Ditëve në vijim pritet që Ministria e Shëndetësisë të vendos mbi masat e tjera restriktive për mbrojtje ndaj virusit, edhe pse akoma nuk ka informacione të qarta se mos vallë mund të ketë rikthim të orës policore gjatë fundvitit
Arbër KADRIU
Shkup, 28 nëntor – Së fundmi u miratua vendimi për shpalljen e gjendjes së krizës në të gjithë vendin, pasi gjendja e të prekurve me Kovid-19 është shqetësuese. Ndërkohë që numri i të infektuarve skajshmërish rritet, lokalet dhe kafenetë gjithandej janë të stërmbushura me klientë, të cilët mund të rrezikojnë shëndetin e tyre, por edhe të tjerëve. Në anën tjetër, me rekomandim të Komisioni për Sëmundje Infektive, Qeveria ka shkurtuar orarin e punës të objekteve hotelierike, ato tanimë punojnë gjerë në ora 21:00.
Nga Oda e pavarur hotelerike thonë se propozimi i ri i Komisionit për Sëmundje Infektive, që objektet hotelerike të punojnë deri në ora 21, do t’i detyrojë të bëjnë racionalizim të personelit, dhe se sipas tyre, kjo do të shkaktojë largime të mëdha nga puna. “Le të jemi të qartë, objektet hotelerike do të bëjnë çmos për t’i mbajtur ata dhe jo për të larguar nga puna punonjësit e tyre. Por ajo që ne presim të ndodhë është që punëtorët e hotelierisë nuk do të kenë më të njëjtin zell, interes, dëshirë dhe nevojë për të punuar dhe kërkuar punë në sektorin e hotelierisë sepse nuk do të jetë në gjendje të ofrojë stabilitet me siguri në punë dhe shpërblimi i duhur, i cili do të kontribuojë në shfaqjen e pushimeve masive nga vetë punëtorët”, thonë nga Oda e hotelerisë, Ndërkaq, nga Oda e Pavarur Gastronomike (OBG), sa i përket atyre për opinionin e gjerë pohojnë se gjatë periudhës së dimrit do të duhej të mbyllen të gjitha lokalet, baret apo kafenet e ndryshme, pasi kjo do të ishte mënyra më e mirë për t’ju shmangur virusit korona. “Në objektet gastronomike ku respektohen protokollet e punës, shanset për përhapjen e KOVID 19 janë ulur në minimum, teorikisht janë të pamundura, sepse ka shumë vende të tjera ku korona mund të merret shumë më lehtë sesa në objekte gastronomike”, deklaroi Zdravko Josifovski nga OPG.
Punonjës të shumtë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit për gazetën tonë na thonë se masat po respektohen në vazhdimësi edhe pse përkundër faktit të përkufizimit të orarit të punës që ndikon negativisht në buxhetin ekonomik të bizneseve të tyre. Ata potencojnë se në pikëpamje të ndryshme nuk janë vetëm kafenetë shkaku kryesor për përhapjen e virusit që sipas tyre mund të jenë edhe autobusët e qytetit, tregu i gjelbër, evenimentet e ndryshme të institucioneve e kështu me radhë. Lidhur me këtë shqetësim, drejtori i Odës Ekonomike së Maqedonisë Veri Perëndimore, Nebi Hoxha potencon se njerëzit gjatë kësaj periudhe hasin problematika dhe halle të shumta, kështu që sipas tij, nuk do të thotë që kafenetë janë shkaku kryesor për përhapjen e virusit. “Natyrisht që pandemia ka shkaktuar shumë problematika dhe njerëzit në përgjithësi hasin halle dhe derte kështu që unë mendoj që nga analizat e vazhdueshme që ne si OEMVP i bëjmë, mund të theksojë që vendtakimet si kafenetë, baret apo lokalet e tjera nuk janë shkaku kryesorë i përhapjes së virusit por ta kemi të qartë se duhet të respektohen në përpikmëri të gjitha rekomandimet shëndetësore. Gjithashtu orari i përkufizimit të punës ka ndikuar negativisht por shohim se çka do të ndërmerret në të ardhmen nga qeveria”, deklaroi për KOHA, Hoxha.
Ndryshe, ditëve në vijim pritet që Ministria e Shëndetësisë të vendos mbi masat e tjera restriktive për mbrojtje ndaj virusit, edhe pse akoma nuk ka informacione të qarta se mos vallë mund të ketë rikthim të orës policore gjatë fundvitit. (koha.mk)