Britania e Madhe vlerëson se thirrjet për ndryshim të kufijve të Ballkanit mund të sjellin destabilitet në rajon, kumtoi sot Ambasada britanike në Prishtinë.
“Besojmë se thirrjet për ndryshim të kufijve kombëtarë mund të shkaktojnë destabilizim”, theksohet në përgjigjen e Ambasadës deri te Radio Evropa e Lirë – programi në gjuhën shqipe.
Në letrën e Ambasadës theksohet se Qeveria britanike mbështet normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për të cilat vlerëson se janë me rëndësi vitale për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të dy vendeve dhe të rajonit në përgjithësi.
Në ditët e fundit edhe nga Beogradi edhe nga Prishtina po promovohen ide për ndarjen e Kosovës, për shkëmbimin e territoreve ose për korrigjim të kufirit, si pjesë e procesit për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dje edhe Stejt Departamenti i ftoi Prishtinën dhe Beogradin të tregojnë largpamësi dhe fleksibilitet që të arrijnë marrëveshje e cila do të jetë e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk do të krijojë destabilitet në asnjërën prej të dyjave shteteve ose në rajon.
“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim të dyja palët dhe BE-në si ndërmjetësues. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje e cila do të jetë e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk do të krijojë destabilitet në asnjërën prej të dyjave shteteve ose në rajon. Për këtë nevojitet largpamësi dhe fleksibilitet nga të dyja palët”, kumtoi Stejt Departamenti, duke shtuar se thelbi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të vijë nga të dyja palët negocuese.
Në kumtesën më tej theksohet se SHBA-ja i inkurajon Prishtinën dhe Beogradin “të ndërmarrin përgjegjësinë për gjithë procesin, të ndalojnë me retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive”.