Nga Xheladin MURATI
Është vështirë të shpjegosh se çfarë ndodh në politikë dhe në shtetin ku jetojmë. Pyetja themelore është: a do të jetë ose jo shteti sepse një ridefinim i tij është mbase i arsyeshëm. Kam bindjen se fundi i ëndërruar i VMRO-së nuk erdhi siç e pritën po as i BDI-së njësoj. Dhe që të dyja u kanë hyrë ujërave të turbullta dhe më shumë e turbullojnë. Nuk i dihet se ku do të del. Kjo mbase BDI me startin më të dobët në historinë e shkurtër të saj kërkon fillim spektakular. Këtu ngecin punët sepse përpiqet të ruaj dy karrige. Njërën s’do ta lëshon e tjetrën s’mund ta mbaj. Kjo i ngjanë një thënies së pleqve të Xhepçishtin tim kur i ruanin bostanet nga hajdutët:“O babë e kam zënë një hajdut, mbaje, po sën e mba, lëshoje po nuk më lëshon”. Kështu politika dhe shteti mbeten siç thuhet “as te Hata, as te Hita”. Partitë politike udhëhoqën kampanjë populiste me gjuhë urrejtjeje dhe të helmatosur me nacionalizëm, kampanjë që ishte kundër shtetit por për pushtet, me çka nuk dyshoj se donin ta vazhdonin rrugën e trasuar në mbrojtje dhe jo të dënimit të kriminelëve e të korruptuarve dhe të kompremetuarve. Por sovrani (populli) e solli vendimin, me çka nuk dyshoj se ashtu duhej. Konceptualizimi dhe dekonceptualizimi i politikës aktuale është esence dhe tendencë e cila çon drejt triumfit të demagogjisë dhe ofron eksperienca të dështuara, ofron rrugën e izolimit. Fituesit, siç pretendojnë të thirren në të dy taborët janë në kërkim të ideve për ta bërë jetën e tyre më të bukur, janë politikanët që duan të mbeten në pushtet, pavarësisht se çka mund të ndodh. Thelbi i tyre është politika personale apo elitare e drejtimit të shoqërisë, të shtetit dhe jo e shprehjes së interesave të qytetarëve të cilët ua dhanë votën. Kësisoj partia, politikanët sjellin fundin e karrierës së tyre.
Lufta për pushtet është gjë e natyrshme, por e panatyrshme është ajo të fitohet pa merita, me kërcënime, shantazhime. Dhe është normale që partitë apo liderët e tyre të jenë të hidhëruar, të hutuar dhe agresiv. Por një gjë është me rendësi se politika që nuk u ka shërbyer qytetarëve me të gjithë vullnetin e duhur madje fitoren e siguron me luftë bërrylash, prandaj, nuk duhet t’i gëzohen fitores. Rreziqet dhe telashet nga kjo politikë që i vuan populli janë evidente në formë eksplicite dhe implicite. Në radhë të pare sepse trajtohen tema të vjetra me paketime të reja (ndarja e buxhetit proporcional, zyrtarizimi i gjuhës shqipe (bëhet me kushtetutë jo me ligj), ndërtimi i shtetit binacional, ridefinimi i shtetit, integrimet euroatlantike e të ngjashme). Partitë shqiptare duhet të ndihen më të lire përkundër trysnisë që bën VMRO me çdo kusht ta merr pushtetin, të pajtohen dhe të argumentojnë mosmarrëveshjet e tyre si me maqedonasit, ashtu edhe në mënyrë të diferencuar me shqiptarët. Është fakt evident se BDI ndryshon strategjinë, por jo objektivat, ajo me çdo kusht insiston të vishet me kostume zyrtare pa e definuar qartë se cili duhet të jetë rrobaqepësi. Nuk është me rendësi se nga e kopjuan strategjinë (ose siç thonë deklaratë, platformë apo dokument është krejt njëlloj), me rendësi është të mbeten objektivat, synimet. Strumbullari i gjithë katrahurës në shoqëri dhe në politikë është lamtumira dramatike e VMRO-së dhe e BDI-së nga forca e ndikimit. Asnjëra nuk e parapëlqen statusin e opozitës sepse në pozitë gjërat shikohen siç janë, në opozitë siç duhen të jenë. Këtu fillon edhe loja.
Duhet të dimë çfarë loje luhet dhe kush qëndron para ose prapa lojës. Këtu shtrohet edhe pyetja: tendenca për të formuar pushtet janë forca të reja apo të vjetra, më konkretisht është ky llum i mbetur apo frymë e re. Siç duket përgatitet një rikthim dramatik madje më i ashpër se i vitit 2001. Kjo mbase deputetët aktrojnë rebelim. Politikanët e të gjitha ngjyrave përgjithësisht e shikojnë pushtetin si qëllim të fundit dhe jo si një mjet i cili duhet t’u ndihmojë për të realizuar synimet dhe parashikimet programore të shtruara në kampanjën parazgjedhore. Por, pavarësisht të gjitha tendenca e politikës është të arrijnë zgjidhje përkatëse. Populli dhe situata e krijuar kërkon zgjidhje, jo retorikë. Nuk bëhet politikë me bllokada, me revolucione të gjelbra apo hamburger revolucione. Pyetja e fundit është kush kujt i duhet? Politikën nuk e bëjnë vetëm politikanët. E bëjnë më shumë vizioni dhe intelektualët që politikës i mungojnë. Shoqërisë, politikës i duhet paqe jo trazira, i duhet mirëqenie sociale jo protesta rrugëve, i duhet qëndrueshmëri institucionale jo shkatërrim i tyre, i duhet Parlament dhe Qeveri që shikon përpara me fokus qytetarin dhe jo dështuesit e politikës.
Në këtë kontekst, nxjerrë tri përfundime: Së pari, politikanët kanë nevojë për të kuptuar më thellësisht situatat e reja të krijuara në fazën pas zgjedhore dhe formimin e Qeverisë e të Parlamentit. Së dyti, partitë politike nuk janë në gjendje të merren me probleme të mëdha, prandaj duhet të pranojnë mesazhet e ndërkombëtarëve për tejkalimin e situatës dhe qartësojnë prioritetet e daljes nga kriza e thellë. Së treti, ndërkombëtarët duhet të jenë me të vendosur, më agresiv në qëndrimet e tyre dhe të marrin masa ndaj individëve për mospërfilljen e tyre. Madje ta shpëtojnë Maqedoninë dhe qytetarët nga ato që atë e shkatërrojnë Për fund një thënie domethënëse: “Nuk mjafton të fitohet lufta, është më me rendësi të organizohet paqeja” – Aristoteli
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara