Lopetegui deklarohet pas shkarkimit nga Reali

Julen Lopetegui ka falënderuar tifozët e Real Madridit pas vendimit të klubit për shkarkim të tij.

52-vjeçari u shkarkua nga pozita e tij si kryetrajner te “Mbretërit” pas demolimit 5 me 1 nga Barcelona të dielën.

Reali konfirmoi përmes një njoftimi të hënën duke thënë se “ka dallim të madh mes kualitetit të skuadrës, që ka tetë lojtarë të nominuar për Topin e Artë, dhe rezultateve të nxjerra deri tash këtë sezon”.

Gjithsesi, Lopetegui ka refuzuar të përgjigjet dhe vetëm ka falënderuar të gjithë në klub.

“Pas vendimit të marrë nga bordi i drejtorëve të Real Madridit, dua të falënderoj klubin për mundësinë që më dha. Faleminderit lojtarëve për përpjekjet dhe punën e tyre si dhe për të gjithë secilin nga punëtorët, për trajtimin e mirë gjatë kësaj kohe. Sigurisht mirënjohje për fansat për përkrahjen. U uroj më të mirën për pjesën e mbetur të sezonit”, ka thënë Lopetegui, raporton “Goal”.

Santi Solari, trajneri i të rinjve te Reali, do të shërbejë si trajner i përkohshëm deri sa të gjendet një zëvendësues i Lopeteguit.