Emin AZEMI
Etiketa më shpërdoruese që është dëgjuar këto vitet e fundit, ka qenë fjala terrorist, që me lehtësi të madhe iu është veshur individëve të caktuar shqiptarë. Por, ekspertizat, sado që kanë qenë të sajuara dhe dirigjuara, asnjëherë nuk kanë arritur të sjellin argumente bindëse se bëhet fjalë për ndonjë veprimtari terroriste të personave, të cilët në momente kritike mund të kenë qenë në ndonjë “vend të gabuar”.
Targetimi i “grupit të Kumanovës” me kualifikimin “terrorist”, që lidhet me ngjarjet e 9-10 majit, 2015, është shmangia më elegante e institucioneve të drejtësisë për të trajtuar këtë grup me terma adekuat, që do të ishin larg përkufizimeve aktuale.
Gjyqësori në Maqedoni ka shumë punë të pakryera edhe sa i përket semantikës së kualifikimit të ngjarjeve. Në procesin e skriningut do të duhej të përfshihet edhe kjo çështje, sepse pretendimi për të qenë një ditë pjesë e BE nënkupton edhe flakjen e nebulozave terminologjike.
Rasti i këtyre djemve të ardhur nga Kosova në Kumanovë, para tri vjetëve, ka prodhuar një triler tragjik që më tepër ka karakter të papërgjegjësisë së kombinuar institucionale e individuale, se sa të ndonjë ngjarjeje me konotacion terrorist. Ata u zunë në befasi, gati në gjumë, dhe asnjë ekspertizë nuk ka provuar të na bindë se qëllimi i tyre ishte të vrisnin ndonjë person. Rrethanat e ndodhjes së tyre në “vend të gabuar” dhe “kohë të gabuar” mund të diskutohen, por akti final i aktiviteteve të tyre nuk ka qenë terrorizmi, siç po pretendojnë prokurorët dhe gjykatësit e këtij rasti.
Në logjikën juridike të një shteti, siç është Maqedonia, që ndodhet ende brenda traditave sovjetike të manipulimit me fakte e prova, rastet si ky gjithmonë marrin ngjyrim misterioz me konotacion të konspiracionit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të humben gjurmët se kush e konstruktoi këtë ngjarje, dhe cilët ishin ideatorët dhe frymëzuesit e kësaj aventure tragjike. Me vetë faktin se në seancat gjyqësore munguan një pjesë e madhe e të apostrofuarve si dëshmitarë të drejtpërdrejt, që u kërkuan nga të akuzuarit, është e mjaftueshme për të kuptuar se ky proces gjyqësor u ngrit mbi një padrejtësi të madhe.
Ngjarjet e 9 dhe 10 majit 2015 nuk ndodhën vetvetiu, në mënyrë stihike. Ato dikush i ka ideuar dhe organizuar. Plot individë nga Maqedonia dhe nga Kosova u kujdesën që këto ngjarje të kenë efektin dhe kontekstin e tyre dhe jo të gjithë individët u penalizuan për veprimet e tyre. Disa humbën jetën, të tjerët u burgosën me qindra vite burg dhe jo pak u dënuan me burgime të përjetshme. Mirëpo çka ndodhi? Jashtë burgut mbetën ata individë që i organizuan ngjarjet e Kumanovës? Në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj ranë disa idealistë shqiptarë, që gabimisht u futën në agjendat e matrapazëve shtetërorë të Shkupit e Prishtinës dhe është për t’u habitur se si kjo e vërtetë vazhdon të mbetet disi e pluhurosur me tisin e misteriozitetit dhe paqartësisë.
“Ngjarjet e Kumanovës” duhet ti kalohen PSP-së dhe të ndahet njëherë e përgjithmonë fajësia e atyre që erdhën pa e ditur se ku po vijnë, e që morën dënime kapitale, dhe e të tjerëve që e dinin saktësisht epilogun dhe efektin e këtyre ngjarjeve, e që aktualisht janë më të lirë se zogjtë e malit. Në të kundërtën, “ngjarjet e Kumanovës” do të vazhdojnë të mbeten një batak në fund të një gropë të thellë, e të mistershme, ku secili e ka luksin të projektojë konspiracionet e veta, me mundësi që edhe në të ardhmen të inskenohen trilere të tilla, me aktorë tragjikë që humbin jetën kot për kauza që dikush i shënjestron si “qëllime finale” për politika kaotike.
Amnistia, fundja, është e pashmangshme për gjithë ata që bien pre e manipulimeve shtetërore.