Shkup, 16 shkurt – Shtëpia Botuese “Logos-A” ka konfirmuar se kontrolle të shumta nga institucione të ndryshme po i bëjnë presion kësaj shtëpie botuese, ndërsa e njëjta akuzon se bëhet fjalë për orkestrim politik pas të cilës fshihet BDI. Në një njoftim drejtuar mediave, Logos-A madje ka një apel drejtuar partisë së Ali Ahmetit. “SHB ‘Logos-A’ – Shkup e njofton opinionin se presionet e pushtetit kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe këto ditë. Kështu edhe sot inspektorët financiarë, të cilët kanë kërkuar nga shërbimi i kontabilitetit të Logosit të dhëna për transaksionet e realizuara. Ndonëse jemi të sigurt se ata dhe askush tjetër nuk do të gjejë asnjë shkelje ligjore, ne jemi të bindur se kjo nuk bëhet për arsye ligjore, madje as vetëm që të ushtrohet presion politik, por aq më shumë që ato dokumente që sot merren në mënyrë zyrtare, nesër të përdoren nga parti të caktuara politike për hesape politike”, thuhet në njoftimin e Logoa-A drejtuar mediave. Prandaj, vijon më tej njoftimi, e njoftojmë opinionin se partia shqiptare në pushtet po abuzon me institucionet e shtetit, në mënyrë që të përfitojë politikisht. “Andaj, çdo publikim që në të ardhmen do të vijë si akuzë e saj ndaj ndonjë partie tjetër politike ose ndaj drejtuesve të Logosit për qërim hesapesh politike, është abuzim me institucionet, sepse këto dokumente janë marrë nga ne me arsyetimin se po bëhen kontrolle zyrtare e jo se ato do të përdoren për përfitime politike”, thuhet në fund të njoftimit të Shtëpisë Botuese “Logos-A”, e cila njëkohësisht falëron qindra dashamirë të librit që këto ditë i dhanë mbështetje “Logos-A”, që së fundmi është vënë në shënjestër të pushtetit. (koha.mk)