Në mungesë të logopedëve shqiptarë në institucionet shëndetësore, fëmijët shqiptarë detyrohen që ushtrimet t’i kryejnë në maqedonisht, gjë e cila vështirëson përmirësimin e gjendjes së tyre. Ose, janë të detyruar të mësojnë me logopedë privat, orët e të cilëve duhet paguar privat me kosto shumë të lartë se në institucionet shtetërore
Delvina KËRLUKU
Shkup, 24 gusht – Shumë logopedë, të cilët janë diplomuar, vazhdojnë të presin një vend pune. Studentët e Logopedisë thonë se gjatë kohe nuk ka pasur asnjë logoped shqiptarë të punësuar në spitalet shtetërore, ndërkohë që të papunë vazhdojnë të qëndrojnë edhe dhjetëra shqiptarë që presin konkurset e Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve tjera, shkruan gazeta KOHA. Përkundër premtimit të Ministrisë së Shëndetësisë se, më së voni në qershor, në të gjitha qendrat shëndetësore në vend do të punësohen logopedë, kjo nuk ka ndodhur edhe sot e kësaj dite. Shkupi mbetet e vetmja qendër që ka të punësuar logoped, por jo edhe numër të kënaqshëm të shqiptarëve. Mungesa të dukshme ka edhe në punësimin e defektologëve, edhe pse kuadri shqiptarë tashmë ka numër të madh që pret një vend pune në institucione shteti.
Ministria e Shëndetësisë ka përsëritur se në përgatitje e sipër është konkursi për punësimin e 17 logopedëve dhe tre defektologëve, punësime këto që janë paraparë për në Entin për rehabilitimin e dëgjimit dhe të folurit. “Së shpejti do të hapet konkurs për punësime edhe të logopedëve në institucione përkatëse”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Në ndërkohë, Shoqata e Logopedëve shqiptarë për vite me radhë kërkon punësimin e kuadrit profesionistë, të cilët do t’i trajnojnë fëmijët shqiptarë në gjuhën e tyre amtare. Në mungesë të tyre, fëmijët shqiptarë detyrohen që ushtrimet t’i kryejnë në maqedonisht, gjë e cila vështirëson përmirësimin e gjendjes së tyre. Ose, janë të detyruar të mësojnë me logopedë privat, orët e të cilëve duhet paguar privat me kosto shumë të lartë se në institucionet shtetërore. Muharrem Smaili nga shoqata Unioni i logopedëve shqiptarë “Logoalb”, thotë për gazetën Koha, se ekziston një numër i madh i logopedëve shqiptarë që kanë mbaruar studimet dhe janë ende të papunë – ose 15 logoped të papunë.
“Të gjithë ne, të diplomuarit shqiptarë, jemi të detyruar të punojmë nëpër qendra private me qëllim që të arrijmë t’ju vijmë në ndihmë fëmijëve shqiptarë, të cilët kanë nevojë të trajtohen tek logopedi, kanë çrregullime gjuhësore, apo të dëgjimit dhe mundohemi të jemi gjithmonë sa më afër tyre. Sa i përket institucioneve shtetërore, në Entin për rehabilitim në spitalin shtetëror ka vetëm një të punësuar shqiptare, edhe pse e njëjta është me kontratë të punës. Përveç logopedes në Entin për rehabilitim, tjerë logoped shqiptarë nuk ka të punësuar në asnjë institucion tjetër shtetëror”, thotë logopedi Smaili, ndërsa shton se logopedët janë të rëndësishëm në çdo institucion shtetëror – qoftë ajo shkollë fillore, ambulantë, poliklinikë, apo çerdhe. Të paktën çdo shkollë fillore duhet të ketë së paku një logoped, në mënyrë që të përmirësohet gjendja e fëmijëve me çrregullime gjuhësore, vështirësi në të nxënë (shkrim dhe lexim), vështirësi në të mësuarit etj.
“Në Entin për rehabilitim të gjuhës, dëgjimit dhe zërit jemi të informuar se ka vende të lira pune. Disa prej anëtarëve i kanë dorëzuar dokumentet. Edhe pse kanë thënë se do të punësohen vetëm katër logoped, megjithatë ende se dimë se sa shqiptarë do punësohen. Por kjo nuk është asgjë për shkak se Enti për rehabilitim është vetëm një institucion, ne duam që në çdo institucion të hapen dyert për logopedët shqiptarë dhe të ketë punësime të reja, për shkak se numri i këtyre fëmijëve me çrregullime gjuhësore sa vjen e rritet dhe asnjëherë duke u zvogëluar. Nga ana tjetër, çdo vit e më shumë shtohet numri i logopedëve shqiptar të diplomuar, ndërsa problemi për punësim mbetet i njëjtë”, thonë nga Unioni i logopedëve shqiptarë. (koha.mk)