Ekspertët ekonomik vlerësojnë se vonesa apo refuzimi i pagesës së taksës radiodifuzive në Maqedoni vjen për shkak të dilemës së taksapaguesve se çka fitojnë me pagesën e saj. Edhe një fermë lopësh ishte futur në listën e taksapaguesve, ndonëse aty nuk kishte shikuar askush televizor
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 prill – Drejtoria e të Ardhurave Publike do të bllokojë me dhjetëra mijë firma për shkak të vonesave në pagesën e taksës radiodifuzive. DAP ju ka dërguar paralajmërime kompanive se në rast të mos-pagesës së këtij detyrimi të vlefshëm disa miliona euro, do të paguajnë krahas borxhin themelor, edhe harxhimet për zhbllokimin e llogarive, shkruan gazeta KOHA. Kompanitë kanë borxh prej disa miliona euro në emër të taksës së vjetër së radiodifuzionit e cila edhe zyrtarisht u anulua nga qeveria e re në shtator të vitit të kaluar. Megjithatë borxhi i vjetër ndaj DAP akoma është aktual dhe nuk vjetrohet, andaj edhe duhet të paguhet.
Në ndërkohë, prej tetorit të muajit të kaluar, qytetarët dhe kompanitë më nuk kanë borxh të paguajnë kompensimin për televizionin, pasi deputetët me 70 vota për miratuan ndryshimet në Ligjin për shërbime audio dhe audio vizuale. Dispozitat e reja ligjore parashikojnë që të ardhurat që deri tani Radio Televizioni i Maqedonisë i ka fituar përmes grumbullimit të kësaj takse, në të ardhmen të kompensohen me të holla buxhetore.
Nga Drejtoria për të Ardhura Publike disa herë kanë sqaruar për opinionin se taksa radiodifuzive duhet të paguhet deri në muajin shtator të vitit 2017, ndërsa kanë apeluar tek qytetarët dhe kompanitë që të paguajnë borxhet e mbetura për këtë kompensim.
“Qytetarët dhe bizneset kanë obligim të shlyejnë të gjitha borxhet e mbetura në bazë të vendimeve për pagesën e taksës radiodifuzive për periudhën janar 2011 deri në shtator të vitit 2017. Për të gjitha rastet e tjera specifike, me qëllim të mbylljes së rregullt të kartelave financiare që DAP i udhëheq për obliguesit e taksës radiodifuzive qoftë qytetarët apo firma, do të publikohen informacione shtesë në ueb faqen e DAP”, thonë nga DAP.
Në ndërkohë , ekspertët ekonomik vlerësojnë se ka më shumë arsye të vonesës apo edhe refuzimit të pagesës së taksës radiodifuzive në Maqedoni. Sipas tyre, zhagitja e pagesës së taksës radiodifuzive në Maqedoni vjen për shkak të dilemës së takspaguesve se çka fitojnë me pagesën e saj. Kontestohet edhe absurditeti i pagesës së saj nga ana e një ferme lope që nuk përkon me natyrën e veprimtarisë bujqësore.
Ekonomistët thonë se është absurde që një fermë lopësh të paguajë atë. Problem është edhe mungesa e kulturës ballkanase për pagesën me kohë të borxheve të ndryshme.
“Është krijuar një mosbesim tek qytetarët , por edhe tek bizneset se sa në të vërtetë fitojnë diçka me pagesën e këtij detyrimi ligjor si dhe për mënyrën se për çka harxhohen konkretisht këto të holla qoftë edhe për një pagesë prej tre euro në muaj. E dyta shtrohet edhe çështja , nëse ka qenë e kuptueshme se qytetarët duhet të paguajnë për taksën radiodifuzive, atëherë pse një qumështore , apo një punëtori e thjeshtë apo një dyqan i vogël duhej të paguajë këtë detyrim ligjor për shkak se pagesa e saj nuk përkon për shembull me përpunimin e qumështit apo prodhimtarinë e ushqimit .Të gjitha këto shkaqe, më vonë kanë rritur edhe mllefin për pagesën e taksës radiodifuzive”, thotë profesori universitar Mislim Zendeli.
Sipas tij, problem me vonesën e pagesës radiodifuzive, por edhe mospranimin e pagesës së saj mund të shpjegohen edhe me traditën e vjetër ballkanase dhe jo vetëm të Maqedonisë të mos-pagesës me kohë të borxheve të ndryshme.
Problem jo i vogël në këtë drejtim është edhe fakti se taksapaguesit e rregullt shpesh injorohen dhe dënohen, ndërsa biznesi informal nuk i nënshtrohet asnjë pagese shton më tej Zendeli. Ndryshe, edhe në vitet e kaluara nuk kanë munguar apelet e DAP që qytetarët të paguajnë borxhet e mbetura të taksës radiodifuzive për shkak se në të kundërtën do t’ju bllokohen llogaritë. Për çdo vite edhe nga qyteti i Shkupit apelojnë tek qytetarët që të paguajnë me kohë tatimin e pronës me qëllim që të mos ju bllokohen llogaritë e tyre. (koha.mk)