Menjëherë pasi Kryeministrja Theresa May aktivizoi Artikullin 50 të Traktatit të Lisbonës, çka shënoi hyrjen në fuqi të Brexit, Britania e Madhe gjendet mes shumë pikëpyetjesh lidhur me hapat institucionalë që parashikohen. Synimi kryesor i qeverisë britanike është tranzicioni i butë e i qëndrueshëm, pasi me shkëputjen nga Bashkimi Evropian bien normat dhe gjykatat evropiane. Vetë Theresa May e vuri theksin pikërisht të ky shqetësim, duke nënvizuar se Britania e Madhe nuk i kthen shpinën Evropës. “Vendimi për t’u ndarë nuk është refuzim i vlerave që edhe ne si evropianë ndajmë me Unionin dhe si vend evropian ne do të vijojmë të bëjmë pjesën tonë”. Qëndrimet në vend janë të ndryshme. Për disa është një ditë shprese, ndërsa për të tjerë është një nga zhgënjimet më të mëdha. Aktivizimi i Brexit provokoi efektin domino në Skoci, ku Kryeministrja Nicola Sturgeon firmosi zyrtarisht kërkesën për një referendum të dytë të Skocisë, për shkëputje nga Britania e Madhe. Mirëpo Londra e kundërshton një hap të tillë, duke u shprehur se do ta bllokojë atë pasi vjen në një moment të gabuar.