Londër, 11 janar – Deputetët britanikë, të cilët planifikojnë të mos e mbështesin Marrëveshjen për Brekzitin, që para dy muajve e arritën Qeveria britanike dhe Brukseli, rrezikojnë të shkaktojnë bllokim të Britanisë së Madhe dhe mundësi që vendi të mos e braktisë Bashkimin Evropian në datën e paraparë, më 29 mars, paralajmëroi sot shefi i diplomacisë britanike, Xheremi Hant.
Nëse Parlamenti britanik në votimin e paraparë të martën e refuzon Marrëveshjen e arritur për dalje të Britanisë së Madhe nga BE-ja, është e mundur të vijë deri te “Brekziti pa marrëveshje”, që shkakton paqartësi të madhe dhe frikë nga kaosi i mundshëm në vend.
“Nëse Marrëveshja hidhet poshtë, sipas të gjitha gjasave do të futemi në paralizë dhe nuk do të mund ta realizojmë atë për çka votoi populli (në referendumin për Brekzitin në vitin 2016)”, deklaroi Hant për televizionin Skaj Njus.
Deputetët britanikë të cilët janë të vendosur në qëndrimin e tyre që vendi ta braktisë BE-në, nuk dakordohen me disa dispozita të Marrëveshjes së arritur për Brekzitin dhe dëshirojnë ndërprerje të plotë të lidhjeve mes Britanisë së Madhe dhe Unionit.
Hant vlerësoi se disponimi i shumicës së deputetëve në Parlamentin në Vestminster është që vendi të mos e braktisë Unionin pa marrëveshje, me çka do të bllokohej i tërë procesi i Brekzitit.
“Mendoj se tani ka gjasa shumë më të vogla që Parlamenti të lejojë Brekzit pa marrëveshje”, potencoi Hant.