tek vendi ku kam lindur me shpresë që një ditë do të shkëlqej më shumë diku…
KOHA: Çfarë do të veçoje nga eksperienca jote e deritanishme?
Kam mësuar shumë nga kultura e futbollit, kam qenë njëherë në Shqipëri tek klubi Vllaznia dhe në atë kohë drejtori Eugent Zeka ishte një xhentëlmen i futbollit, në gjithë këtë unë shpresoj që të forcoj më shumë veten me gjithë këtë eksperiencë personale.
KOHA: Çfarë synon në të ardhmen në karrierë?
Shpresoj që të integrohem tek profesionistët dhe një ditë të jem i gatshëm të përfaqësoj edhe Kosovën.
KOHA: A mendoni se karriera jote e deritanishme ka ecur ashtu siç e kishe ëndërruar më parë?
Jo, kam pasur problem me njerëz që më kanë shqetësuar por unë mbaj kokën lartë dhe vazhdoj të punoj që të hap dyert e mia me sukses.
KOHA: Po për Kombëtaren shqiptare, ç’mendim ke në përgjithësi?
Nuk ka lidhje qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, të dy kombëtaret kanë demonstruar që janë shumë lartë nga të tjerët.
KOHA: Cila është problematika që të ka “bezdisur” më shumë gjatë karrierës tënde?
Nuk kam ndonjë memorie të keqe dhe sikur ndonjë gjë mos të shkojë sipas planit unë mendoj se do të ishte mësim që të qëndroj më i fortë në të ardhmen.
KOHA: Ka patur ndonjë moment të keq, deri tani, në rrugën tënde?
Jo, ashtu siç ju thash unë kujtoj vetëm gjëra pozitive, disa janë shumë shpresdhënëse se sa të tjerat por në secilën kohë të tyre janë objektive sigurisht.
KOHA: Po ndonjë moment që do ta veçoje në aspektin pozitiv?
Do të thosha lojën time tek Bayern Munich, arrita të jap 4 gola dhe e gjithë loja ishte shumë impresionuese.
KOHA: Përveç futbollit, çfarë pasioni tjetër ke?
Nuk kam ndonjë pasion tjetër, kam lojë çdo ditë dhe nëse kam ndonjë kohë të lirë unë ushtroj sepse është e gjithë ajo që dua.
KOHA: Cili është futbollisti që do dëshiroje të arrije një karrierë si e tij, një emër që e shikon si idhull?
Shembull që do thosha është për mua Zidane, por sikur të më thoshin që zgjidhja karrierën e ndonjërit do ishte Del Piero, Totti ose Maldini, sepse admiroj karrierën e tyre.
KOHA: Kur luan, familja të ndjek në stadium apo vetëm përmes televizionit?
Po, familja ime ndjek thuajse secilën lojë timen tash që jetoj në Zvicër, kur isha jashtë sigurisht përmes televizionit.
KOHA: Çfarë dëshiron të arrish këtë vit?
Të fitoj kampionin e ligës me klubin tim dhe sikur të kisha ndonjë ofertë më të volitshme sigurisht që do ishte mirë për mua.
KOHA: Ku e shikon veten pas 10 vjetësh?
Uroj që të jem në gjendje të prezantoj shtetin tim në 10 vitet e ardhshme.
KOHA: Në fund, ka diçka për të shtuar?
Ju falënderoj për intervistën, ju dëshiroj suksese gazetës KOHA dhe pse jo emri im të bëhet gjithnjë e më i njohur edhe përmes gazetës tuaj.